Nga Çim Peka - 16:27, 04/03/2026
Në kohën kur një zyrtar amerikan po i bënte thirrje Europës që të mbështeste luftën e nisur kundër regjimit iranian, thjesht me qëndrime publike, pa asnjë angazhim konkret financiar apo ushtarak, qielli ishte hapur për vendet pro-amerikane si Shqipëria dhe Kosova.
Ky ishte momenti i duhur për t'u shfaqur në skenën e madhe globale si përkrahës të një lufte, e cila ka ngjallur shumë reagime, por që nuk e ka vendosur Perëndimin në një front të përbashkët plotësisht.
E megjithatë, ndërsa bota po zien si kurrë më parë gjatë dekadave të fundit, në Prishtinë u shfaqën disa grafiti jo vetëm të turpshëm, por edhe të frikshëm.
Aty shfaqeshin presidenti amerikan, Donald Trump dhe homologia kosovare, Vjosa Osmani së bashku, ndërsa shkruhej: bashkë në gjenocid.
Autorët e këtyre grafitëve janë të panjohur, por nga mënyra e realizimit mund të spekulosh se kush qëndron pas tyre.
Së pari, ato janë stili jo vetëm viziv i aktivistëve të Vetëvendosjes.

Së dyti, në grafiti shfaqet momenti historik kur Vjosa Osmani nënshkroi me presidentin Trump për themelimin e Bordit të Paqes në Davos.
Ato pamje që bënë historinë ishin në fakt momenti i një krisje të madhe mes Osmanit dhe Albin Kurtit.
Vjosa Osmani do shfaqej sërish edhe në Uashington në krah të Trump dhe më vonë me drejtuesit më të lartë të Amerikës.
Në politikë ka një term që njihet si 'fishkëllima e qenit' kur disa mesazhe jepen indirekt për ndjekësit që të hidhen në sulm.
A ka ndodhur kështu me ndjekësit e VV nëse janë ata që po hedhin grafite të tilla në kryeqytetin e Kosovës?
Kjo nuk mund të thuhet me saktësi, por një gjë është e sigurt: mesazhe të tilla i bëjnë shumë dëm Kosovës në këto momente të rëndësishme në politikën botërore.
Një gazetë izraelite shkruante se Alex Soros është përfshirë në skandal pasi ka shpërndarë një postim të një gazetari pro-iranian edhe pse postimi nuk lidhej direkt me qëndrimet anti-izraelite.
Tani kur çdo gjë, sado e imët, shihet me lupë në dorë, grafiti të tilla vetëm përforcojnë tezat e armiqve të Kosovës si një vend pro regjimit teokratik iranian.
A nuk është kjo një strategji e vjetër e Beogradit kundër Kosovës?
Vërtet mund të mos i japësh votat për Vjosa Osmanin, vërtet Kurti mund të mos jetë mirënjohës për mbështetjen e saj politike dhe votat që ajo ka çuar deri vonë në hambarin e VV, vërtet mund të jetë duke menduar të përlyejë edhe mbiemrin e Jasharëve në këtë histori kalkulimesh të ulëta politike, por dëmi që i bëhet Kosovës në një kohë kaq delikate mund të jetë më i rëndë.
Ndoshta 'qentë' e kanë keqinterpretuar fishkëllimën, ndoshta e kanë lexuar siç duhet, kjo mund të debatohet.
Por ata duhen ndalur!
Kosova është më e rëndësishme se çdo fat politik.
© SYRI.net