‘Do më vrasin’/ Miku i Ramës përdori FBI-në për të hetuar akuzat për lobim dhe komplot ndaj politikanit

‘Do më vrasin’/ Miku i Ramës përdori FBI-në për të hetuar akuzat për lobim dhe komplot ndaj politikanit

11:20, 24/01/2023
A+ Aa A-

Vazhdojnë të dalin në dritë të tjera fakte nga lajmi për arrestimin e një zyrtari të lartë të FBI, me lidhje të forta me kryeministrin shqiptar, Edi Rama.

Charles McGonigal u arrestua në aeroport në Nju Jork dhe është lënë në lirim me kusht pasi pagoi 500 mijë dollarë.

Ai nuk lejohet të dalë jashtë vendit, ndërkohë që akuzohet se ka ndihmuar një oligark rus, por edhe se ka punuar për llogari të Edi Ramës, përmes një këshilltari jozyrtar të kryeministrit shqiptar.

Në dosjen e publikuar nga Departamenti i Drejtësisë, thuhet se McGonigal, ish-drejtues i kundërzbulimit në Nju Jork, ka marrë 225 mijë euro ryshfet nga një person i lidhur me Edi Ramën. Qëllimi ishte që të ndërhynte për një çështje ku implikohej një kompani kineze e energjisë.

Ndërkohë mësohet se McGonigal është takuar të paktën katër herë me Ramën, në Shqipëri, por edhe në Uashington dhe Nju Jork. Këto takime nuk janë raportuar te FBI.

Por në dosje bëhen të ditura skandale të tjera të rënda. Aty tregohet se dy njerëzit e Ramës, me shumë gjasë Dorian Duçka dhe Agron Neza, kanë kërkuar nga Charles McGonigal që të përdorë FBI-në dhe lidhjet e tij për të hetuar një çështje lobimi dhe një komplot për të vrarë një politikan shqiptar.

Në dosje thuhet se: “Në shtator të vitit 2017, i akuzuari McGonigal u prezantua me një biznesmen dhe politikan shqiptar, i cili i tha të akuzuarit McGonigal se ai donte që dikush të hetonte një komplot të dyshuar për vrasjen e politikanit dhe biznesmenit shqiptar”.

Më 18 nëntor, i akuzuari fluturoi drejt Vjenës dhe aty në prani të një prokurori të Departamentit të Drejtësisë, intervistoi të njëjtin politikan dhe biznesmen shqiptar, me të cilin ishte takuar më herët. Agron Neza ishte i pranishëm në intervistë si përkthyes. FBI thotë se nuk mori asnjë dokument për këtë çështje dhe asnjë regjistrim zyrtar të intervistës.

Më 18 nëntor të vitit 2017, i akuzuari fluturoi sërish drejt Shqipërisë, ku u takua sërish me të njëjtin biznesmen dhe politikan shqiptar, këtë herë me praninë e një hetuesi nga Deprtamenti i Drejtësisë. “Biznesmeni shqiptar dhe politikani diskutoi mundësitë për të bërë biznes me McGonigal,” thuhet në dosjen e Departamentit të Drejtësisë.

Por McGonigal u përdor nga dyshja Rama-Duçka edhe për të hetuar një çështje lobimi.

“Më 25 shtator 2017, i akuzuari McGonigal informoi prokurorin e Departamentin e Drejtësisë për mundësinë e një hetimi të ri penal që përfshinte një qytetar amerikan, që ishte regjistruar për të kryer lobim në SHBA në emër të një partie politike shqiptare, të ndryshme nga ajo në të cilën është anëtar kryeministri. Një ditë më herët, ai kishte marrë informacione nga personi B (Dorian Duçka) për lobistin amerikan,” thekson dosja.

Më pas, më 22 janar 2018, McGonigal mori informacione për lobistin amerikan nga Agron Neza dhe ia dërgoi ato një zyrtari të FBI në Nju Jork, që ishte vartësi i tij. Neza e kishte marrë informacionin nga zyra e kryeministrit shqiptar, thuhet në dosje.

Kurse më 26 shkurt të vitit 2018, FBI në Nju Jork hapi formalisht një hetim penal për lobistin amerikan, sipas kërkesës dhe udhëzimeve të McGonigal. Agron Neza u identifikua si burimi i besueshëm që mbështeste hetimin. Ndërsa Dorian Duçka ndihmoi për të krijuar kushtet për takimin e agjentëve të FBI dhe dëshmitarëve në Europë, duke paguar mes të tjerash edhe shpenzimet e udhëtimeve.

Në dosje thuhet se McGonigal nuk kishte zbuluar marrëdhënien e tij me Agron Nezën, personin që i ka dhënë 225 mijë dollarë dhe as me Dorian Duçkën, që ka paguar udhëtimet dhe shpenzimet e tjera.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco