INVESTIGIMI/ ‘5D Konstruksion’ dhe Ajola Xoxa, skemat e pastrimit të parave

21:49, 08/05/2024
A+ Aa A-

Nga Julian Hoxhaj

Tre janë skemat më të zakonshme që përdoren sot në Shqipëri, por edhe në mbarë Europën, për të pastruar partë.

Skema e menaxhimit të mbetjeve urbane.

Injektimi i parave të pista në sektorin e ndërtimit.

Përdorimi i artit si një mekanizëm për të qarkulluar paratë e krimit dhe korrupsionit.

Që prej nisjes së tij, emisioni Plug ka trajtuar dhjetëra afera duke denoncuar me fakte skemat e përdorura nga zyrtarët e lartë të shtetit, për të vjedhur fondet publike. Sonte, Plug do të tregojë sesi ndërthuren dhe u përdorën mbetjet urbane, sektori i ndërtimit dhe arti kontemporan në bashkinë e Tiranës, për të qarkulluar miliona euro para korrupsioni.

Inceneratori dhe afera ‘5 D’ janë shembulli ekslent i pastrimit të parave në fushën e mbetjeve dhe sektorin e ndërtimit. Por së fundi, një artikull investigativ i gazetarit holandez VINCENT VAN GERVEN OEI, zbulon se pjesë e skemës së pastrimit të parave të Erion Veliajt dyshohet se janë edhe veprat e artit.

Gazetari Holandez, hedh dritë mbi mënyrën sesi bashkëshortja e Erion Veliajt, Ajola Xoxa, pas vitit 2017 , nis pa pritur e pa kujtuar të bëhet edhe kuratore arti, ku veprat që ajo merr përsipër të ekspozojë vendosen ekzaktësisht tek…. landfilli i Sharrës.

Për këtë do të flasim pak më vonë në emision, por fillimisht të shohim rendin e ngjarjeve për të kuptuar sesi pastrohen paratë e korrupsionit me plehrat, ndërtimin dhe inceneratorët.

GJENEZA E AFERËS SË PLEHRAVE

Për këtë, le t`I rikthehemi dhe njëherë emisionit të javës së kaluar, të datës 1 maj, ku treguam sesi Erion Veliaj kishte nisur biznesin e plehrave shumë më herët se dita kur shkeli për herë të parë në zyrën e kryetarit të bashkisë së kryeqytetit.

Le ti shohim faktet me radhë.

Në datën 15 dhjetor të vitit 2015 firmoset aktmarrëveshja e bashkëpunimit midis Bashkisë Tiranë dhe kompanive I.B.Recycling me administrator Fatbardh Meça dhe 3.R shpk, në pronësi të shtetasit Edurim Teqja.

Pak muaj pasi nisi biznesi fitimprurës i riciklimit të mbetjeve, në landfillin e Sharrës regjistrohet  vrasja e Ardit Gjoklatj. Në 7 gusht 2016, gjendet i pajetë trupi i 17-vjeçarit. Sipas dëshmisë së familjarëve, Gjoklaj ishte punësuar në impiantin e seleksionimit të mbetjeve të kompanisë ‘3R’ shpk në Sharrë, me shpresën se do të mblidhte paratë e nevojshme për të blerë librat e shkollës, pa rënduar familjen që mbahej vetëm me rrogën e kryefamiljarit.

Ende pa u mbyllur plaga e tragjedisë së Ardit Gjoklajt, në 22 shkurt 2017 në qendrën kombëtare të biznesit shoqëria MEG Albania me pronar Vladimir Fezgon, regjistron adresën dytësore në Landfillin e Sharrës.

Nga të dhënat e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, rezulton se shoqëria MEG Albania u pajis me leje mjedisi për të kryer riciklimin e mbetjeve urbane në landfilin e Sharrës, vetëm dy muaj pasi kjo kompani kishte nisur punën. Por Vladimir Fezga dhe kompania e tij Meg Albania, që përfituan nga Veliaj kontratën për riciklimin e mbetjeve në Sharrë ishin njohje e mëhershme e tij.

Sipas dokumenteve tashmë të bëra publike Vladimir Fezga ka përfituar nga kompania AMIA Verona një pagesë prej 33.000 eurosh për negociatat me Autoritetet Shqiptare për të zhvilluar biznese në fushën ambientale. Vladimir Fezga është paguar për periudhën nëntor 2013- nëntor 2016.

Në datën 22.06.2016 themelohet kompania ECO Tirana, me aksioner 51% Bashkinë e Tiranës dhe 49% AGSM Holding në pronësi të AMIA Verona. Akti i Themelimit të Eco Tirana firmoset nga Erion Veliaj.

Negociatat e ndjekura nga Vladimir Fezga tashmë rezultuan të suksesshme dhe Autoriteti Shqiptar i cituar në dokumentin zyrtar të AMIA Verona ishte Bashkia Tiranë nën drejtimin e Erion Veliajt. Por kompania me të cilën Erion Veliaj themeloi biznesin e plehrave, AMIA Verona, u akuzua në Itali se ka pastruar para për klanin mafioz, Ndrangheta.

Erion Veliaj është takuar disa herë me kryebashkiakun e Veronës, Flavio Tosi, i cili gjithashtu u akuzua për të njëjtën çështje dhe lidhje. Por, në një nga takimet zyrtare që i akuzuari Tosi zhvilloi me Veliajn, shfaqet edhe Ajola Xoxa.

Pas themelimit të Eco Tirana për administrimin e mbetjeve, me aksioner 51% Bashkinë e Tiranës dhe 49% AGSM Holding në pronësi të AMIA Verona, Erion Veliajt i duhej te themelonte kompaninë që do administronte biznesin e Riciklimit.

Për këtë qëllim, në datën 12.07.2017 themelohet Eco Recycling me aksioner 51% Eco Tirana dhe 49% MEG ALBANIA, në pronësi të Vladimir Fezgës.

Erion Veliaj vendosi kësisoj të shpërblejë Vladimir Fezgën për negociatat e suksesshme me AMIA Verona në lidhje me biznesin e mbetjeve. Tashmë Vladimir Fezga që menaxhonte impiantin e riciklimit në Sharrë pas vrasjes së Ardit Gjokla, do të ishte edhe prestanomi i Veliajt në shoqërinë Eco Recycling.

Në gusht të vitit 2017 firmoset kontrata koncensionare për eskluzivitetin e trajtimit të mbetjeve në Qarkun e Tiranës për 30 vite. Kontrata bëhet efektive në shkurt 2018 dhe Integrated Energy BV SPV merr në dorëzim të gjithë landfillin e sharrës. Në këtë moment, si çdo prestanome Vladimir Fezga bëhet i panevojshëm.

Për këtë arsye Meg Albania mbyll adresën dytësore në sharrë dhe shet aksionet qe zotëronte në kompaninë Eco Recycling. Sipas kontratës së depozituar në QKB në datë 13.02.2018 është vetë Integrated Energy BV SPV, pra kompania e inceneratori të tiranës, që blen aksionet e Meg Albania.

Sipas një dokumenti që bëhet sot publik për herë të parë negociatat për shitjen e aksioneve do të zhvillohen me ndërmjetësimin e Erion Veliaj.

Një vit e gjysmë më vonë, në datën 27 shtator 2019, pranë noteres Anila Gjermeni, kompania Eco Tirana me ortak mazhoritar Bashkinë Tiranë, e shet pjesën e vet të aksioneve të shoqërisë ‘Eco Recycling’ në favor të kompanisë Integrated Energy Bv Spv.

Sipas të dhënave të kontratës, të cilën Plug e disponon eskluzivisht, rezulton se kompania Integrated Energy BV SPV, do duhet t’i paguante kompanisë Eco Tirana shumën prej 410.000  euro.  Edhe për këto aksione kompania Integrated Energy BV SPV njësoj si me kompaninë Meg Albania nuk paguan detyrimet e përcaktuara në kontratë. Por skandali për të cilën do të duhet të përgjigjet Bashkia Tiranë është fakti se kjo kontratë e shit-blerjes së aksioneve, nuk u depozitua kurrë në QKB.

Nga një vëzhgim në Qendrën Kombëtare të Biznesit, rezulton se aktualisht kompania ECO Recycling vazhdon të ketë aksioner me 51 % kompaninë Eco Tirana. Eco Recycling nuk ka depozituar pronarët fundorë dhe për këtë shkak, është me status të pezulluar që prej datës 19 shtator 2022.

INCERATORI i TIRANËS, VRIMA E ZEZË E PARAVE TË VELIAJT

Erion Veliaj u thirr në SPAK tre muaj pas kësaj deklarate që bëri ish-numri dy i qeverisë, Arben Ahmetaj. Në tetë orët e qëndrimit në Prokurori, në media ka rrjedhur informacioni se ndër pyetjet që i janë bërë kryebashkiakut janë ato që lidhen pikërisht me pronësinë dhe paratë e inceneratorëve…

Në morinë e denoncimeve që ‘Plug’ ka kryer për aferën e inceneratorit të Tiranës, programi i datës 14 shkurt 2024, i dedikohej pikërisht skemës së pronësisë dhe dyshimeve se në djegësinë e Tiranës pastrohen para ruse dhe iraniane. Këtë skemë po e risjellim edhe njëherë me fakte.

Në 31 gusht të vitit 2017, midis Ministrisë së Mjedisit si autoritet kontraktor dhe kompanisë Integrated Energy BV SPV, lidhet kontrata e koncesionit me objekt ‘Ndërtimi i landfillit, inceneratorit dhe rehabilitimi i vendepozitimit ekzitues, Tiranë.

Kontrata parashikonte ndërtimin dhe operimin e inceneratorit të Tiranës, i cili do të duhet të kryente djegien e mbetjeve urbane dhe prodhimin e energjisë.

Kompania ‘Integrated Energy BV’ (sot me emrin e ri tregtar ‘Geogenix B.V’) , nga dokumentacioni i administruar rezulton se është themeluar nga 3 aksionerë:

‘Integrated Technology Services’ sh.pk, në pronësi të shtetasit Klodian Zoto.

‘Energy Recuperator S.P.A’ me përfaqësues ligjor shtetasin Ernesto Granelli.

Paul Wurth Italia SPA’, me përfaqësues ligjor shtetasen Thота Balter Hanisminan.

Kjo marrëdhënie bashkëpunimi mes tre kompanive, Paul Ëurth Italia, Energy Recuperator dhe Integrated Technology Services, ishte parashikuar të zgjaste deri në momentin që do të përfitohej kontrata koncensionare e inceneratorit të Tiranës.

Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri kanë përdorur emrin e kompanisë Paul Ëurth Italia, vetëm për të plotësuar formalisht kriteret financiare për të përballuar investimin prej 128 milionë euro.  Dhe kjo vërtetohet me veprimet e mëpasme, ku vetëm katër muaj pasi u lidh marrëveshja mes Ministrisë së Mjedisit dhe Integrated Energy B.V. SPV, me përfaqësues Klodian Zoton, dy kompanitë themeluese u tërhoqën nga shoqëria holandeze Integrated Energy BV, duke ia shitur aksionet, kompanisë Integrated Technology Service të Klodian Zotos.

E njëjta gjë ndodhi edhe me themeluesen tjetër të Integrated Energy BV në Hollandë, kompaninë Energy Recuperator, që  shiti aksionet e saj tek Integrated Technology Services të Klodian Zotos me kontratën e nënshkruar në  12 janar 2018.

Vetëm dy muaj më pas, Klodian Zoto tashmë pronar 100 përqind i aksioneve të kompanisë Integrated Energy BV SPV, i rishet ato.

Në datën 20.03.2018 Integrated Technology Services shet aksionet e saj te shtetasi Giuseppe Ciaffaglione-s. Në kontratë përcaktohet se çmimi i shitjes së aksioneve është 463.000 euro që do të paguhen me këste prej 6.500 eurosh/muaj duke filluar nga prilli i vitit 2018.

Giuseppe Ciaffaglion bëhet pronari më i ri i koncesionit 30-vjecar. Një shtetas Italian, me profesion kaldaist, që zotëronte një kontratë konsulentë me kompaninë e Inceneratorit të Fierit. Nga kjo konsulencë ai do të përfitonte një pagesë 300 mijë euro, ndërsa me angazhimin e ri si administrator i inceneratorit të Tiranës, do të paguhej me 5 mijë euro në muaj.

Thënë më qartë, kompania Koncensionare e Inceneratorit të Tiranës, i shitet me këste punonjësit të vet Giusepe Ciaffaglione, i cili nga kaldaist i Klodian Zotos, bëhet pronar i vetëm i kompanisë koncensionare, që do të duhet të investonte 128 milionë euro kapital të vetin aksionar.

PARATË IRANIANE TEK INCENERATORI

Por Kaldaisti i Klodian Zotos nuk zotëronte as në ëndrra 128 milionë euro dhe si pronar i vetëm i kompanisë koncensionare do t`i duheshin patjetër bashkëpunëtorë, të gatshëm të fusnin në lojë para të dyshimta.

Në 10 maj të vitit 2022 Giuseppe Ciaffaglione shet 40% të aksioneve tek kompania Franco Tosi Meccanica spa dhe 40% tek Icare Holding s.a. Të dyja kompanitë i kanë blerë këto aksione në vlerën 312.000 euro secila dhe kjo shumë do të duhej të paguhej brenda datës 30 nëntor të vitit 2023. Por as këto pagesa nuk u  kryen kurrë.

Këto kompani do t’i përfitonin aksionet me kushtin që secila  të garantojë financimin e projektit të inceneratorit të Tiranës dhe minimalisht 60.000.000 euro nga financimi i borxhit të jetnë kaluar në llogari të  Kompanisë. Nëse ky kusht nuk plotësohej, atëherë kompanitë do të duhej t’I kthenin aksionet pa kosto tek shitësi i tyre, pra Giuseppe Ciafagglione.

Aktualisht, kompania Geogenix BV, ka si aksioner të saj, kompanite Icare Holding me 40% të aksioneve, Hydros SRL me 0.01% të aksioneve, Franco Tosi Mecanica me 40% të aksioneve dhe Giuseppe Ciaffaglione me 19.9 % të aksioneve.

Por cilët janë këta aksionerë të rinj të Geogenix?

Kompania ‘Franco Tosi Mecanica’, është në pronësi të shtetasit Alberto Presezzi. Ky i fundit rezulton se është një nga aksionerët kryesor të kompanisë ‘Geogenix’, ish -Integrated Energy BV. Sipas të dhënave nga qendra kombëtare e biznesit, Presezzi është pronar përfitues me 40%.

Mirëpo, një mik dhe bashkëpunëtor i afërt i Alberto Presezzit, Gabriele Tarroni Longinoti, në deklaratën e dhënë për emisionin ‘Piranjat’ një vit më pare dhe përforcuar së fundmi edhe për emisionin ‘Kronos’, ka treguar të dhëna të rëndësishme për Alberto Presezzin. Sipas Gabriele Tarronit, në zyrën e Presezzit kanë ardhur shpesh politikanë shqiptarë, ndërsa ai vetë, ka qenë i pranishëm në dy takime që Presezzi ka zhvilluar në Tiranë me kryebashkiakun Erion Veliaj.

Sinkron longinoti

Madje, biznesmeni Italian, që sot ndodhet në Dubai, tregon se ish-shoferi i tij Miliad Lopa, i kishte treguar se midis viteve 2017-2018, kishte udhëtuar drejt Teheranit me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, për disa takime të rëndësishme.

Kjo dëshmi nuk u mor kurrë nga SPAK, madje, SPAK deri më sot nuk e ka pyetur kurrë Gabriele Tarronin Longinotin për deklaratat e tij, që lidhin Erion Veliajn dhe Alberto Presezzin me Iranin… Tarroni është dëshmitari i munguar i SPAK…

Mirëpo, teksa SPAK ka heshtur përballë këtyre deklaratave, deri më tani është e faktuar, se Alberto Presezzi, që është takuar disa herë me Erion Veliajn, ka një bashkëpunim të ngushtë me kompaninë shtetërore iraniane të energjisë, Mapna Group.

Në vitin 2015, Alberto Presezzi dhe kreu i kompanisë Mapna group, Abbas Aliabadi, kanë themeluar kompaninë ‘Tuga Franco Tosi Mecanica’. Madje emisioni Plug, sjell për herë të parë dokumente që tregojnë se si kompania e Alberto Presezzit dhe Mapna, kanë zbatuar disa projekte të përbashkëta gjatë viteve të fundit në fushën e energjisë dhe jo vetëm.

Kjo e dhënë, tregon lidhjen e inceneratorit të Tiranës me regjimin e Teheranit, pikërisht nëpërmjet kompanisë Franco Tosi Mecanica. Madje, Alberto Presezzi, ortaku i kompanisë shtetërore iraniane të energjisë, ka pasur dhe një takim në vitin 2017 me kryeministrin Edi Rama. Ky i fundit, sipas axhendës  së 30 janarit 2017, të kthtyer në pikturë, ka pasur takim pasdite me Alberto Presezzin, Miliad Lopën dhe një tjetër person, të shoqëruar nga Erion Braçe.

PARATE RUSE TEK INCENERATORI

Veç kompanisë Franco Tosi Mecanica, që sapo e analizuam, 40% të aksioneve, i disponon edhe kompania zvicerane Icare Holding SA në pronësi të shtetasit Max Abitbol.  Pasi u bë pjesë e pronësisë së kompanisë ‘Geogenix’ ish-kompanisë Integrated Energy BV, kompania Icare Holding SA, hapi filialin e saj në Shqipëri. Në datën 4 tetor 2022 themelohet kompania ICARE Energji ndërsa në QKB, regjistrohet në datën 7 tetor 2022.

Sipas të dhënave të ekstraktit historik, nxjerr nga Qendra Kombëtare e Biznesit, ICARE Energji ka të emëruar si administratore shtetasen Marigona Metaj.

Kompania drejtohet nga një këshill administrativ i përbërë nga Max Abitbol, Joel Jacques Jean Chevallaz dhe shtetasi Blerim Hoxha.

Po kush është Blerim Hoxha? Çfarë e lidh atë me inceneratorin? Kush janë njerëzit që ai bashkëpunon dhe kompanitë me të cilat shfaqet jo vetëm tek incneratori i Tiranës?

Le të flasim më gjatë për këtë personazh, që u zbulua dhe denoncua për publikun e gjerë nga ish-numri dy i qeverisë Rama, Arben Ahmetaj.

Emri i Blerim Hoxhës nuk është i panjohur në Shqipëri gjatë qeverisë socialiste.  Blerim Hoxha është një shtetas nga Kosova, ish-zotërues i komapnisë Tosk Energy, e cila për disa vjet shfrytëzoi Rafinerinë e Naftës në Ballsh, një tjetër histori aferash dhe dështimi të qeverisë Rama, kallëzuar në Prokurori nga Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani.

Blerim Hoxha shfaqet në biznesin e hidrokarbureve në Shqipëri në vitin 2015. Ai themelon kompaninë ‘Tosk Energji’ në qershor të vitit 2015.

Në 26 maj të vitit 2016, Blerim Hoxha ia shet aksionet kompanisë Zvicerane CDF LONSEILS SARL me përfaqësues ligjor dhe pronar shetasin Francez CHRISTOPHE DARBORD. Ky i fundit në vitin 2015 ishte emëruar si administrator i kompanisë ARMO sh.a.

Teksa Blerim Hoxha dhe Christope Darboard kryenin këto lëvizje, në Shqipëri kishte nisur kalvari i dhënies me qera të Rafinerisë së Naftës në Ballsh. Pikërisht në vitin 2016, rafineria merret me qera nga kompania IRTC SHA e regjistruar në Virgin Islands në administrim të familjarëve të biznesmenit Besnik Sulaj.

Por pasi IRTC nuk arriti të paguante kredinë me të cilën ishte financuar ky operacion, rafineria e Ballshit iu kthye sërish bankës. Në shkurt të 2018, kjo kompani arriti një marrëveshje me shoqëritë Bylis dhe Tosk Energji, dhe ato punuan në Ballsh deri në 17 shtator 2019. Por le të ndalemi pak këtu.

Christope Darbord dhe Blerim Hoxha ishin pas të dyja kompanive, Byllis Energji dhe Tosk Energji, por ata vetë nuk kishin fonde për të rivënë në punë rafinerinë e naftës në ballsh. Ndaj, më herët, kishin siguruar financime nga kompani në pronësi të një oligarku rus i futur në listën e zezë nga presidenti Barak Obama.

Në tetor të vitit 2016 kompanitë TOSK ENERGJI e Blerim Hoxhës, CDF LONSEEILS SARL dhe SKYSEA B.V e registruar në Hollandë, lidhin një kontratë pengu, ku në marrëveshje, kompania SKYSEA B.V citohet dhe si GUNVOR dhe është Pengmarrësi.

Sipas marreveshjes kompania GUNVOR  në pronësi të oligarkut rus, Gennady Timchenko, do t’i japë kompanisë TOSK ENERGJI, 13.000.000 EURO borxh. Një muaj para kësaj kontrate Pengu, kishin ndodhur disa ndryshime në këshillin e administrimit të kompanisë, ku shtohej Christophe Darbord, Hoang Gia Mai (shtetas zviceran drejtor i GUNVOR).

Gjithashtu, administrator i kompanisë caktohet Blerim Hoxha, i cili kishte vetëm pak kohë që kishte shitur aksionet e kompanisë për Christophe Darbord. Po në tetor të vitit 2016, nga Drejtoria e Pastrimit të parave bllokohet shuma 13 milion euro pasi kompania Gunvor ishte në listën e zezë të SHBA-së. Mirëpo ky transaksion do të lejohej të kryhej pak kohë më vonë pas një marifeti me regjistrimin e kompanisë SKYSEA regjistruar në Hollandë nga një studio ligjore shqiptare.

Në gusht të vitit 2017 lidhet një marrëveshje e re huaje mes TOSK ENERGJI, CDF LONSEILS SARL dhe GUNVOR SA që do të rinovohej vazhdimisht.

Në vitin 2019 autorizohet shtetasja Marigona Metaj, po punonjëse e kompanisë ICARE HOLDING s.a, të kryente veprimet bankare.

Por kush është  Christophe Darbord?

Christophe Darbord u emërua në krye të ARMO-s në datën 26 shkurt të vitit 2015 dhe është ky emri që lidh të gjitha kompanitë, që morën rafinerinë e naftës në ballsh që nga fillimi në vitin 2015 deri në shkatërrimin e saj.

Mirëpo, Christophe Darbord, është dhe drejtori i përgjithshëm i kompanisë aksionere e Inceneratorit të Tiranës, ICARE Holding S.a. 

ICARE është një kompani e regjistruar në Zvicër dhe punonjës të saj të faktuar tashmë janë Christophe Darbord, Blerim Hoxha dhe Marigona Metaj. Kjo e fundit ka qenë dhe në shqipëri ku ka vizituar nga afër ambientet e inceneratorit.

Nga analiza e detajuar, këto kompani që janë të regjistruara sa në Zvicër e në Hollandë kanë lidhje financimi nga GUNVOR SA një kompani ruse e futur në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga ish-presidenti Obama. Icare sipas dokumentave që disponojmë është kompania që do të siguronte fondet 100.000.000 euro për të financuar Inceneratorin nëpërmjet një kompanie Amerikane ETHOS ASSETS MANAGEMENT e më pas këto para do të përfundonin në një tjetër kompani në pronësi të ICARE e regjistruar në Dubai, LITËIN SA.

Por si lidhen kompanitë Icare dhe Franco Tossi.

Deri tani kemi treguar në mënyrë kronologjike se këto dy kompani kanë patur herët mardhënie biznesi në Shqipëri dhe në sektorë shumë strategjik, që nuk mund të realizoheshin assesi pa bekimin e qeverisë.

Në vitin 2018 , Blerim Hoxha ka postuar në rrjetin e tij social Facebook një foto nga rafineria në Ballsh. Në foton që emisioni ‘Plug’ e ka publikuar ekskluzivisht, Blerim Hoxha shfaqet me Christophe Darbord dhe një shtetas të huaj të paidentifikuar nga ne, ndërsa ajo që bie në sy është fakti se në foto janë katër flamuj, ai Shqiptar, Zviceran, Kosovar dhe flamuri Iranian.

Nëse 3 flamujt e parë kanë një llogjikë pasi lidhen me origjinën e njërzve në foto dhe vendin ku bëhët ajo fotografi, flamuri i katërt, ai Iranian, mbetet të lidhet me deduksion vetëm me shtetasin e 3të të paidentifikuar nga ne.

Pra kjo foto është dëshmia sesi bashkohen paratë ruse dhe ato iraniane, të cilat dyshohet se veç hidrokarbureve do të financionin dhe biznesin e inceneratorëve në Shqipëri. Këto të dhëna, tregojnë se këta persona ishin në Shqipëri fill pasi socialistët morën pushtetin, duke investuar apo shfrytëzuar sektorë strategjikë të ekonomisë së vendit.

Kjo foto ku valëvitet flamuri Iranian po ku ne hije mbetet dhe flamuri rus, lidhjet me të cilin i shpjeguam më sipër, nuk është thjeshtë epitafi i incenaratorit të Tiranës.

PASTRIMI i PARAVE NË NDËRTIM, ‘5 D’ KRYE AFERA

Skema tjetër e pastrimit të parave është ajo e ndërtimit. Sikur të mos mjaftojë betonizimi i Tiranës nga kulla e ndërtime të panumërta nën dyshimin e pastrimit të parave të krimit, në kryeqytet Erion Veliaj i hapi rrugë edhe pastrimit të parave të korrupsionit.

Në emisionin ‘Plug’ të datës 6 mars ne ekspozuam lidhjet familjare të drejtorëve të bashkisë me kompaninë ‘5 D Konstruksion’. Në program u zbardh skema e pronësisë së kësaj kompanie, të cilat po i rikthejmë dhe njëherë në vëmendjen e publikut.

Mariglen Qato, përdori shokun e tij Eduard Meta për të regjistruar kompaninë në 21 janar të vitit 2016. Në vitin 2017, Eduard Meta i shiti 75% të aksioneve Muhamet Petritit, me profesion bukpjekës, i cili rezultoi të ishte vjehrri i vëllait të Mariglen Qatos, Alfred Qato.

Muhamet Petriti, pasi bleu të gjitha aksionet nga shoku i Mariglen Qatos në vitin 2018, emëroi administrator të kompanisë Nestor Muhametllarin, lidhje shoqërore e Redi Mollës. Në vitin 2021, Muhamet Petriti ia shet kompaninë vartësit të tij, Nestor Muhametllarit për një vlerë qesharake 1 mijë euro.

Duke zbardhur aktivitetin ekonomik, Plug tregoi se shoqëria ‘5 D Konstruksion’ fitoi 45 tendera publikë nga viti 2016 e deri më sot, me vlerë rreth 30 milionë euro, shumicën prej të cilëve ia dha bashkia e Tiranës, Ujësjellës Kanalizime Tiranë, Autoriteti Rrugor Shqiptar, OSHE etj.

Veç tenderave, plug denoncoi edhe lejet e ndërtimit që përfitoi 5 D Konstruksion.

Në datën 11 mars të vitit 2021, kompania ‘5 D Konstruksion’, fillon punimet bazuar në lejen e ndërtimit të dhënë nga Erion Veliaj. Bëhet fjalë për ndërtimin në rrugën ‘Joklin Persi’, në Yzberisht, ku sipas të dhënave, ‘5 D Konstruksion’, ka ndërtuar një godinë banimi dhe shërbimi 8 dhe 9 kate, me dy kate parkim nën tokë.

Në datën 14 prill 2022, Veliaj firmos lejen e radhës, këtë herë në Kinostudio, për ndërtimin e një tjetër godine banimi dhe shërbimi 7 dhe 8 kate me 2 kate parkim nën tokë.

Lejen e tretë të ndërtimit, ‘5 D Konstruksion’, Veliaj ua firmosi vetëm pak javë pas zgjedhjeve lokale të 14 majit të vitit 2023.

Në datën 14 qershor të vitit 2023, shoqëria ‘5 D Konstruksion’ fillon punimet në rrugën ‘Zenel Bastari’, për projektin e ndërtimit të një godine banimi dhe shërbimi 4 dhe 9 kate me 2 kate të tjera banimi nën tokë.

Pra nga faktet, dokumentet autentike dhe të dhënat e verifikueshme dëshmuam sesi menaxhimi i mbetjeve urbane dhe ndërtimi ishin dy sektorët e përzgjedhur nga Bashkia e Tiranës për pastrimin e parave me burim korrupsioni dhe aktivitetesh të dyshimta brenda e jashtë vendit. Por nuk mjaftonin dhe fantazia duhej vënë sërish në punë.

PASTRIMI i PARAVE DHE NË ART NGA AJOLA XOXA

Deri më sot, kemi faktuar sesi nga bashkia e Tiranës u ndërtuan dy skema për pastrimin e parave, ajo e mbetjeve dhe skema ‘5d konstruksion’. Sot, do t`ju tregojmë edhe skemën e tretë, përdorimin e artit për të pastruar paratë.

Gazetari holandez Vincent Van Gerven, ka publikuar një artikull investigativ, që tregon implikimin e bashkëshortes së kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, Ajola Xoxa në skema të tilla.

Në shkrimin me titull: ‘Si pastrohen paratë përmes artit dhe konçensioneve të menaxhimit të mbetjeve’, publikuar në ‘The Albanian Mechanism’, gazetari Holandez zbërthen fijet e financimit të Ajola Xoxës nga kompania inceneratorit të Sharrës.

Artikulli tregon se në korrik të vitit 2021 në landfillin e Sharrës platforma e artit kontemporan ‘Harabel’, vendosi për ekspozim një skulpturë të artistit Kosovar Sislej Xhafa, e titulluar ‘Bleta’. Sipas gazetarit, kjo skulpturë supozohej se do të ishte e para nga një seri veprash arti që do të transformonin këtë landfill në një park skulpture të artit bashkëkohor.

Ja si e përshkruan gazetari holandez platformën e Ajola Xoxës

‘Harabel’ është një fondacion jofitimprurës që ‘përqendrohet në promovimin e artit bashkëkohor’ i themeluar në vitin 2018 nga artisti Driant Zeneli dhe ‘promotorja kulturore’ Ajola Xoxa, një juriste e specializuar në ligjin e energjisë, e cila ndodh të jetë edhe bashkëshortja e kryebashkiakut Veliaj. Menjëherë pas themelimit të saj, Harabel filloi një sërë projektesh të profilit të lartë të artit publik, duke shfaqur artistë të njohur ndërkombëtarisht si Anri Sala (gjithashtu në bordin e Harabel), Adrian Paci dhe Xhafa. Me skenën e artit bashkëkohor në Tiranë që po lufton si në aspektin e financimit ashtu edhe në hapësirë, dhe duke pasur parasysh që as Zeneli, asokohe një emigrant, as Xoxa nuk ishin të rrënjosur fort në atë skenë, ngritja meteorike e Harabel ishte e jashtëzakonshme.

Në ëebsajtin aktual të ‘Harabel’, Xoxa e liston veten si ‘bashkëthemeluese’ dhe ‘drejtoreshë kreative’. Ajo është gjithashtu themeluese e Galerisë NAAN dhe Galerisë GurGur, ku ‘Harabel’ ka organizuar ekspozita.

Adresa zyrtare e ‘Harabelit’ në Sky Tower, në zemër të zonës së shtrenjtë të Bllokut të Tiranës, është në të njëjtën ndërtesë me kompaninë ‘The Partners’ të Ajola Xoxës.

Ish-drejtori i programit të Harabelit dhe koordinatori aktual ligjor, Xhoi Skënderasi, gjithashtu mban një vend në bordin e Kompanisë botuese të Xoxës, ‘Botimet Enciklopedike’.

Me fjalë të tjera, ‘Harabel’ është shumë i lidhur me interesat e biznesit të Xoxës.

Por si financohet kjo organizatë jofitimprurëse? Dhe si e arrin aksesin në parcelat kryesore të tokës për projektet e saj të artit publik? Përgjigjet jepen në një tjetër paragraf të artikullit investigativ të gazetarit holandez, i cili shkruan:

Një dokument i publikuar së fundmi ofron një nga pjesët e munguara të enigmës. Kontrata parashikon që Xhafa do t'i ‘dhurojë’ Harabelit veprën e tij ‘Bleta’ dhe një kompani e quajtur ‘Integrated Energy BV SPV’ do të instalojë dhe mirëmbajë veprën në pronën e saj për të paktën pesë vjet në emër të ‘Harabelit’ dhe artistit. Ndërsa ky dokument shterron pyetjen se si ‘Harabel’ i strukturon projektet e tij të artit publik, ky strukturim i veçantë ligjor ngre një sërë pyetjesh të tjera, më e dukshmja ndër to: Pse Integrated Energy BV SPV, një kompani private e krijuar për ‘menaxhimin, administrimin dhe realizimin të punimeve për ndërtimin e Zonës së Trajtimit të Mbetjeve Tiranë’, do të sigurojë pronën dhe mbështetje pa pagesë për krijimin e një parku skulpturash në periferi të Tiranës?

Gazetari e mbyll artikullin e tij duke ngritur pyetje retorike, në lidhje me interesin që kishte Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri për të financuar artin konteporan të Ajola Xoxës. Ai i jep përgjigje kësaj pyetje duke u shprehur se finacimi ka motive të fshehta.

Pra, nuk do të ishte e paarsyeshme të mendohej se edhe sponsorizimi i tyre për eventet artistike të Harabelit ka motive të fshehta, vetëm një ndër episode në një shkëmbim të ndërsjelltë favoresh mes bashkisë së Veliajt dhe biznesmenëve. Ndaj, ndoshta, pasi kemi paraqitur një rrëfim faktik, mund të përfundojmë me një spekulim të shkurtër: Siç dëshmohet nga dosja e Ahmetaj, Integrated Energy BV SPV iu dha koncesioni i Sharrës falë nismës dhe mbështetjes së kryebashkiakut Veliaj, bashkia e të cilit është gjithashtu përgjegjëse për pagesat për Integrated Energy BV SPV për një periudhë 30 vjeçare. Në këmbim, kompania bëri gjestin e vogël të mbështetjes së karrierës së sapolindur kuratoriale të gruas së kryebashkiakut duke sponsorizuar një park skulpture në landfillin që menaxhon.

Gjithashtu, gazetari e cilëson këtë veprim të artitistit Sislej Xhafa si artshpëlarje të një koncensioni të menaxhuar  në tokë të larë me gjak dhe në kurriz të qytetarëve të Tiranës.

Në të gjithë këtë, artisti Sislej Xhafa, i cili kishte zgjedhur në mënyrë spontane vendin ‘pa asnjë sugjerim paraprak’, siguronte një fasadë respekti, ndërsa në praktikë lehtësoi artshpëlarjen e një koncesioni të menaxhuar në tokë të larë me gjak dhe në kurriz të qytetarëve të Tiranës, të cilët tashmë po përballen me një rritje të madhe të kostove të grumbullimit të mbetjeve. Në fund të fundit, paratë që qarkulluan nëpërmjet ‘fondacionit jofitimprurës’ të Xoxës, Harabel dhe hapësirave të saj të galerisë janë të papërfillshme brenda peizazhit më të gjerë të shpronësimeve, privatizimeve dhe koncesioneve shqiptare. Por parimi që del prej kësaj është padyshim trajta e modus operandit të qeverisë, e cila që në fillimet e saj ka përvetësuar në mënyrë aktive disa forma të natyrës kulturore për t'i shërbyer nevojave të saj propagandistike, duke shpërqendruar vëmendjen e publikut në punën e saj të brendshme.

Për këtë investigim, gazetari Holandez ka kërkuar deklaratë nga emrat e përmendur në artikull, por sipas tij askush nuk ka denjuar të përgjigjet. Megjithatë, në 3 korrik të vitit 2021, profili në rrjetin social istagram i ‘Harabelit’, reagonte duke pretenduar se nuk ka pasur kurrë marrëdhënie financiare mes kësaj shoqate dhe kompanisë së  inceneratorit të Tiranës.

Pas spekulimeve krejtësisht të rreme të bëra ndaj Sislej dhe/ose Harabel, ne ndjejmë për detyrë të themi se nuk ka ekzistuar asnjëherë një lidhje financiare midis Integrated Energy ose me ndonjë kompani tjetër që menaxhon ose zotëron Zonën e Trajtimit të Mbetjeve dhe Sislej ose Harabel.  KURRË!!!  Siç mund ta shohë çdokush, vepra artistike u prodhua duke përdorur një dritare të vjetër.  Edhe rrjeta e përdorur për dritaren e veprave artistike është instaluar nga vetë artisti.  SIÇ ËSHTË QARTË DUKE PARAQITUR, VEPRIMI i ARTIT KA NJË KOST TË PRODHIMIT TË BARAZË ME ZERO.

Por, sot emisioni PLUG publikon një kontratë, e cila tregon marrëdhënien mes Harabelit të Ajola Xoxës dhe kompanisë së inceneratorëve. Për të kamufluar dhe shmangur marrëdhënien direkte me Ajola Xoxën, Integrated Energy Bv.Spv ka nënshkruar një kontratë bashkëpunimi me artistin Sislej Xhafa. Por siç i thonë, detajet fshihen nën rreshta, aty ku zbulohet se pavarësisht se vepra është e artistit kosovar, pronare direkte për këtë vepër është ‘Harabeli’.  i Ajola Xoxës.

Me mbarimin e afatit të kësaj marrëveshje dhe ose në rast mosmarrëveshje, vepra publike do të t`i rikthehet gjithmonë dhe në mënyrë të përhershme HARABEL, i cili ushtron të drejtën e pronësisë mbi sendin.

Një tjetër detaj, që tregon se vepra është në pronësi të Harabel është pika. 3.6 e kontratës, e cila tregon se Ajola Xoxa ka gjithë të drejtën për të riprodhuar veprën në rast të dëmtimeve.

Në lidhje me dëmtimet potenciale për shkak të forcës madhore, rënies së zjarrit, si dhe çdo dëmtimi që mund të pësojë vepra, HARABEL, merr përsipër të riprodhojë veprën ‘BLETA’ dhe ta ekspozojë në hapësirën e përcaktuar në këtë marrëveshje ose në një hapësirë tjetër që e sheh të arsyeshme. Të drejtën ekskluzive për riprodhimin e veprës e ka vetëm HARABEL, duke përjashtuar kështu edhe Artistin, shoqërinë apo persona të tjerë.

Marrëdhënia financiare mes Ajola Xoxës nëpërmjet ‘HARABELIT’ dhe shoqërisë Integrated Energy Bv.SPV, është gjithashtu evidente po në këtë kontratë. Në përcaktimet kontraktuale për mirëmbajtjen e veprës Bleta, përcaktohet qartë se të gjitha kostot do të mbulohen nga kompania e inceneratorit.

Shoqëria Integrated Energy BV SPV merr përsipër të mirëmbajë veprën publike objekt të kësaj Marrëveshje, dhe në mënyrë eksplicite të kryejë: pastrimin nga pluhurat, papastërtitë e ambientit, mirëmbajtjen e vazhdueshme të gjelbërimit përreth saj duke treguar kujdesin e duhur për mbarëvajtjen si dhe çdo veprim tjetër të zakonshëm që lidhet vetëm me qëllimin e sipërpërmendur.

Por historia europiane e njeh mirë skemën sesi disa copëza të artit modern, në galeri luksoze a oborre të ‘përzgjedhur’ enkas, kryejnë ekzaktësisht atë qëllim për të cilin janë konceptuar nga ‘kuratorët’ e ‘promotorët’, pastrimin e parave. Dhe indiciet për të ‘fluturuar’ drejt folesë së ‘Harabelit’ e të ngjashmëve janë të forta po aq sa betoni pa kriter e kutërbojnë po aq rëndë sa mbetjet e pamenaxhuara të kryeqytetit.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco