VIDEO/ Bejleri i OMONIA synon të kandidojë për bashkinë e Himarës, zbulon çfarë tha Mitsotakis

VIDEO/ Bejleri i OMONIA synon të kandidojë për bashkinë e Himarës, zbulon çfarë tha Mitsotakis

11:58, 22/12/2022
A+ Aa A-

Kreu i OMONIA-s, Fredi Bejleri, priti sot dhe shoqëroi Kryeministrin e Greqisë Kyriakos Mitsotakis në vizitën që ai zhvilloi në Himarë. Bejleri tregoi se me çfarë përshtypjesh u largua Mitsotakis nga Himara dhe po ashtu, zbuloi synimin e tij për të provuar veten në radhët e PBDNJ-së, për të dalë kandidat për kreun e bashkisë së Himarës në zgjedhjet e  ardhshme lokale.  

I pyetur nga gazetari i Syri Tv mbi fjalimin e Kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, çfarë u tha, sepse ishte në gjuhën greke, pa përkthyes, Bejleri tregoi: “Zoti Mitsotakis nuk tha ndonjë gjë të re, tha ato që thotë gjithmonë. E përcolla tani, ishte shumë i entuziazmuar, nuk priste kaq njerëz në dimër në Himarë. Ishte i kënaqur. Është një partner i minoritetit, por edhe i Shqipërisë, një partner kryesor për integrimin e Shqipërisë në BE. Njerëzit janë të kënaqur, janë të lumtur, shpresojmë të vijnë dhe ditë më të mira.”

Pse nuk është pritur nga kryebashkiaku aktual i Himarës, z. Mitrotakis? A ka ndonjë problem politik apo thjesht zgjedhje personale?

Bejleri: Takimet e kryeministrit i ka protokolli vetë. Janë marrë vesh qeveritë me njëra-tjetrën, nuk kam asnjë informacion. Mirë do të ishte të ishin të gjithë në shesh.

Po afrojnë zgjedhjet lokale. Tashmë PBDNJ ka marrë tri bashki nga opozita. Një prej emrave më të përfolur jeni ju. A do të kandidoni për bashkinë e Himarës?

Bejleri: Unë do të jem kandidat..., do të vë veten time në provë para Këshillit të Përgjithshëm të  OMONIA-s, PBDNJ-ëshit për të miratuar kandidaturën për bashkinë e Himarës. Do të jem kandidat për të marrë miratimin e Këshillit të Përgjithshëm të PBDNJ-ëshit dhe të OMONIA-s.

Dhe nëse do të jeni kandidat, cilat do të jenë prioritetet tuaja për bashkinë e Himarës?

Bejleri:  Prioritetet janë ato që shqetësojnë qytetarët,  çështja thelbësore në Himarë që është çështja e pronave që këtu e 60 vjet nuk po zgjidhet, por po përkeqësohet dita-dita ditës. Është çështja e zbatimit të ligjit për mbrojtjen e minoritetit që është në ligj i miratuar nga qeveria shqiptarë në 2003-2017 dhe gjërat e përditshme që qytetarët himariotë sot nuk i gëzojnë.

Çfarë premtoi kryeministri grek, sepse u fol në gjuhën greke dhe nuk pati përkthim?

Bejleri: Kryeministri grek premtoi mbështetjen pa kushte për integrimin e Shqipërisë në BE, mbështetjen e minoritetit, zgjidhjen e disa çështjeve që kanë emigrantët himariotë që jetojnë në Greqi për çështjen e pensioneve si dhe mbështetjen e kauzave tona këtu që është vetëdeklarimi si minoritar, çështja e pronave dhe çështja e gjuhës, e arsimit në gjuhën amtare në të gjitha shkallët. Premtoi mbështetjen e tij për t’u bërë një gjimnaz në gjuhën greke.

Pse mungoi z. Goro? Nuk ishte i ftuar?

Bejleri: Protokollin e Kryeministrit e bëjnë dy kryeministritë. Nuk kam informacion,  nuk mund t’ju përgjigjem për këtë.

Cilat ishin përshtypjet e vizitës?

Bejleri: Ishte një  takim i suksesshëm , ishte një takim entuziast, njerëzit dolën në shesh, e duartrokitën, thanë problemet e tyre. Ishte një takim në kudër të marrëdhënieve të mira midis dy qeverive, midis dy popujve dhe midis dy shteteve. /ar.sh/SYRI.NET

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco