Lajmi i fundit

LIVE/ Afera 5D/ Policia nis arrestimet e protestuesve, ndërkombëtarët amnistojnë Veliajn - Flet Petrit Vasili

Prapaskena ose menyja e vërtetë e darkës në Dubai!

Prapaskena ose menyja e vërtetë e darkës në Dubai!

10:45, 15/01/2021
A+ Aa A-

Darka tashmë e famshme e Dubait, ku dy ministra të Ramës, Belinda Balluku e Arben Ahmetaj, kryekëshilltari i tij mediatik Endri Fuga dhe nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbian Mazniku u kapën duke konsumuar pjata dhe verën e shtrenjtë, këto ditë është kthyer në hit të rrjeteve sociale dhe disa medieve.

Zemërimi më së shumti ka të bëjë me mishin në pjata te shtruara me fletë të arta, ndërkohë që vendi përmbytej dhe të paktën Balluku si drejtuese e një ministrie direkte përgjegjëse, duhej të ishte këtu. Gjithashtu mjaft zëra janë marrë me analiza të tipit; ku i gjejnë paratë këta shtetarë për të shtruar darka sheikësh dhe të tjera!

Por e vërteta e udhëtimeve dhe frekuentimeve luksoze të shtetarëve shqiptarë është e vjetër, sa 30 vitet pluralizëm. Problemi, skandali apo elefanti më troç, qëndron diku tjetër. Te një plan dhe projekt për të grabitur dhe investuar me para të dyshimta, pjesët më të begata të Shqipërisë, që nga Durrësi në Himarë, Ksamil e deri në Përmet.

Protagonistët e darkës dhe vetë Edi Rama, pretendojnë se bëhet fjalë për një marrëveshje “historike” në të mirë të Shqipërisë, me kompaninë multi-miliardëshe në Emiratet e Bashkuara “Emaar”. 

Por për këtë marrëveshje nuk dimë ende asnjë gjë. Dimë vetëm se u jep një status të privilegjuar investitorëve nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Nuk parashikohet vetëm ndërtimi i portit të Durrësit, por si synim kryesor ka dhënien e pronave shtetërore në bregdetin e jugut. Kryeministri, në vizitën e tij më 26 nëntor në Abu Dhabi foli vetëm për firmosjen e një marrëveshjeje për ndërtimin e 2000 apartamenteve në Spitallë dhe Durrës, por nuk tregoi se, investimet e tyre do përqendrohen kryesisht në tre pika: Futja në portin e Durrësit, në industrinë e turizmit dhe të logjistikës në Vlorë, Sarandë dhe Ksamil, dhe në zonën e Përmetit. Për këtë ka votuar edhe një ligj special në datën 3 dhjetor në parlament për të cilin u fol pak, ose aspak. 

Kuptohet qartë se ajo që u intereson sheikëve të Emirateve të Bashkuara është bregdetit i jugut nga Vlora në Ksamil, dhe qyteti i Përmetit në mënyrë të veçantë. Edhe kjo është pjesë e marrëveshjes së firmosur nga Rama. Projektet do të zhvillohen në bazë të ligjit “Për investimet strategjike” dhe ligjin “Për Turizmin”, që u miratuan në vitin 2015, dhe qartazi është shoqëruar me një numër të madh vendimesh në dëm të pronarëve të ligjshëm të tokave.

Kurse në vijimësi çdo gjë do të kopsitet nëpërmjet “Korporatës së Investimeve” e cila gjithashtu është miratuar në parlament në datë 17 dhjetor. Me këtë ligj special që ngjan me atë për Teatrin Kombëtar të dedikuar vetëm për një kompani, investuesi nga Duba nuk ka nevojë për prokurime publike, as garë e as transparencë. Projekti për transformimin e zonës, Porti i Durrësit-Currila, ndërkohë është bërë gati nga miku i famshëm i Edi Ramë, i cili del pas çdo projekti të dyshimtë, arkitekti Italian Marco Casamonti.

Paralelisht ka nisur regjistrimi i pronave në Durrës dhe në jugun e vendit. Rreth 80 për qind e tyre kanë marrë statusin e “tokës bujqësore” dhe ndërtimet që janë bërë aty nuk njihen më si tokë truall.

Përveç kësaj nëpërmjet “Korporatës së Investime”, shteti ka të drejtë të vërë në dispozicion të investitorit strategjik të gjitha pronat shtetërore te të cilat ai kërkon të kryejë investimet, ta plotësojë dhe me dokumentacionin përkatës e madje ta vendos pronën shtetërore si koleteral dhe të marrë kredi në banka. Nëse dështon, humbet prona publike.

Më 24 dhjetor 2020, qeveria ndërmori një tjetër vendim ku paraqiste dhe hartat ku toka njihej si truall apo tokë bujqësore. Çuditërisht, harta që përshkruan vendin e përzgjedhur nga Kompania në Dubai për të ndërtuar në portin e Durrësit është bazuar në vijat kufizuese të vitit 1938-1941. Janë tokat nga Porti i Durrësit deri në Currila, të cilat njihen si tokë bujqësore dhe kompensohen vetëm me 500 lekë metri, megjithëse ato janë kthyer në tokë truall që gjatë periudhës së komunizmit. Si të tilla njihen dhe tokat e Bregdetit të Vlorës, Himara që kufizohet vetëm në Himarën e vjetër, Palasa, Dhërmiu, Borshi, Qeparoi, Lukova, një pjesë e mirë e Sarandës dhe i gjithë Ksamili.

Darka e famshme e Dubait përveç biftekëve të Nusretit, ka edhe një elefant tjetër të madh.

Kompania e përzgjedhur që do të ndërtojë portin e Durrësit, është e njëjta kompani që ka marrë përsipër ndërtimin e Waterfront, në Beograd projekt i firmosur nga Presidenti aktual Aleksandër Vuçiç në vitin 2012, në postin e e kryeministrit. Sot në këtë shtet ballkanik është hapur jo vetëm një debat shumë i madh, por edhe një hetim për një aferë të madhe korruptive.

Projekti i Emaar në Beograd ka nisur në vitin 2014, por nuk ka mbaruar ende dhe sot pas shtatë vjetësh, ndërkohë që mediet ndërkombëtare raportojnë se është hapur dhe një hetim për këtë çështje, pasi jo vetëm nuk është kryer investimi i premtuar por është shkatërruar edhe qendra historike e Beogradit nga shembjet atje.

“Waterfronti” do shtrihej përgjatë lumit Dava, një zonë e lakmueshme në Beograd. Revista Forbes në vitin 2016 shkruan se, projekti është mbajtur sekret dhe është hartuar në Emiratet e Bashkuara, por nuk është zbardhur për publikun. Ndoshta edhe ky te restoranti i Nusretit apo në një tjetër të ngjashëm.

Në vitin 2019, zyra e anti-korrupsionit serb me indicie nga ndërkombëtarët, ka hapur një çështje për hetimin e lidhjes së kontratave të lidhura me kompaninë, por dhe të trajtimit të pronës në këtë vend, pavarësisht se aty çdo institucion kontrollohet nga Vuçiç.

Revista Forbes në shkrimin e datës 8 dhjetor 2016 me titull “Shakaja e keqe e Abhu Dabit me Waterfrontin e Beogradit” shkruan se për realizimin e marrëveshjes qeveria u detyrua të shkelte dhe ligjet e veta, madje më pas t’i ndryshonte ato.

Fiks siç po ndodh aktualisht në Shqipëri!

Presidenti i Emaar Group, Muhammed El Alabbar, i njëjti që po ndërton dhe në Beograd, ka marrë përsipër ndërtimin e portit atraktiv të Durrësit dhe 2000 apartamente në këtë qytet. Në dhjetor të vitit 2020, vetëm nëntë ditë pasi parlamenti kishte ratifikuar marrëveshjen vizitoi qytetin e Durrësit. Rama, në takimin me të në 12 dhjetor ka folur dhe për ndërtimin e Durrësit të Ri, që duket se është një projekt i ngjashëm më atë të Waterfrontit në Serbi.

Pretendohet se zoti Mohammed El Alabbar ishte dhe pritësi i delegacionit shqiptar në Dubai, darka e të cilëve në restorantin Nusret, gjatë kohës që këtu ndodhnin përmbytjet bëri xhiron e rrjetit. Një fakt që u pranua dhe nga kryeministri Rama. Pas kthimit në atdhe, Arbian Mazniku, në përpjekje për tu justifikuar zbuloi pa dashje te `Çim Peka live`, se kjo kompani do të investoka miliarda dollarë, edhe në zonën e Tiranës. Gjithçka sekret, sikur të jenë në pronat e trashëguara nga familja!

Por një meny dhe një sekret aq i madh sa që rrezikon shqyerjen e `copave më të majme` të Shqipërisë gjatë gjithë vijës bregdetare, nga Porti i Durrësit deri në Ksamil e Përmet.

Një marrëveshje-menu  e përgatitur duke shkelur ligjet bazë të vendit dhe Kushtetutën, pas të cilës duket qarte se qëndrojnë hije korrupsioni, madje edhe pastrim parash për një mega-aferë që po bëhet me pronën publike, e meriton që të futet pa radhë te SPAK!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

someone15/01/2021 11:40

Ehh sikur e prisja, asnje fjale per Samirin! Pse nuk thoni kush ishte ne krye te tavolines aty? Pse nuk flisni qe qeveria po kalon ne parlament nje ligj qe fal taksat per kompanite qe shfrytezojne minierat? Ju jeni te gjithe ne nje m... te zhytur. Mjere ky popull qe vazhdon te besoje ne perrallat e qeverise dhe te opozites!

Shto koment

Denonco