PD, Vokshi: Gjermanët i besojnë Arbitrazhit dhe jo Edi Ramës!

PD, Vokshi: Gjermanët i besojnë Arbitrazhit dhe jo Edi Ramës!

14:48, 12/04/2023
A+ Aa A-

"Edi Ramës mund të mos i pëlqejë Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit, kur merr vendime ndëshkuese për shkeljet e tij, por gjermanët mendojnë ndryshe. Gjermanët i besojnë Arbitrazhit dhe jo Edi Ramës apo Pirro Vengut", deklaroi sot para mediave, deputetja e PD, Albana Vokshi.

Sipas Vokshit, "kompania gjermane EMS Shipping & Trading ka regjistruar, më 7 prill, një padi kundër qeverisë shqiptare, për një mosamarrëveshje që lidhet me koncesionin e Portit të Durrësit. Lajmi konfirmohet nga Reporteri i Arbitrazhit të Investimeve."

Me zhvendosjen arbitrare dhe korruptive të Portit të Durrësit, Edi Rama e ka ekspozuar shtetin shqiptar ndaj padive të kompanive të huaja, që operojnë në port, - theksoi deputetja. - Një ndër to, kompania gjermane EMS ka një kontratë 35-vjeçare me shtetin shqiptar. EMS është kompani serioze dhe operon në shumë porte të Europës në shërbimet portuale, e klasifikuar me elementet e ndershmërisë dhe sigurisë për të kryer logjistikën e NATO për Europën.

Por, nuk është ndërprerja arbitrare e kontratës, arsyeja e vetme se pse EMS e ka çuar në Arbitrazh Qeverinë.

Kompania ka bërë më parë kallëzim në SPAK, e gjendur para praktikave korruptive të Autoritetit Portual të Durrësit. EMS e ka akuzuar me emër Drejtorin e Portit për shpërdorim detyre, favorizim të subjekteve në tenderat e përdorimit e përpunimit të terminaleve, fshehje të informacioneve për thellimin e Portit (ku u shpenzuan 10 milion eu), favorizim e falsifikim të faturave tatimore për subjekte të ndryshme tregtare (në vlera mbi 20.000.000 lekë).

Duke parë gjumin letargjik të SPAK, në përfundim të afateve ligjore të shkresës për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve e veprimeve diskriminuese, duke parë mosreagimin e Qeverisë Shqiptare, EMS depozitoi në gjykatën e ICSID World Bank, padinë kundër Shtetit Shqiptar me objekt “Diskriminim ndaj biznesit të huaj në Shqipëri”.

Vendimi i kompanisë gjermane për ta çuar në Arbitrazh qeverinë, vjen pas një humbje prej 110 milion eurosh, po në këtë institucion të Edi Ramës.

Pasi këmbëngulte ekran më ekran se nuk ka humbur, se Becchetti nuk do marrë asnje cent, dhe pasi u bë e qartë se e vërteta është ndryshe, Edi Rama, si Enver Hoxha, kërcënoi se do të tërhiqej nga Arbitrazhi. Duke harruar se çfarë do të thotë kjo për klimën e biznesit në vend.  Në rast tërheqjeje, asnjë biznes i huaj nuk do t’i afrohej Shqipërisë, sepse nëse nuk respektohen kontratat, ku mund të ankohet biznesi nëse jo në Arbitrazh ndërkombëtar?!

Te SPAKU i partisë?! Shpërfillja që SPAK i bëri kallëzimit të kompanisë gjermane, dëshmon se asnjë i huaj dhe asnjë shqiptar nuk mund t’i besojë kësaj drejtësie, që lëviz vetëm me fijet e partisë.

Edhe një kujtesë të fundit për publikun: miliona eurot që Edi Rama humb në Arbitrazh, nuk dalin nga llogaritë e tij. JO. Një më një ato janë paratë tuaja, të cdo takspaguesi të këtij vendi.

Por, Edi Rama është zgjidhur dhe nuk e lidh më asgjë. Kur Arbitrazhi vendos kundër tij, ai kërkon të shkrihet institucioni që i ktheu fjalën. Ejani, të bëhemi bashkë e ta lidhim me vote, më 14 maj. Ndryshimi në duart e tua.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco