Berisha: Lobimi pjesë e procesit të primareve, por kryetari dhe drejtuesit kryesorë nuk duhet të lobojnë

16:48, 12/12/2022
A+ Aa A-

Në primaret e Partisë Demokratike morën pjesë më shumë se 200 kandidatë, figura të njohura dhe me kontribute. 

Kryetari i PD, Sali Berisha i quajti primaret si forma më e drejtë e hapjes së partisë. 

Duke njohur edhe problematikën e tyre, Berisha tha se primaret nuk ishin të përsosura, por shtoi se ato do të përsosen në raundet e tjera të zgjedhjeve.

Lideri i opozitës tha se lobimi është pjesë e procesit të primareve, por shtoi se kryetari i partisë dhe drejtuesit kryesorë nuk duhet të lobojnë për kandidatë të caktuar. 

"Duke thënë të shkëlqyer nuk mund të them dhe nuk pretendoj fare që këto të ishin primaret të përsosura. Këto ishin primare në të cilat morën pjesë më shumë se 200 kandidatura, në tërësi personalitete politike të PD, por edhe anëtarë të shquar të shoqërisë civile, edhe ekselenca shqiptare që jetojnë dhe punojnë në kryeqytete të Europës, Bruksel, Londër etj. Në çdo lloj varianti që të analizosh, primaret janë forma në genuine, më institucionale, më e drejtë e hapjes së partisë. Në këto primare janë pranuar me vetëdeklarim apo propozim nga degët apo anëtarësia, të gjithë ata të cilët kanë plotësuar kriteret elementare për të marrë pjesë në garë. 

Thashë dhe më sipër që nuk ishin këto të përsosura, por praktika e fituar me këto primare, problematik e dala janë një pasuri e çmuar për ne për ti përsosur ato në raundet e tjera të zgjedhjeve. Pra jo që të mos tërhiqemi prej tyre, por të bëjmë gjithçka që kjo praktikë të konsolidohet transparente, e ndershme, e barabartë për kandidatët.

Dua të ua them këtu, jemi në hapat e parë dhe normale ndjeshmëritë, por gradualisht anëtarët, simpatizantë e PD, duke lexuar për këtë proces do të gjejnë se lobimi ndonëse unë personalisht nuk e këshilloj dhe mbështes, por është absolutisht pjesë konstante e procesit.
E them këtë sepse secili që e merr përsipër që të garojë, duhet ta dijë se rivali i tij do të mund të mobilizojnë, persona, grupe, personalitet të partisë, jashtë partisë për të krijuar një impakt sa më pozitiv për kandidaturën e tij dhe për këtë duhet të mësohemi. 

Sikur, persona, grupe interesi kanë të drejtën e tyre të lobojnë për kandidatin që duan. Por këto janë të parat. Natyrisht nuk besoj se kryetari i partisë duhet të lobojë, drejtuesit kryesorë të partisë duhet të lobojnë se kjo do ta cenonte barazinë dhe ju siguroj se në mënyrën më absolute, asnjë lloj anësimi në këtë garë nuk kam pasur dhe nuk ka pasur nga drejtuesit kryesorë të partise", tha Berisha.  

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco