Berisha në Valias: Kemi realizuar përfaqësimin më dinjitoz që një qytetar meriton!

19:29, 27/04/2023
A+ Aa A-

Valiasi në bashkinë e Kamzës ishte ndalesa e kryetarit të PD, Sali Berisha në vijim të turit elektoral për zgjedhjet vendore të 14 majit. 

I shoqëruar nga kandidati për kryetar bashkie të Kamzës, Arjan Hoxha, Berisha tha para banorëve se opozita vjen me një alternativë përfaqësimi dinjitoze që një qytetar meriton. 

Ky standard, tha Berisha, do të vijë vetëm duke u konsoliduar.

"Të dashur banorë të Valiasit, vëllezër e motra, zonja e zotërinj. Mirënjohje dhe falënderime të pakufishme për ju, mbështetjen tuaj të jashtëzakonshme në çdo kohë. Asgjë, asnjë presion, asnjë mashtrim nuk ndau ju nga idealet tuaja demokratike. Nuk u ndau ju nga idealet tuaja të lirisë, dhe të dinjitetit. Ju në 32 vite, qëndruat besnik i atyre idealeve. 

Sot unë vij tek ju për të paraqitur kandidatin tuaj për kryetar bashkie, Arjan Hoxha. Arjani nuk është kandidat i kryesisë së partisë, as i kryetarit, por është kandidat i votës tuaj, i vendimit tuaj, i besimit tuaj dhe është kandidat i dinjitetit tuaj. Në këtë kontekst, së bashku ne të gjithë që besojmë në lirinë, vlerat e saj, kemi shënuar një arritje të jashtëzakonshme. Kemi realizuar përfaqësimin më dinjitoz që një qytetar meriton dhe ai është e drejta e tij për të zgjedhur qytetarin apo qytetaren që i përfaqëson.

Ju garantoj se ky standard që është ndër më të lartit, do të vijë vetëm duke u konsoliduar dhe se ky standard do të kthejë, do të detyrojë çdo të zgjedhur tuaj të jetë një shërbëtor i përulur, të bëjë gjithçka për të ju shërbyer ju, dhe të jeni të sigurtë se Arjan Hoxha një i tillë është dhe do të mbetet. 

Arjan Hoxha do të bëjë gjithçka për një menaxhim sa më transparent taksave tuaja, do të bëjë gjithçka për një përmirësim sa më të madh të shërbimeve që meritoni. Do të bëjë gjithçka për të shndërruar bashkinë e Kamzës, në një pol të fuqishëm të zhvillimit të Shqipërisë. Do të bëjë gjithçka për të krijuar këtu mjedisin më të përshtatshëm për bizneset, për jetesën, për familjen, për punësimin dhe shkollimin e fëmijëve tuaj", u shpreh Berisha.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco