‘Der Standard’: Rama ndërhyri te DASH kundër Berishës, mijëra protestues në Tiranë kërkojnë largimin e tij

‘Der Standard’: Rama ndërhyri te DASH kundër Berishës, mijëra protestues në Tiranë kërkojnë largimin e tij

10:24, 13/02/2023
A+ Aa A-

Edhe gazeta e njohur austriake, ‘Der Standard, i ka bërë jehonë protestës masive të opozitës shqiptare. “Mijëra kërkuan dorëheqjen e kryeministrit shqiptar, Edi Rama. Lideri i opozitës e akuzon socialistin se ka ndërhyrë kundër tij te Departamenti amerikan i Shtetit,” shkruan gazeta.

Der Standard

Në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, mijëra njerëz dolën në rrugë kundër kryeministrit Edi Rama. Pjesëmarrësit në protestën e organizuar nga opozita e bashkuar rreth ish-kryeministrit dhe ish-presidentit Sali Berisha, kërkuan dorëheqjen e Ramës.

Ata akuzojnë socialistin se ka përdorur një ish-agjent të FBI-së për të ushtruar presion mbi Departamentin e Shtetit të SHBA, që Uashingtoni ta shpallë rivalin e tij, Berishën, të padëshiruar. Ata e konsiderojnë Ramën përgjegjës edhe për rritjen e varfërisë në vend.

Rama i dha ‘ryshfet’ agjentit të FBI-së, Charles McGonigal, për të ‘eliminuar opozitën’, tha Berisha në tubimin e mbështetësve të tij në Tiranë. Departamenti amerikan i Shtetit, e ndaloi Berishën që të hynte në SHBA në vitin 2021, duke përmendur ‘aktet korruptive’ gjatë kohës kur ai ishte kryetar i qeverisë.

Charles McGonigal, një ish-zyrtar i lartë i FBI-së, u arrestua në SHBA në janar për lidhje të dyshimta me aktorë të huaj. Sipas aktakuzës, ai thuhet se ka marrë 225 mijë dollarë para në dorë nga një ish-agjent i shërbimit sekret shqiptar dhe ‘mbante lidhje të ngushta me kreun e qeverisë shqiptare’.

Rama ka hedhur poshtë akuzat e opozitës. Akuzat ndaj McGonigal nuk kanë ‘asnjë lidhje me të apo me qeverinë shqiptare’.

Rama dhe Berisha janë rivalë politikë: kryeministri aktual Rama është lider i socialistëve shqiptarë; Berisha, i cili u zgjodh kreu i parë i shtetit jokomunist në Shqipëri që nga Lufta e Dytë Botërore në vitin 1992, është një bashkëthemelues dhe ende një përfaqësues me ndikim i Partisë Demokratike konservatore.

Edhe PD, edhe partia e ish-presidentit Ilir Meta, e cila gjithashtu i përket opozitës, e akuzojnë Ramën se ka zhytur Shqipërinë në varfëri dhe ka shkaktuar emigrim masiv nga vendi. Në dy vitet e fundit, Shqipëria ka përjetuar inflacion masiv- veçanërisht për ushqimet bazë dhe karburantet, çmimi i të cilave është rritur në qiell pas fillimit të luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco