VOA citon Ramën: pezullohen Pasaportat e Arta, konsultime me BE-në për amnistinë fiskale

VOA citon Ramën: pezullohen Pasaportat e Arta, konsultime me BE-në për amnistinë fiskale

05:14, 17/03/2023
A+ Aa A-

Në Shqipëri, kryeministri Edi Rama tha se procesi për lëshimin e të ashtuquajturave “pasaporta të arta” është pezulluar, përsa kohë kjo çështje po vlerësohet nga Gjykata europiane. Këtë ai e bëri të ditur në përfundim të Këshillit të Stabilizim-Asociimit, BE-Shqipëri, ku morën pjesë Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit europian për Politikën e Jashtme Josep Borrell dhe Komisioneri për zgjerimin Oliver Varhelyi. Zoti Rama deklaroi po ashtu se qeveria e tij nuk ëstë tërhequr nga amnistia fiskale, porse po punon për këtë me ekspertët europianë.

Nga Zëri i Amerikës

Këshilli i Stabilizim Asocimit është forumi më i lartë dy palësh mes Bashkimit europian dhe Shqipërisë, i cili mblidhet një herë në vit për të analizuar ecurinë e vendit kandidat në procesin e integrimit. Për herë të parë kjo mbledhje u mbajt në Tiranë e jo në Bruksel apo Luksemburg si zakonisht. “Me këtë, ne duam të japim një sinjal të qartë dhe të fuqishëm politik për angazhimin e Bashkimit Europian ndaj rrugëtimit shqiptar drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe e përdorim Këshillin e Stabilizim Asociimit si ndërveprimin institucional më të rëndësishëm ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë”.

Ndërsa është vlerësuar ecuria e reformave në vend, gjatë takimit , është theksuar nevoja për përparim të mëtejshëm. BE-ja ka nënvizuar gjithashtu se përpjekjet për të krijuar një histori solide në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të intensifikohen, përfshirë atë në nivel të lartë.

Këshilli i Stabilizim Asocimit rrok thuajse në 360 gradë problematikat dhe përparimin e vendit kandidat. Dhe gjatë mbledhjes së sotme u trajtua dhe çështja e të ashtuquajturave “pasaporta të arta”, të cilat lëshohen kundrejt shumave të caktuara që investohen nga të huajtë e për të cilën Brukseli kishte shfaqur shqetësim të vazhdueshëm. Por kryeministri Rama tha se është vendosur pezullimi i procesit: “Ka një çështje në Gjykatën Europiane, ne nuk do ta nxjerrim më këtë iniciativë në tavolinë pa parë si do të përfundojë çështja ne Gjykatën Europiane. Nëse Gjykata Europiane vendos kundër pasaportave të arta, kjo është një çështje e mbyllur. Nëse Gjykata Europiane vendos pro, atëherë çdo vend do të bëjë zgjedhjen e vetë”.

Tjetër çështje e debatueshme mes Tiranës dhe Brukselit ka qenë dhe ajo e aministisë fiskale. “Nuk heqim dorë thjesht sepse kjo nuk është një gjë e mirë në parim, sepse ne kemi të gjitha arsyet tona për të menduar që kjo është gjëja e duhur për Shqipërinë, por ama nga ana tjetër ne duam që këtë gjë ta bëjmë së bashku dhe prandaj ju falënderojmë për ekspertizën dhe duam t’i shkojmë deri në fund procesit të dialogut edhe të përmirësimit të drafteve. Sot është një draft komplet tjetër nga ajo që ishte në fillim, falë ekspertizës që ju na keni ofruar”, u shpreh kryeministri shqiptar.

Shqipëri, nisma për amnisti fiskale dhe penale shkakton debat

Sa i përket lejimit të kultivimit të cannabisit për qëllime mjekësore, zoti Rama tha se kanë përfunduar konsultimet dhe procesi do të vijojë më tej në parlament “duke pasur shumë të qartë jo vetëm se si e shkruajmë por edhe se si e zbatojmë dhe për këtë gjithë elementet e monitorimit janë mirëmenduar, por sigurisht do të gjykohet në praktikë”.

Kryeministri shqiptar kërkoi një mbështetje më të madhe financiare nga Bashkimi europian për rajonin e Ballkanit, i cili tha ai nuk mund t’i rezistojë goditjeve të krizës së krijuar si pasojë e agresionit rus në Ukrainë.

Nga komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi, ai mori lajmin se janë gjetur financimet për ngritjen në Tiranë të kampusit të Kolegjit të Europës, selia qëndrore e të cilit është në Bryzh të Belgjikës dhe një tjetër kampus në Varshavë, të Polonisë. Kolegji, është një institucion postuniversitar për studime europiane, dhe vendosja e një kampusi të ri në Shqipëri kishte qenë një kërkesë e autoriteteve të Tiranës. "Jam shumë i lumtur që kemi arritur të gjejmë financime për kampusin e Kolegjit të Europës këtu në Tiranë. Për mua, ky është një sinjal i qartë se anëtarësimi është afër dhe kjo është arsyeja pse jam shumë krenar të deklaroj - dhe e kemi diskutuar me Kolegjin e Europës, shpresoj që dhe ata ta përpunojnë - se do të jemi në gjendje që të nisim procesin e pranimeve qysh në shtator të këtij viti", bëri të ditur komisioneri Varhelyi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco