Protesta e grave ndaj Drejtësisë: Një nga gjyqtaret e pseudo-vetingut e liroi Dan Hutrën!

Protesta e grave ndaj Drejtësisë: Një nga gjyqtaret e pseudo-vetingut e liroi Dan Hutrën!

11:31, 08/03/2023
A+ Aa A-

Jola Hysa, Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë Demokratike dhe pedagogia  e aktivistja Ilirjana Kuçana ishin në krye të grave protestuese që iu drejtuan sot Ministrisë së Drejtësisë. Ato renditën shifrat e larta të dhunës e sidomos të vrasjeve të grave dhe kërkuan nga e ashtuquajtura drejtësi e re e dalë pas vetingut të prokurorëve dhe gjyqtarëve, të reflektojë.

"8 Marsi, - tha Hysa, -  festohet si “Dita e Gruas” dhe në vende të ndryshme njihet si festë kombëtare. Kjo ditë shërben, jo vetëm për bashkimin e grave pa dallim feje, race, kulture, gjuhe dhe prejardhjeje, por edhe për të kujtuar përpjekjet për barazi, paqe, drejtësi dhe progres në gati 9 dekada. Në këtë ditë reflektohet mbi kurajën dhe veprimet e grave të thjeshta, të cilat luajtën rol të rëndësishëm në historinë e të drejtave të grave.

Gruaja shqiptare sot mund të festojë, por ajo nuk i harron dot plagët që marrin simotrat e saj në mbarë vendin. Dhunën verbale, psikologjike, institucionale që shihet tek gëlon dhe merr formën e plumbave që tri gra të thjeshta të këtij vendi morën para pak ditësh.

Përgjatë vitit 2022 janë vrarë nëntë gra nga bashkëshortët apo bashkëjetuesit. Po gjatë këtij viti ka pasur 4000 denoncime të dhunës në familje. Në 10 vjeçarin e fundit në Shqipëri janë vrarë 150 vajza.

Ekspertët e drejtojnë gishtin e përgjegjësisë, jo vetëm tek indiferentizmi i institucioneve shtetërore, por edhe te një lloj mentaliteti patriarkal, nga i cili nuk po çlirohet as sistemi i drejtësisë, dhe te korrupsioni në dhënien e së drejtës. Dua të kujtoj shkurt disa prej grave të vrara së fundmi, dhe shifra të dhunës ndaj grave, jo për të mbjellë zi mbi këtë ditë, por t’i thënë grave dhe shoqërisë se, nëse harrojmë jemi të dënuara me përsëritje."

Me 31 gusht 2017 u vra nga ish-bashkëshorti gjyqtarja e rrethit të Shkodrës Fildes Hafizi, 39 vjeçe.

Marsi 2023 nis përgjakshëm , ku tri gra u vranë dhe tri u plagosën në Paskuqan, Kamëz dhe Astir. Autori ka qenë i dënuar në vitin 2007 për vrasjen e bashkëshortes së tij dhe më 2022 është arrestuar për dhunë në familje.
-1 në 2 gra ka përjetuar një lloj dhune në Shqipëri.
-12.6% e grave në Shqipëri përndiqen.
-18.1% e grave në Shqipëri kanë përjetuar ngacmim seksual.
-47.7% e grave në Shqipëri kanë përjetuar dhunë në familje.
-2.3% e grave në Shqipëri janë goditur, shkelmuar, qëlluar gjatë shtatëzanisë.
-41.2% e grave në Shqipëri kanë përjetuar sjellje kontrolluese shtrënguese.
-31.4% e grave në Shqipëri kanë përjetuar dhunë psikologjike.
-18.0% e grave në Shqipëri kanë përjetuar dhunë fizike
-8.6% e grave në Shqipëri kanë përjetuar dhunë seksuale.
-7.0% e grave në Shqipëri kanë përjetuar dhunë ekonomike.

Kurse znj. Ilirjana Kuçana vërejti: "Jemi sot këtu, para Ministrisë së Drejtësisë. Ky është një moment reflektimi, jo pa qëllim, pasi Ministria e Drejtësisë mori përsipër për të monitoruar pseudo-vetingun. Një nga gjyqtaret që minoi demokracinë dhe pluralizmin në Shqipëri është pikërisht ajo që ka liruar Dan Hutrën, i cili në një masakër të kobshme vrau tri gra dhe plagosi tri të tjera.

Ky është moment për të bërë reflektim dhe një thirrje ndaj përgjegjsve, vetëm nëpërmjet fuqizimit të grave sociale, ekonomik dhe politik mund të kemi një shoqëri të shëndetshme, një shoqëri si në çdo vend europian. Iu bëj thirrje sot të gjitha grave, vajzave, prindërve se vetëm nëpërmjet arsimimit, studimit, dijes mund të shpëtojmë nga dhuna."

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco