Berisha: Sikur Shqipëria të kishte gojë, do pyeste: Pse ikin shqiptarët? Po ikin sepse paratë e tyre po vidhen!

19:01, 29/03/2023
A+ Aa A-

Nga Cërriku ku prezantoi kandidatin e opozitës për kryetar bashkie, Servet Duzha, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha foli edhe për shpopullimin. 

Berisha theksoi se në 8 vite është larguar 35% e popullatës. 

Ai shtoi se shqiptarët largohen pasi paratë e tyre po vidhen nga qeveria. 

Duke u ndalur te 14 maji, Berisha tha se ato nuk janë thjeshtë zgjedhje vendore, por zgjedhjet e jetës për çdo qytetar. 

"Në datën 14 maj ne vërtetë votojmë për qeveritarët tanë vendorë, votojmë për kryetarin e bashkisë, por këto zgjedhje janë, zgjedhjet e jetës tonë. Janë zgjedhjet më të rëndësishme që kemi bërë nga viti 1992 e deri më sot. Në 1992 me votën tonë, ne paqësisht u ndamë me sistemin monist, me sistemin e diktaturës më staliniste në Europë dhe nisëm rrugën e re. Në këtë rrugë ne që ishim njëri nga 3 kombet më të varfra të planetit me vetëm 204 dollarë për frymë, arritëm në 2008 të rreshtohemi me kombet me të ardhura të mesme të larta. 

Arritëm të jemi të parët në rajon për rrogat mesatare. Të marrim rrogat mesatare më të larta se vendet e tjera, përfshirë bullgarët dhe rumunët, që ishin anëtarë të BE-së. Lumejtë e djersës tuaj ishin ato, por ishte edhe një gjë, ishte edhe një administrim tjetër i parave tuaja dhe një vullnet i hekurt që qeveria të bënte ç’kishte në dorë për të përmirësuar gjendjen tuaj ekonomike, për të lehtësuar varfërinë tuaj, për të bërë që ju dhe bizneset të mëkëmbeni gjithnjë e më shumë. 

Në ato vite përsëri shqiptarët lëviznin, por nga viti 2007-2014, numri i popullsisë në Cërrik, Elbasan, Shqipëri u rrit çdo vit. Nuk ishim të pasur, por varfëria që kishim, ishte një varfëri në zvogëlim. Kishte shpresë, çdo njeri e shikonte se vitet po vinin gjithnjë e më të mira në tërësi. Dhe kjo kishte një shkak themelor, sepse të ardhurat tuaja ju ktheheshin ju. Të ardhurat tuaja, ktheheshin në rroga, pensione, në rrugë, në shkolla, në kanalizime, në ujësjellësa, dhe kishte shpresë. 

Shqipëria ka potenciale të jashtëzakonshme kudo. Ky është një vend, pothuajse parajsë tokësore. Por çfarë ndodhi këto vite. Pse këto vite u larguan nga Shqipëria nga 2014 deri në vitin e kaluar, vetëm në hapësirën e BE-së, 937 mijë shqiptarë, kurse në të gjithë botën, më shumë se 1.1 milionë. Pse në 8 vite u largua 35% e popullatës. 

Lufta që ka dëmtuar më shumë shqiptarët, ka qenë lufta e parë botërore dhe luftërat ballkanike që e shoqëruan. 7 fuqi të huaja kanë shkelur në trojet tona, 10 e popullatës u pakësua, u zhduk apo u largua. Kurse në këto 8 vite, asnjë fuqi e huaj nuk ka shkelë në këtë tokë dhe nga ky regjim është larguar 35%  e popullatës. Secili nga ne ka 1/3 e njerëzve të tij të dashur më pak në Shqipëri. Kështu i ka edhe shoqëria shqiptare. 

Çfarë ndodhi? Duhet të ja shtrojmë këtë pyetje vetes, duhet të ndalemi. Sikur Shqipëria të kishte gojë, vetëm këtë kërkesë do shtronte ndaj nesh; Pyesni njëherë pse ikin në këtë mënyrë shqiptarët? Shqiptarët po ikin sepse buxheti i tyre, pasuritë e tyre janë shndërruar në një mallkim për ta. Se Shqipëria, Cërriku, nga një vend i bekuar janë shndërruar në një vend të mallkuar. Po, qytetarët shqiptarë duhet ta dinë se ata janë njerëzit më të vjedhur në Europë dhe botë sot", tha kreu demokrat. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco