Lajmi i fundit

Plumba në Shkodër, ka të plagosur

'I kemi votuar por s’na ka dashur asnjëri prej tyre. Të kërkojmë njëherë kryetarin që nuk duam'

21:26, 28/04/2023
A+ Aa A-

Gjatë gjithë këtyre 33 viteve tranzicion, i kemi dashur të gjithë kryetarët e postkomunizmit me shpresën se do e bëjnë Shqipërinë si gjithë Europa, i kemi votuar, por në fund kemi kuptuar që s’na ka dashur asnjëri prej tyre…

Të gjithë na premtojnë policinë që duam, sigurinë që duam ne, rrogën që duam ne, mirëqënien që duam ne, dhe kur vijnë në pushtet na japin policinë që duan ata, sigurinë që duan ata, rrogën që duan ata, dhe mirëqënien që duan ata…

Ka ardhur koha, të flasim për gjërat që nuk duam. Dhe meqë jemi në prag zgjedhjesh, le të kërkojmë njëherë kryetarin që nuk duam:

-       Kryetari që nuk duam është ai që të puth dorën para kamerave e të shkel me këmbë jashtë tyre;

-       Kryetari që nuk duam është ai që kërkon votat tona, që tu shërbejë oligarkëve;

-       Kryetari që nuk duam është ai që vishet bukur me taksat tona dhe që i dallon qytetarët në brekëgrisur, varfanjakë dhe shërbëtorë;

-       Kryetari që nuk duam është ai që çon kasetat gati që gazetarët t'i japin vetëm play në vend që të lërë gazetarët të vijnë vetë t'i bëjnë pyetjet e tyre;

-       Kryetari që nuk duam është ai që me pasurinë e qytetarëve blen mediat dhe korrupton pronarët për të nënshtruar qyterarët dhe pushuar nga puna gazetarët që mendojnë ndryshe;

-       Kryetari që nuk duam është ai që të kërkon votën në këmbim të ligjërimit të ndërtimit pa leje dhe pasi votohet ta prish shtëpinë;

-       Kryetari që nuk duam është ai që për hir të votimit hedh fëmijët mbi supe dhe pas votimeve për hir të zhvillimit lejon që ti hidhet familjeve me fëmijë gaz lotsjellës në gjumë;

-       Kryetari që nuk duam është ai që bën sikur ka bërë atë që ska bërë dhe thotë sikur ska thënë atë që ka thënë;

-       Kryetari që nuk duam është ai që e krimin e bën ortak e kriminelët aksionerë në vënd që ti denoncojë ata;

-       Kryetari që nuk duam është ai që për çdo kritikë në rrjetet sociale vërsul 100 kamikazë dixhitalë anonimë të paguar me taksat tona, të gatshëm për të të sharë e ofenduar familjarisht;

-       Kryetari që nuk duam është ai që kur kapet me skandale, t’ja vërë fajin vetes dhe jo të akuzojë e fajësojë atë që gjeti skandalin;

-       Kryetari që nuk duam është ai që shfaqet familjar e i dashur në kamera, por jashtë kamerave bullizon gratë, por dhe burrat, bullizon punonjësit e administratës por dhe tregtarët, bullizon kundërshtarët, por dhe vartësit;

-       Kryetari që nuk duam është ai që familjarët i ka trafikantë; ai që farefisin e vë në poste drejtuese; ai që fëmijët i ka gangesterë;

-       Kryetari që nuk duam është ai që ligjin në vënd që të jetë në shërbim të popullit e bën që të jetë në funksion të tij;

-       Kryetari që nuk duam është ai që të rinjve u thotë: mos ikni me gomone në Angli dhe vet fëmijët i kanë çuar jashtë;

-       Kryetari që nuk duam është ai që lavdëron mjeksinë shqiptare ndërkohë që vetë mjekohet jashtë nga mjekët shqiptarë që i la për faqen e zezë në Shqipëri…;

-       Kryetari që nuk duam është ai që kur hipën në kalë nuk do të zbresë më nga kali, as me votë;

Po të më lësh këtu gjithë fundjavën prapë nuk do më dilte koha për të mbaruar shëmbujt e kryetarëve që nuk na duhen…

Në kaq shumë vjet jo vetëm ne, po edhe kali, edhe bufi e ka kuptuar që paskemi zgjedhur atë që nuk na është dashur…

Pyetja është, çfarë duhet të bëjmë sot? Do vazhdojmë t’i japim votën kryetarit që nuk duam?

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco