‘Nuk e kemi menduar’/ KLP dhe SPAK nuk kërkuan buxhet për vetingun

‘Nuk e kemi menduar’/ KLP dhe SPAK nuk kërkuan buxhet për vetingun

20:33, 11/11/2021 Nga Blerina Gjoka | BIRN
A+ Aa A-

Paqartësia për mënyrën se si do të vazhdojë procesi i vetingut vitin e ardhshëm shkaktoi debat në Komisionin e Ligjeve gjatë dëgjesës së institucioneve të reja të drejtësisë për ndarjen e buxhetit për vitin 2022.

Përfaqësues të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Prokurorisë së Posaçme, SPAK pranuan se nuk kanë kërkuar buxhet për procesin e vetingut që u kalon në përgjegjësi në qershor 2022.

Zv/kryetari i KLP-së, Alfred Balla, duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve të PD tha se :“KLP deri më sot nuk ka përgatitur asnjë studim në lidhje me vazhdimësinë e procesit të vetingut, që pas datës 17 qershor na takon ne”.

“Kemi menduar se buxheti për rivlerësimin kalimtar është buxheti tërësor për organet aktuale të vetingut dhe shumë lehtë mund të transferohet tek ne dhe tek KLGJ në qershor 2022,” shtoi ai.

Balla shprehu besimin se buxheti është planifikuar nga qeveria, pasi vetingu është një proces në vazhdim.

Por sipas deputetit të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, ka “mungesë logjike” në këtë përgjigje dhe i kujtoi Ballës se i detyron ligji që të marrin masa për këtë proces. Ai solli si shembull rastin e Këshillit të Lartë Gjyqësor që kishte kërkuar buxhet për vetingun.

Përfaqësuesi i KLP u mbrojt duke theksuar se ka mjaftueshëm kohë deri në qershor për të bërë një studim, ndërsa përmendi nismën e PS-së për zgjatjen e afatit të organeve aktuale të vetingut si një argument për mosveprimin e deritanishëm.

“Është një problem që deri më tani s’e kemi menduar. Jemi nisur dhe nga fakti që në faqen e Kuvendit është publikuar një nismë ligjore për zgjatjen e afateve të KPK dhe KP, por jemi në pritje të vendimarrjes suaj,” tha Balla.

Ndërkohë, ai tha se KLP e ka kapacitetin për ta bërë vetingun, pasi prej tre vitesh po realizon vetingun e magjistratëve të rinj. “Madje një këshill me 11 veta mund të gjykojë më mirë,” tha ai.

Argumentet e Ballës u kritikuan nga Alibeaj, i cili aludoi për ndikime politike në punën e KLP-së.

“Çfarë pune keni ju se ç’bëjnë grupet parlamentare politike në parlament me iniciativat e tyre? A mos ndoshta duhet të aludoj për ndonjë fill të kuq lidhjeje me pushtetin?,” pyeti Alibeaj.

Kryetarja e komisionit, Klotilda Bushka e cilësoi aludimin e deputetit të PD-së si “intimidim i organeve të pavarura”.

Edhe  drejtuesi i SPAK, Arben Kraja, u përball me të njëjtat pyetje nga deputetët e opozitës, pasi detyrat e Komisionierit Publik i kalojnë këtij institucioni në qershor 2022, sipas parashikimit kushtetues. Kraja tha se SPAK nuk ka bërë kërkesë për buxhet shtesë që do t’i duhet për këtë proces, pasi besonte se nga pikëpamja teknike ishte zgjidhur në zërin buxhetor.

“Është e vërtetë që kemi parashikim ligjor, por nuk kemi bërë përllogaritje, as propozim për buxhet. Besoj se në momentin që do të na kalojnë përgjegjësitë ligjore do të na akordohet dhe buxheti që është në dispozicion,” tha ai.

Alibeaj shprehu rezerva edhe për përgjigjen e Krajës, që sipas tij tregon “neglizhencë ligjore”.

Relatori i komisionit për projekt-buxhetin e qeverisë, Alqi Bllako, shpjegoi se zëri buxhetor për procesin e vetingut është parashikuar si zë vjetor në buxhet dhe fondet do të rialokohen për organet e tjera të drejtësisë në qershor, kur të përfundojë afati kushtetues i organeve aktuale të vetingut.

Lidhur me buxhetin e parashikuar nga qeveria, kreu i SPAK tha se nuk u është plotësuar kërkesa për një godinë të re për Byronë Kombëtare të Hetimit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco