'Shkon dhe puthet me presidentin serb'/ Berisha: Rama vegël e Vuçiç, 14 maji - votë kundër armikut të kombit!

20:40, 06/04/2023
A+ Aa A-

Kryetari i PD, Sali Berisha foli nga Kukësi edhe për miqësinë mes Edi Ramës dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç. 

Duke ftuar qytetarët, Berisha u shpreh se vota më 14 maj, është vota kundër armikut të kombit, kundër veglës së Aleksandër Vuçiçit. 

Lideri i opozitës përmendi gjenocidin e kryer nga serbët në zonën e Kukësit, për të penguar shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912. 

"Kukësi dhe gjithë këto treva, banojnë në zona të lara më gjak. Në zona që kanë përjetuar barbaritë më të mëdha në histori. Por në zona që kanë qëndruar me heroizmin më të pashoq, këto treva kanë qenë treva në të cilën është mbrujtur, dhe etnosi i kombit ka rilindur në këto treva. Ka rilindur nga pushka, ka rilindë nga huta. Kjo është e vërteta, kjo është e vërteta. Jo për të rrahur gjoksin, jo, jo, por e vërteta kjo është.

Ne nuk rilindëm nga librat, siç mashtrojnë rëndom, rilindja është një, do të thosha, një etapë, histori e jashtëzakonshme për ne, sepse ata shkruajtën rilindasit tanë, doktrinën e shqiptarësisë, doktrinën e vokacionit perëndimor, por para librave të tyre, ishin pushkët, ishte huta e banorëve të këtyre zonave që dëshmoi se ne jemi komb, se ne i dalim zot trojeve tona. 

Pra, dëshmuan ndërgjegjen kombëtare pa të cilën ne nuk do të ekzistonim dot. Nga luftërat më të ndritura të historisë tonë është rezistenca e Lumës, Hasit, Tropojës, Dibrës në vitin 1912. Ajo rezistencë bëri të mundur shpalljen e pavarësisë. Hordhitë serbe kishin një qëllim, të marshonin drejt Shqipërisë për të mos lejuar pavarësimin e saj, shpalljen e saj. Një vit më vonë ato u rikthyen dhe kryen këtu njërin prej gjenocideve më të rënda në të gjithë luftën Ballkanike, në të gjithë Luftën e Parë Botërore. Dhe kjo është e dokumentuar në çdo traktat për gjenocidin dhe krimet e luftës.

Pse ndalem këtu unë, sepse Edi Rama u soll si një serb, si një pushtues serb, serb nacionalist, sepse edhe ata kanë njerëz që nuk pranojnë kurrë ultranacionalizmin. Edi Rama urdhëroi të prishet përmendorja kushtuar gjenocidit serb në Lumë. Ky përbën një nga aktet më të turpshme, më antikombëtare të tij. Vetëm në Porbreg, janë djegur, ekzekutuar e vrarë, 420 vetë, Topojan, me radhë. Profesori ka shkruar, e përgëzoj, dhe i din më mirë. Po pse ne, pse të puthet ai me Vuçiçin duhet të shkelmojmë historinë tonë ne. Ai nuk është shqiptar, nuk është shqiptar. 

Vota në 14 maj, është vota kundër një armiku të vërtetë të kombit shqiptar. Është vota kundër një argati, një vegle të Aleksdnër Vuçiçit, këtij doktrinari të gjenocidit serb në Kosovë dhe në Bosnje. Ndaj dhe socialistë, demokratë, të paparti, asnjë votë për Partinë e Edi Ramës", deklaroi Berisha.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco