Falsifikimet/ Gjyqtari padit në SPAK Qirkon, Bungon e Shulin e vetingut

Falsifikimet/ Gjyqtari padit në SPAK Qirkon, Bungon e Shulin e vetingut

12:27, 14/12/2022
A+ Aa A-

Nga Basir Çollaku

Gjyqtari Andri Ymeri, gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, bën kallzim penal në Prokurorinë e Posaçmne, ndaj kreut të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit Pamela Qirko, dhe anëtarëve të këtij komisioni për shpërdorim detyre, moskallëzim krimi, falsifikim të dokumentave shtetërore, falsifikim të vulave, stampave apo formularëve. Këto janë akuzat e ngritura nga subjekti i rivlerësimit Ymeri ndaj Pamela Qirkos, Genta Bungo Tafës, Firdes Shulit dhe Malbora Agës. Gerti Ymeri dhe Arben Llangozi janë dy avokatet e gjyqtarit.

Kallzuesi thekson se:

“Në datë 12.12.2013 në orën 13:00 ishte parashikuar të zhvillohej seanca dëgjimore për subjektin e rivlerësimit Andri Ymeri, seancë kjo që u shty për shkak të kërkesës për përjashtim që është bërë nga ana ime kundrejt dy subjekteve të rivlerësimit, Genta Bungo Tafa dhe Firdes Shuli. Me qëllim dhe në shenjë hakmarrje, komisioni vendosi të vijojë gjykimin brenda ditës, por jashtë orarit zyrtar…”

“....Paraqitja e këtyre rezultateve nga ana e komisioneres u bë në mënyrë të përmbledhur, duke paraqitur vetëm konstatimet e komisionit, pa marrë asnjë mundim të pasqyrojnë shpjegimet e subjektit në lidhje me barrat e provës, të cilat i ishin ngarkuar, bazuar në shprehjen “në lidhje me këtë barrë prove, subjekti ka paraqitur shpjegime të cilat së bashku me shpjegimet në seancë, do të merren në konsideratë në vendimarrjen përfundimtare”."

“...I gjithë parashtrimi i relatores përfundoi në harkun kohor të 65’, ku pas saj subjektit të rivlerësimit të mbrojtur nga ana ime iu dha e drejta për të parashtruar qëndrimin e tij, duke i bërë të ditur faktin se kishte të drejtë të pasqyronte mbrojtjen për dyfishin e kohës që iu desh relatores të paraqese “Rezultatet e hetimit administrativ”, pra për 2 orë e 10 minuta, duke na kufizuar në ekstrem në ushtrimin e të drejtës së mbrojtjes veçanarisht nëse kihet në konsideratë fakti që mbrojtja e subjektit të rivlerësimit Andri Ymeri, përfshin një volum të madh si në shpjegime ashtu dhe në prova....”

“....Në momentin kur subjekti i rivlerësimit po paraqiste pretendimet e tij për figurën, ai u ndërpre nga kryesuesja e komisionit Pamela Qirko, e cila iu drejtua me shprehjen: 'Zoti Ymeri, mos u lodh kot, të gjitha këto që ju shpjeguat, asnjëra nuk ka lidhje me barrën e provës në lidhje me provueshmërinë për pastërtinë e figurës. Këto shpjegime që ti po jep, mund t’i ngresh me ankim dhe nuk mund të jenë pjesë e trajtimit këtu'. Përdorimi i kësaj shprehje nga komisionerja u bë të paktën dy herë, deri kur unë kam ndërhyrë duke i bërë me dije që qëndrimi i saj ishte i gabuar dhe mbi këtë shkak kërkoja përjashtimin e saj..."

“..Në vlerësimin tim ky qëndrim i komisioneres Pamela Qirko është veprim kriminal, pasi ajo pa dëgjuar subjektin, kishte vendosur ta shkarkonte atë, pasi ajo tha që klienti im, duhet të bëjë ankim, kur ndërkohë sapo kishte filluar seanca dëgjimore. Komisionerja Qirko ka konsumuar elementë të vepërs penale dhe konkretisht atë të “shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Kryerja e kësaj vepre penale nga ana e kësaj komisionere, nga ana objektive është kryer me veprime aktive të kundraligjshme që shfaqen në marrjen e vendimit përfundimtar ndaj subjektit të rivlerësimit që unë mbroj, pa mbaruar ende procesi i rivlerësimit administrativ, pa i dhënë të drejtën për ta dëgjuar, pa i dhënë mundësinë për t’u mbrojtur, pa u konsultuar me anëtare të tjera të trupës gjykuese, etj. Dhe vërtetohet fakti i publikuar nëpër media se komisionerja Qirko gjykon me listë e deleguar nga partia dhe jo në meritë. ...”

“....Pamela Qirko është duke e ushtruar në mënyrë perfekte, e ndihmuar edhe nga Genta Bungo Tafa, e cila edhe vetë në seancë e deklaroi se ne jemi “1”, që nënkuptonte se ajo nuk kishte vendim individual të bazohej në prova dhe në bindjen e brendshme, por ajo vijoi duke bërë avokaten mbrojtëse të zonjës Pamela Qirko...”

Një tjetër fakt penal që duhet të hetohet nga ana juaj është dhe fakti se Pamela Qirko ka përfituar këtë detyrë në shkelje të hapur të ligjit 84/2016 dhe pikërisht në shkelje të nenit të kësaj dispozite, që ka të bëjë me pikën d) notën mesatare jo më pak se 8, nëse ka përfunduar ciklin e dytë të studimeve universitare për drejtësi me diplomë “master i shkencave” në Shqipëri, ose studimet universitare për drejtësi jashtë shtetit, dhe ka marrë një diplomë të njësuar sipas rregullave për njësimin e diplomave, të parashikuar me ligj. Nga 40 faqe dokumente të dorëzuar pranë Avokatit të Popullit, ku është aplikuar për këtë pozicion të rëndësishëm pune, në asnjë moment referuar dokumentacionit Pamela Qirko nuk ka plotësuar detyrimet ligjore të parashikuara në ligjin 84/2016 për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë dhe në kundërshtim me nenin 6 pika d). Nuk e kuptoj se si e përzgjodhi komisioni dhe e vlerësoi si kandidaturë të denjë këtë komisionere?

Pamela Qirko ka falsifikuar vërtetimin me nr. 32, prot. datë 08.02.2017, formular standart i Avokatit të Popullit, dhe këtë falsifikim e ka kryer në bashkëpunim me punonjësen e këtij institucioni, shtetasen Malbora Aga, ku në këtë vërtetim janë paraqitur të dhëna të pavërteta dhe pikërisht pikën 18 të këtij vërtetimi ku pretendohet se Pamela Qirko ka depozituar dokumentin që provon se ka mesatare mbi 8-të.Ky falsifikim i dokumenteve është bërë nga personi që ka për detyrë të lëshojë dokumentin, që në rastin konkret ka qenë shtetasja Malbora Aga dhe kjo vepër është kryer në bashkëpunim pasi nënshkruese e këtij dokumenti është dhe shtetasja Pamela Qirko. Ky fakt penal, që është i parashikuar në nenin 186/3 i Kodit Penal, është fakt i cili nuk është i parashkruar dhe duhet të hetohet. Njëkohësisht shtetasja Malbora Aga duhet të hetohet edhe për veprën penale të shpërdorimit të detyrës parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Njëkohësisht personat e kallëzuar kanë konsumuar edhe një tjetër element të veprës penale të parashikuar nga Kodit Penal që është ai i parashikuar nga neni 190 të Kodit Penal që ka të bëjë me falsifikimin e vulave, stampave ose formularëve

Ky falsifikim ose përdorimi i vulave, i stampave apo i formularëve të falsifikuar ose paraqitja e rrethanave të rreme në këto të fundit, që u drejtohen organeve shtetërore, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet.Por institucionet nuk munden te hapin sytë në këtë raste ku pushteti ka duart e zgjatura mbrojtëse.

GENTA BUNGO

Në lidhje me komisioneren Genta Tafa (Bungo), kallëzuesi thekson se ajo paragjykon vendimin duke lajmëruar se ai duhet të bëhet gati për në fazën e dytë në ankimimim, duke nënkuptuar se vendimi është marrë... Ajo në mbështetje të Qirkos në seancë ka theksuar se “këto shpjegime që ti po jep, mund t’i ngresh me ankim dhe nuk mund të jenë pjesë e trajtimit këtu”. Kjo pa mbaruar ende shqyrtimi administrativ, madje pa i dhënë mundësi këtij subjekti të realizojë të drejtën e mbrojtjes së tij...

Gjithashtu paditësi thekson se:

“Anëtarja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit Genta Tafa është zgjedhur në kundërshtim me ligjin procedural dhe material dhe në shkelje të ligjit procedural znj. GentaTafa nuk ka paraqitur dokumente për kushtet ndaluese të nenit 6/1 të ligjit 84/2016 si: Nuk ka masë disiplinore në fuqi, nuk ka ushtruar funksione politike në administratën publike ose nuk ka mbajtur pozicione drejtuese në një parti politike gjatë 10 viteve të fundit; nuk ka qenë anëtar i Grupit të Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, ose ekspert i caktuar nga partitë politike, si dhe Ministri i Drejtësisë; nuk ka nisur një hetim penal; nuk ka qenë anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar nga ish-Sigurimi i Shtetit para vitit 1990, sipas ligjit “Mbi të drejtën e informimit me dokumentet e ish-shërbimit të sigurimit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipëri".

Subjekt i rivlerësimit në kallzimin e tij bën të ditur se:

“Nga ana jonë është marrë vesh informacioni jozyrtar se Genta Tafa Bungo ka dy masa disiplinore në fuqi të padeklaruara në sipas ligjit në fuqi. Për këtë arsye nga ana jonë i janë kërkuar informacione Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, të na vini në dispozicion, masën administrative dhe komplet praktikën e “shkarkimit nga detyra” të ish-drejtoreshës juridike Genta Tafa Bungo... Gjithashtu nuk ka provuar vjetërsinë në punë prej 15 vjetësh sipas nenit C/5 të Kushtetutës. Kallëzimi zbulon se Tafa ka paraqitur vjetërsinë prej 7 vjet e 7 muaj e 15 ditë, që është pretenduar si lektore në Universitetin e Tiranës. Të vetmen provë që ka paraqitur ajo për të provuar punën si lektore në Universitetin e Tiranës është libreza e punës, në të cilën rezulton se ajo në Universitetin e Tiranës ka qenë asistent pedagoge. Titulli asistent pedagoge nuk përbën një vjetërsi si lektore e së drejtës dhe si rrjedhim nuk mund të llogaritet në shumatoren e viteve të punës për llogari të kandidimit. Si rrjedhim, kjo vjetërsi e pretenduar prej 7 vjet e 7 muaj e 15 dit% nuk është e provuar. Dhe vite të tjera, konkretisht një vit e 15 ditë dhe 2 vite dy muaj, nuk janë provuar me shkresa për vjetërsi.

Paditësi thekson se:

"Tafa ka një vjetërsi pune të provuar për vendin që ka konkurruar në masën 6 vjet e 4 muaj shumë larg vjetërsisë prej 15 vjetësh të kërkuar nga neni C/5 e aneksit të Kushtetutës. Dhe këtu nuk ka asnjë arsyetim nga Avokati i Popullit dhe ONM se si i ka plotësuar kriterin e vjetërsisë zonja ish-drejtuese e KPK, tashmë anëtare, por e zgjedhur më herët kryetare në kundërshtim me përcaktimet ligjore dhe ato kushtetuese.

Gjyqtari pohon në kallzimin e tij dhe një momnet ku pretendohet falsifikimi nga komisionerja Bungo. Në të thohet se:

“Genta Tafa ka falsifikuar vërtetimin me nr. 17, datë 07.02.2017, formular standard i Avokatit të Popullit. Këtë falsifikim zonja Tafa e ka kryer në bashkëpunim me punonjësen e këtij institucioni, shtetasen Malbora Aga, ku në këtë vërtetim janë paraqitur të dhëna të pavërteta dhe pikërisht pikën 5 të këtij vërtetimi, ku pretendohet se Genta Tafa ka depozituar dokumentin që provon se ka plotësuar kriterin e vjetërsisë në punë dhe në rastin aktual mbi 15 vjetë punë...”

FIRDES SHULI

Një tjetër komisionere e kallëzuar është Firdes Shuli.

"Në lidhje me komisioneren Firdes Shuli mendojmë se për shkak të pranisë së saj në seancën gjyqësore, mosveprimit të saj si në atë moment dhe aktualisht në kallzimin e paligjshmërisë së veprimit të dy kolegeve të saj komisionere, ajo ka konsumuar të gjithë elementët e veprës penale të “moskallëzimit të krimit” të parashikuar nga neni 300/1 i Kodit Penal..."

Gjithashtu bëhet prezent një masë administrative në karrierën e saj kur ishte kryetare gjykate në Gjirokastër:

“...Ka marrë masën administrative nëpërmjet vendimit nr.17, datë 30.12.1992 të Këshillit të Lartë të Emërimeve në Drejtësi për pezullimin e saj nga detyra, vendimin nr.3, datë 23.02.1993 të Këshillit të Lartë të Drejtësisë i hiqet masa e pezullimit dhe rifillon detyrën si kryetare e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, dhe me vendimin nr.1, datë 30.03.1995 të Këshillit të Lartë të Drejtësisë është shkarkuar nga detyra kryetares së Gjykatës dhe më pas në kuadër të kësaj mase është transferuar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tepelenë...”

Sipas kallëzimit, për 5 vjet punë gjyqtarja Firdes Shuli ka marrë 3 masa disiplinore, atë të pezullimit, masë displinore të shkarkimit nga kryetare gjykate dhe të transferimit në gjykatë më të ulët. Pra, në bazë të këtij ligji, gjyqtarja Shuli ka pasur detyrimin të deklaronte masën displinore të largimit nga detyra, por ajo nuk e ka bërë këtë duke paraqitur rrethana të rreme si në kërkesën për aplikim në punë, por njëkohësisht edhe në jetëshkrimin e saj.

Tjetër akuzë ndaj Shulit është sipas paditësit fakti që ka falsifikuar vërtetimin me nr. 13, prot. datë 06.02.2017, formular standard i Avokatit të Popullit. Këtë falsifikim zonja Shuli e ka kryer në bashkëpunim me punonjësen e këtij institucioni, shtetasen Malbora Aga.Në këtë vërtetim janë paraqitur të dhëna të p vërteta dhe pikërisht pikën 6 të këtij vërtetimi. Ka qenë detyrimi deklarimi i masave disiplinore të marra për këtë subjekt. Komisionerja Firdes Shuli ka falsifikuar dhe “CV” e saj të dorëzuar pranë Avokatit të Popullit, pasi në këtë CV zonja Shuli, nuk pasqyron masat disiplinore.

Do të jetë SPAK që do të marrë në shqyrtim kallëzimin me provat e depozituara duke sjellë dhe një herë shkelje të shumta ligjore, vepra penale të komisionerëve, para të cilëve mbyllen sytë gjithnjë e më tepër.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco