Mega-afera e Portit të Durrësit/ Nisin shitjet pa u miratuar akoma projekti

Mega-afera e Portit të Durrësit/ Nisin shitjet pa u miratuar akoma projekti

09:41, 23/11/2022
A+ Aa A-

Porti i Durrësit është kryefjala e debatit politik dhe akuzave të opozitës ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama për korrupsionin që fshihet pas tij. Projekti sapo mbylli diskutimet në komisionet parlamentare, pasi u fut në mënyrë të përshpejtuar në Kuvend, për të shkuar drejt votimit.

Megjithatë, duket se qeveria do ta përfundojë atë që ka nisur. Në portin e Durrësit, të cilësuar nga opozita si një prej projekteve më korruptive të Evropës, prej një viti është çelur një zyrë luksoze, e cila njeh të interesuarit me projektin dhe apartamentet që do të shiten. Hapja e zyrave për shitjen e apartamenteve në portin e Durrësit, të lë të kuptosh se votimi i projektit nga deputetët në seancë ka vlerë formale, se ai është i paracaktuar nga kryeministri Edi Rama dhe se ligjvënësit socialistë thjesht do të ngrenë kartonin jeshil, pa e vënë në diskutim nëse ky projekt është apo jo në interes të publikut.

“News 24” u interesua pranë zyrave luksoze të kompanisë “Eagle Hills” në portin e Durrësit dhe mësoi se gjithkush mund të paraqitet dhe të prenotojë një apartament apo njësi shërbimi në këtë zonë.

Çmimet për metër katror ende nuk janë përcaktuar zyrtarisht, por punonjësit e kompanisë thonë se ato do të jenë rreth 1500 euro për metër katror. E ndërkohë që detajet e marrëveshjes sapo u diskutuan në komisionet parlamentare, kompania vazhdon e pa shqetësuar aktivitetin e saj tregtar, duke e bërë fakt të kryer atë që mazhoranca pritet ta noterizojë këtë të enjte.

Në të njëjtën seancë, që pritet të jetë maratonë, është caktuar që të miratohet edhe projektbuxheti i vitit 2023, mesa duket për të mbingarkuar opinionin publik. Akuzave të opozitës për hapjen e një zyre që shërben për marrjen e prenotimeve, Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, nuk e përgënjeshtroi, por tha se deri tani nuk kishte asnjë kontratë shitblerjeje, ndërsa nuk përjashtoi mundësinë e marrjes së porosive nga klientë të ndryshëm që duanë të ketë “hapësirën” e tyre në portin e ri të Durrësit.

Opozita e ka akuzuar qeverinë për projektin e portit të Durrësit, duke e cilësuar si më të korruptuarin në Evropë. Sipas saj, ky port dhe hapësira e tij e konsiderueshme po u merret shqiptarëve dhe po i jepet një kompanie që burimin e saj e ka në një kompani “offshore”. Gjatë diskutimeve në komisionet parlamentare, deputetët e opozitës kanë hedhur dritë mbi projektin, duke zbuluar detaje të marrëveshjes dhe kontratës mes shtetit dhe kompanisë që do të zbatojë projektin e vlerësuar sipas qeverisë, 2.1 miliardë dollarë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco