SYRI TV/ Rinia braktis Shqipërinë, rekord aplikimesh për azil në Britani

10:47, 12/04/2023
A+ Aa A-

Rinia po braktis Shqipërinë. Të dhënat e publikuara nga Zyra e Statistikave në Britaninë e madhe, tregojnë se numri i aplikimeve për azil ishte 15,925 duke shënuar një nivel rekord. Gati 58% e aplikimeve për azil në vitin 2022-in i përkiste grupmoshave 18-29 vjeç. Ndërkohë në vendet e BE-së u shënuan 30 mijë aplikime për azil

SYRI TV

Të rinjtë po braktisin Shqipërinë duke synuar kryesisht Britaninë apo vendet e BE. Statistika të frikshme vijnë nga Zyra e Mbretërisë së Bashkuar, e cila po bëhet destinacioni kryesor ku të rinjtë po kërkojnë që të ikin, dhe rruga që ata po ndjekin, kryesisht është përmes kërkimit të azilit.

Numri i aplikimeve për azil në Mbretërinë e Bashkuar ishte 15,925, duke shënuar një nivel rekord për këtë vend.

Të dhënat tregojnë se gati 58% e aplikimeve për azil në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2022 i përkiste grupmoshave 18-29 vjeç. Rreth 13.7% e aplikimeve janë bërë nga fëmijë më pak se 18 vjeç, shpesh edhe të pashoqëruar, teksa 42% e aplikimeve janë bërë nga vetë të miturit si aplikantë kryesorë, ndërsa pjesa tjetër kanë qenë në varësi të dikujt tjetër. Në total, 72% e aplikantëve, ose 11.3 mijë të rinj, ishin të grupmoshës deri në 29 vjeç.

Por ndërsa të rinjtë shënojnë nivel rekord largimi, grupi i dytë më i madh i azilantëve i përket grupmoshës 30-49 vjeç, me 27% të totalit, që në një pjesë të konsiderueshme janë familje, që ikin bashkë me fëmijët. Vetëm 1.5% e azilantëve ishte mbi 50 vjeç.  Në dominancë janë meshkujt ata që ikin, me 84% të totalit.

Sipas të dhënave të Eurostat (që nga viti 2020 i raporton të dhënat për 27 vendet e Bashkimit Europian pa Mbretërinë e Bashkuar), në total kishte 13.2 mijë aplikime për azil në një nga vendet e Bashkimit Europian, niveli më i lartë që nga 2020-a. Në krahasim me një vit më parë, aplikimet për azil u rritën me 16%.

Së bashku me Mbretërinë e Bashkuar, numri total i aplikimeve në Europë arriti në 30 mijë, niveli më i lartë që nga 2006-ta. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco