Miliona për dronë/ Qoka e Ramës për Erdogan mes kujtimeve të dasmës

Miliona për dronë/ Qoka e Ramës për Erdogan mes kujtimeve të dasmës

09:35, 21/12/2022
A+ Aa A-

Para se të firmoste marrëveshjen, kryeministri Edi Rama doli me një version të ri se përse i duhen Shqipërisë dronët “Bayraktar TB2”. E ka thënë se dronët do të përdoren për të zgjidhur çështjet e trafikut të makinave, do t’i shërbenin bujqësisë, policisë për luftën kundër drogës, për gjetjen e personave në kërkim, për ndërtimet e paligjshme në bregdet etj.

Të martën tha se duhen në rast lufte. “Kur siguria jonë kombëtare të jenë nën kërcënim, në këtë rast do të jemi gati për luftë”, u shpreh kryeministri, që disa muaj më parë kishte folur ndryshe.

Për shembull, kur Rusia sulmoi Ukrainën në shkurt, Rama iu përgjigj shqetësimit se lufta mund të shtrihej deri në Ballkan dhe se vendi ynë do të gjendej i papërgatitur ushtarakisht. “Ne jemi pjesë e NATO-s, kjo aleancë, ka një plan, ka një bazë këtu. Do të kemi avionët e NATO-s aty”, tha kryeministri.

Si kryeministër i një qeverie që do lëshojë satelitë në hapësirë për ndërtimet pa leje, por edhe që i quan ndërtime mister pallatet pa leje në Tiranë, deklaratat e Ramës për luftë nuk duhen marrë seriozisht. Pas këtyre deklaratave më shumë se pamundësia për të zbuluar ndërtimet pa leje apo parcelat me kanabis, qëndron borxhi që Rama i detyrohet Erdoganit.

Lapsi.al ka raportuar edhe më parë se ideja për të blerë dronët, Ramës i erdhi në qershor të vitit të kaluar, kur sapo kishte fituar zgjedhjet e 25 prillit. Në fushatën e mandatit të tretë, Rama pati mbështetjen e pakursyer të presidentit turk. Rexhep Taip Erdogan i “dhuroi” një pritje spektakolare në Ankara në Janar para zgjedhjeve, duke i shprehur mbështetjen për fitoren. I premtoi ngritjen në kohë rekord, domosdoshmërisht para zgjedhjeve, të spitalit të Fierit. Dhe e bëri këtë si një dhuratë të posaçme për Edi Ramën.

Para zgjedhjeve u bë edhe deklarata e ministrit të jashtëm turk Mevlut Çavushoglu për një takim të Erdoganit me Micotaqis në Tiranë, pohim që i dha pikë Edi Ramës si negociator i konfliktit Turqi-Greqi. Për të gjitha këto, Rama ka qenë i gatshëm të mbyllë shkollat dhe kopshtet sipas kërkesës së Erdogan. Ka pranuar të kryejë ekstradimet e gylenistëve në Turqi përmes procedurave të paligjshme dhe së fundmi, po blen edhe dronët.

Dihet se në krye të këtij projektit turk të prodhimit të dronëve qëndron burri i vajzës së vogël të Erdogan, Selçuk Bayraktar. Inxhinieri, i shkolluar në SHBA ia ka dalë që të prodhojë dronë me një çmim shumë më të lirë nga SHBA dhe Izraeli. Vitet e fundit Turqia është kthyer në një faktor konkurrues në tregun ushtarak, duke e shndërruar dhëndrin e Erdoganit në një mit të ushtrisë turke.

Prandaj edhe në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, kur kishte përballë tij vëllain e dhëndrit të Erdoganit, Rama nisi të fliste për dasmën ku kishte qenë i pranishëm në Turqi.

“Unë kam qenë vetëm një herë dëshmitar në dasëm në jetën time. Ndodh që martesa ku kam qenë dëshmitar, ka qenë martesa e shpikësit të “Bayraktarit”, vëllait të drejtuesit ekzekutiv që është këtu. Unë shpresoj që si dëshmitar, së paku nuk kam sjellë mungesë fati, me mundësi shpresoj kam sjellë fat, por sigurisht ‘’dhëndri’’ po i sjell ca fat ushtrisë sonë”, u shpreh Rama.

Një atmosferë vëllezërish, dhëndurësh e dasmash në kryeministri. Sepse më shumë se një marrëveshje me interes shtetëror, blerja e dronëve ngjan me një qokë për t’i bërë qejfin mikut. Natyrisht, me paratë e shqiptarëve./Lapsi.al

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco