Çmimet e apartamenteve në stratosferë, kompanitë e ndërtimit fshehin vlerat reale! Mijëra euro në të zezë

21:23, 28/04/2023
A+ Aa A-

Pak javë më parë në emisionin ‘Piranjat’ është treguar me zë dhe me figurë se si kompanitë ndërtuese në Tiranë, operojnë me shuma të mëdha CASH duke shmangur detyrimet ndaj shtetit, por njëkohësisht edhe duke çuar në dyshime për pastrim parash në nivele të frikshme.

Blerja e apartamenteve nga këta kompani, bëhet fare thjeshtë, mjafton që blerësi të drejtohet në zyrat e shitjes me para kesh, qoftë edhe të padeklaruara.

‘Piranjat’ konstatojnë se askush në këto zyra nuk pyet për burimin nga vijnë paratë. Ashtu siç ndodhi në zyrën e shitjes së kompanisë ‘Usluga’, pronë e biznesmenit Sadri Abazi. Nga ajo ditë, pavarësisht shkeljes së rëndë të ligjit nga kjo kompani, asnjë organ hetimor nuk ka marrë mundimin që të kërkojë informacion për çfarë ka ndodhur në atë zyrë...

Por, ‘Piranjat’ kanë vijuar sërish punën në terren, duke dokumentuar të tjera akorde, me të tjera kompani, të cilat nuk mendohen dy herë për të pranuar lekët në dorë, pak rëndësi ka se cili është burimi i tyre.

‘Piranjat’ kanë mbërritur në dyert e kompanisë ‘Tulipan’ dhe pasi arrijnë të marrin vesh çmimet shkojnë në kantier për të parë shtëpinë ‘e ardhshme’ dhe aty, kërkojnë të kuptojnë më shumë për formën me të cilën do të paguajnë. Kështu ‘Piranjat’ në rol duke i shpjeguar: ‘Ne i kemi lekët, nuk është se nuk i kemi, problemi është që ne të gjitha lekët në bankë, nuk i kemi.’ Mjafton kjo fjali, që përfaqësues i kompanisë ‘Tulipan’, të futet menjëherë në negociata. Pas disa tratativash, gjithçka duket e kopsitur. Por, për të qenë në rregull me shtetin, përfaqësuesit e Tulipanit, ulin çmimin për metër katror, nga 1700 euro ne 959 euro.

Ndërkohë, ‘Piranjat’  vijojnë me një tjetër kompani ndërtimi. Ata paraqiten tek kompania ‘Orion’ dhe hyjnë sërish në rol duke shprehur interesin për të blerë një shtëpi. Kështu nis biseda deri sa arrin tek pagesa. Përgjegjësi për shitjet e ‘Orion shpalos alternativat e çmimeve dhe në këtë moment personi që ka hyrë në rol nga ‘Piranjat’ e ndërpret duke i thënë: Ne me thënë të drejtën të gjitha nuk i kemi.

‘Ne mund të bëjmë 30 % të vlerës mund ta bëjmë cash. 70% do ta bëjmë në bankë’ – përgjigjet fillimisht përfaqësuesi i shitjeve. Edhe në kompaninë ‘Orion’, përgjegjesi i  shitjeve ishte fare i qartë. Nëse do blihej një shtëpi, 30% të shumës mund ta jepnim në dorë. Njëlloj si në të gjitha kompanitë ku janë bërë xhirime. Sepse këta kompani duket se e kanë kthyer në normalitet këtë formë bashkëpunimi me klientët, shpesh herë me te kaluar të dyshimtë apo me lekë që nuk i dihet burimi.

Dhe nuk është një gjë e re, pasi prej vitesh kështu operojnë pjesa më e madhe e këtyre kompanive të ndërtimit, të cilat gjoja duke i bërë nder klientëve, shkaktojnë dy shkelje të rënda penale. E para, kryejnë evazion fiskal në nivele tepër të larta. Mjafton të marrim si shembull propozimin që iu bë ‘Piranjave’ në rol tek kompania ‘Tulipan’, në të cilën metri katror u deklarua për shtetin me 950 euro, ndërkohë që 750 euro të tjera pranoheshin në dorë.

Shkelja e dytë, po aq e rëndë sa e para, ka të bëjë me pastrimin e parave. Askush në këto kompani nuk pyet asnjëherë për burimin nga vijnë paratë kesh te klientëve, dhe këtë ‘Piranjat’ e kanë dokumentuar rast pas rasti. Blerësit mund të jenë trafikant, vrasës me pagesë, bashkëpunëtorë të terrorizmit apo edhe zyrtar të korruptuar. Kompanitë nuk kryejnë asnjë verifikim për lekët e blerësve dhe ndoshta me të drejtë dikush pret që këtë ta bejnë organet ligjzbatuese... Ta harrojnë! Ata ka kohë që flenë mbi dafina.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco