SYRI TV/ Gabriel Escobar, takim me Ilir Metën/ Kreu i PL: Zgjedhjet e 14 Majit i japin fund monizmit

14:30, 12/04/2023
A+ Aa A-

I Dërguari i Posaçëm i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka vijuar me takimet edhe këtë të mërkurë, ku është pritur nga kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Në përfundim të takimit, Meta ka vlerësuar marrëdhënien mes Shqipërisë dhe SHBA-së si dhe ka shtuar se më 14 maj qytetarët do t’i japin fund monizmit në bashkitë e vendit dhe do të rikthejnë demokracinë.  Escobar gjatë përshëndetjes me kreun e Partisë së Lirisë, ka konfirmuar një takim tjetër së shpejti me të, ndërsa Meta iu bëri thirrje qytetarëve që ditën e shtunë të jenë në hapjen e fushatës së koalicionit “ Bashkë Fitojmë”.

Nga SYRI TV

Zëvendës Ndihmës Sekretari i SHBA për Çështjet Europiane dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor,  Gabriel Escobar ka vijuar me takimet  zyrtare, ku është pritur këtë të mërkurë nga kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

Në njoftimin e shpërndarë për mediat pas takimit, i cili zgjati për rreth 45 minuta, Meta teksa ka shprehur vlerësimet për aleancën mes Shqipërisë dhe SHBA, ka nënvizuar se më 14 maj qytetarët do t’i japin fund monizmit dhe do të rikthejnë demokracinë.

Meta: “Për Shqipërinë, aleanca me SHBA është themelore për demokracinë, zhvillimin ekonomik, sigurinë e vendit dhe të rajonit. E falenderova për mbështetjen e projektit të bazës së NATO në Kuçovë, si dhe ndihmën e jashtëzakonshme për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të sigurisë kibernetike. Vlerësova se angazhimi i SHBA në procesin e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë është thelbësor dhe garantues drejt përfundimit me sukses të dialogut mes dy vendeve. Theksova se zgjedhjet e 14 majit janë një ditë e madhe e  ndryshimit për të gjithë shqiptarët, që do t’i japin fund monizmit në pushtetin vendor dhe do të rikthejnë demokracinë, transparencën dhe llogaridhënien në të gjitha bashkitë e vendit. Nënvizova vendosmërinë e PL për të përmbushur të gjitha detyrimet që burojnë nga partneriteti dhe aleanca strategjike midis Shqipërisë dhe SHBA. Po kështu, shpreha vendosmërinë e Partisë së Lirisë, për të përshpejtuar procesin e integrimit evropian të vendit, me prioritet luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e shtetit të së drejtës.”

Gabriel Escobar gjatë përshëndetjes me kreun e Partisë së Lirisë ka konfirmuar një takim tjetër së shpejti me të, ndërsa Meta iu bëri thirrje qytetarëve që ditën e shtunë të jenë në hapjen e fushatës së koalicionit “Bashkë Fitojmë” në orën12:00 në stadiumin Air Albania.

Më herët Gabriel Escobar u takua me Enkelejd Alibeajn, ndërkohë  një ditë më parë me Presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco