Lajmi i fundit

LIVE/ Kuvendi i Shqipërisë në seancë plenare

Komisionet e posaçme të propozuara nga PD/ Shtyhet ngritja, Rushaj: Nuk ka kufizime mbi objektin e hetimit

Komisionet e posaçme të propozuara nga PD/ Shtyhet ngritja, Rushaj: Nuk ka kufizime mbi objektin e hetimit

12:23, 04/10/2021
A+ Aa A-

Konferenca e kryetarëve vendosi të shtyjë diskutimin për sa i përket ngritjes së tre komisioneve parlamentare të kërkuara nga opozita, me argumentin se kërkesat bëhet nga 1/4 e deputetëve dhe i nënshtrohet debatit për gjetjen e një kompromisi për objektin e hetimit.

Por, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Alfred Rushaj, tha se nuk do të ketë asnjë kufizim sa i përket objektit të hetimit të komisioneve hetimore të posaçme. “U ra dakord që të treja komisionet hetimore të kalojnë në seancën e datës 14 tetor për diskutim dhe miratim. I bëmë të qartë deputetëve të PS që e drejta e opozitës për të ngritur komisione hetimore, për të caktuar objektin e hetimit është e patjetërsueshme. Nuk kishte diskutime ne lidhje me kufizimin e objektit hetimor. U ra dakord që në seancën e datës 14, këto komisione të kalojnë në seancë plenare. Ne nuk tërhiqemi nga ajo që Gjykata Kushtetuese ka vendosur në lidhje me ngritjen e komisioneve hetimore”, tha Rushaj.

Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të Ps, Taulant Balla, u shpreh se opozita ka të drejtë të kërkojnë ngritjen e komisioneve hetimore, por se ende duhet dakordësuar objekti i hetimit. “Komisionet hetimore parlamentare janë një instrument në duart e Kuvendit dhe natyrshëm dhe opozitës për të hetuar çështje që kanë një interes publik, por objekti i hetimit rregullohet me një ligj të posaçëm dhe parashikimet në Kushtetutë, por edhe të ligjit janë rregulluar ose vendosur në një kornizë nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese, i cili ka parashikuar që në njërin krah është e drejta për të ngritur komisionin, ndërsa në krahun tjetër nevoja  për t’ia nënshtruar një diskutimi parlamentar objektit të hetimit. Kërkesat janë depozituar fundjavën e kaluar. Ne do të fillojmë një proces diskutimi me opozitën për objektin e punës për të synuar të arrijmë një konsensus për atë që është propozuar. Unë kam kërkuar që numri i anëtarëve në këto komisione të jetë më i vogël”, tha Balla.

Konferenca e kryetarëve miratoi gjithashtu pasaportën e gjelbër për deputetët. Sipas këtij vendimi, deputetët do të futen në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë, mbledhje komisioni ose seancë plenare, me certifikatë vaksinimin ose test PCR, i bërë jo më vonë se 48 orë përpara mbledhjes.

Kësisoj edhe mbledhjet e komisioneve do të bëhen me prezencë fizike të deputetëve. Krahas tyre, në mbledhjet e komisioneve mund të futen edhe përfaqësuesit e medias apo institucioneve të tjera, të cilët gjithashtu duhet të kenë pasaportë vaksinimi ose testin PCR.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco