Kalaja: Policia është kthyer në mbledhëse gëzhojash e me raste, në vrasëse e grave!

Kalaja: Policia është kthyer në mbledhëse gëzhojash e me raste, në vrasëse e grave!

11:04, 08/03/2023
A+ Aa A-

Aktivistja e njohur dhe avokatja Adriana Kalaja ka dalë në krye të protestës së grave sot në Tiranë,  që po mbahet para tri institucioneve shtetërore që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me politikat për gratë dhe ka lëshuar akuza të rënda në veçanti ndaj Policisë së Shtetit, e cila nuk po arrin të parandalojë vrasjen e grave dhe vajzave dhe madje, në disa raste, është bërë edhe vrasëse e tyre.

Nga përpara godinës së Ministrisë së Brendshme,. znj. Kalaja tha: “Sot jemi pozicionuar  para Ministrisë së Brendshme për të shprehur revoltën tonë në këtë ditë të shënuar si Ditë e Gruas dhe jemi për të thënë stop dhunës ndaj grave, për t’i thënë boll bërjes palë me dhunuesin nga Policia e Shtetit, nga shteti i gjithë në fuqi.

Jemi dëshmitarë të ngjarjeve të ditëve të fundit, por jo vetëm të tyre, se si dhunues të vajzave të nënave të grave shqiptare, janë liruar në mënyrë antiligjore nga Policia e Shtetit, nga prokuroria, nga gjykata. Jemi këtu për të thënë stop, ngritjes dorë ndaj vajzës, ndaj gruas, ndaj nënës, motrës sepse nëse vrasin grua, ne vrasim jetën!

Jemi këtu për t’i bërë thirrje Policisë së Shtetit të pozicionohet gjithmonë në krah të vajzave dhe grave të dhunuara. Jemi dëshmitarë se sa herë, jo vetëm që nuk iu është hapur dera për t’u mbrojtur nga Policia e Shtetit, e cila këtë detyrë ka, por janë bërë palë me dhunuesin duke i nxjerrë jashtë komisariateve dhe duke i përzënë e në fund kanë gjetur vdekjen nga ai dhunues që është bërë palë me Policinë e Shtetit.

Përpos gjithë këtyre ngjarjeve makabre që kanë ndodhur, unë dua të kujtoj dhe të shpreh ngushëllimet e mia dhe të të gjithë kolegeve demokrate për ato vajza dhe nëna që u vranë një javë më parë, nga një dorë vrastare, që emrin, identitetin dhe karakterin e tij e dinte edhe Policia e Shtetti, e dinte edhe prokuroria dhe gjykata dhe ne kemi arritur në pikën që Policia e Shtetit sot nuk parandalon dhunën, nuk parandalon vrasjen por është kthyer në një mbledhëse të gëzhojave e në disa raste, është kthyer në një vrasëse reale të vajzave dhe grave shqiptare.

Nga ana tjetër nga ky moment dua të shpreh ngushëllimet edhe pë rnjë vajzë nga Kenia. Kishte ardhur në territorin shqiptar për të punuar, dhe ky është turpi më i madh që ne jo vetëm që nuk e ruajtëm atë vajzë, por Ministria e Brendshme me minstrin dhëndër të Edi Ramës, së bashku me të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit e fshehën ngjarjen në mënyën më të pamoralshme.

Sot vajza e ndjerë Joy nga bota e përtejme kërkon drejtësi nga ajo drejtësia e munguar që për katër muaj nuk u bë asnjë ekspertizë dhe nuk u morën asnjë të dhënë në lidhje me këtë ngjarje të rëndë.

Nga ky moment unë do të kërkoja drejtësi për Joy-n, sepse është qartazi që është një vrasje shtetërore për sa kohë e mbron Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit, por kërkoj drejtësi për të gjitha vajzat dhe gratë e dhunuara. Ne sot më shumë se kurrë duhet të ngrihemi dhe duhet t’i them stop dhunës ndaj asaj krijese e cila krijon jetën."

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco