Për liderin global e lehtë të përfytyrojë një krizë , se sa të flas për një skandal që i heton SPAK-u

Për liderin global e lehtë të përfytyrojë një krizë , se sa të flas për një skandal që i heton SPAK-u

Nga Ndriçim Kulla - 04/03/2026

Në teatrin e përhershëm të krizave, ku historia luan me nervat e kombeve dhe liderët përpiqen të gjejnë një justifikim metafizik për dështimet e tyre tokësore, shpërthimi i një lufte të re në Lindjen e Mesme , qoftë ajo mes Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Izraeli dhe Irani – nuk mbetet thjesht një zhvillim gjeopolitik me pasoja energjetike dhe ushtarake, por shndërrohet në një alibi të artë për liderë periferikë që e kanë ndërtuar pushtetin mbi mjegullën, mbi zgjatjen artificiale të kohës dhe mbi manipulimin e ankthit kolektiv; dhe në këtë skenografi të re të frikës globale, figura e Edi Rama duket se kërkon të projektojë një hije shpëtimtare, një perde tymi, një dritë projektori që të mos bjerë më mbi dosjet, mbi akuzat, mbi zvarritjen e pafund të çështjeve që rëndojnë mbi ndërgjegjen publike.

Sepse përballë një presioni të brendshëm që lidhet me zvarritjen e çështjes së imunitetit të Belinda Balluku – një çështje që ka marrë përmasat e një simboli mbi raportin mes pushtetit dhe drejtësisë , lideri global i vetëshpallur duket se e ka kuptuar instinktivisht se krizat ndërkombëtare nuk janë vetëm kërcënime, por edhe mundësi; dhe në këtë logjikë cinike, lufta bëhet jo tragjedi për botën, por instrument për menaxhimin e vëmendjes, për zhvendosjen e boshtit të debatit, për ta çuar diskursin nga korrupsioni dhe përgjegjësia drejt pasigurive energjetike, çmimeve të naftës, tensioneve rajonale dhe retorikës së “përgatitjes për kohë të vështira”.

Ai u thotë shqiptarëve të përgatiten për krizë, por kriza për të nuk është ajo që mund të vijë nga tregjet apo nga furnizimet globale; kriza e tij reale është ajo e besueshmërisë, e legjitimitetit moral, e rrethimit të ngushtuar politik ku çdo hetim, çdo kërkesë për llogaridhënie, çdo akt i drejtësisë që afrohet si një hije mbi horizont, e ngushton më tej hapësirën e manovrës; dhe në këtë cikël që e ka krijuar vetë , cikël korrupsioni, arrogance, kapje institucionesh dhe mitologji personale , çdo shpërthim i jashtëm duket si një pikë mjalti ku ai mund të sillet përreth, duke shpresuar se ëmbëlsia e frikës kolektive do ta zbusë shijen e hidhur të përgjegjësisë.

Sepse është më e lehtë të flasësh për një botë që digjet sesa për një kontratë që heton SPAK-u; është më e lehtë të paralajmërosh për valë inflacioni që vijnë nga Lindja e Mesme sesa të përgjigjesh për koncesione, tenderë, afera energjetike dhe lidhje të dyshimta; është më e lehtë të pozosh si burrë shteti në një skenë globale të përflakur sesa të përballesh me pyetjen e thjeshtë: pse drejtësia zvarritet kur bëhet fjalë për rrethin tënd më të afërt?

Në këtë kuptim, lufta nuk është thjesht një ngjarje; ajo është një histori dhe një sfond dramatik ku lideri përpiqet të rikompozojë figurën e tij, të vishet me seriozitetin e krizës, të krijojë përshtypjen e një kapiteni që drejton anijen në stuhi, ndërkohë që stuhia e vërtetë është ajo që ai vetë ka mbjellë në portin e brendshëm të shtetit: erozioni i institucioneve, lodhja e shoqërisë, normalizimin i skandaleve.

Dhe pikërisht këtu qëndron paradoksi: ai që për vite ka ndërtuar pushtetin mbi spektaklin, mbi batutën, mbi teatralitetin dhe mbi një formë të sofistikuar propagande vizuale, sot kërkon të shfaqet si figurë e matur, si paralajmërues i rreziqeve globale, si zë përgjegjësie në një kohë trazirash, por kjo transparencë e papritur, kjo dalje nga errësira e zakonshme ku vendimet merren pa llogaridhënie të plotë, nuk është akt pendese, por strategji, nuk është ndonjë kthesë morale, por lëvizje taktike në një lojë të gjatë mbijetese.

Në thelb, përpjekja për të gjetur “ikje” në krizat globale është përpjekje për ta relativizuar krizën e brendshme. Nëse bota është në zjarr, atëherë çdo akuzë lokale duket e vogël; nëse rajoni është në ankth, atëherë çdo hetim mund të paraqitet si destabilizues; nëse ekonomia globale lëkundet, atëherë çdo dështim i brendshëm mund të justifikohet si efekt zinxhir; dhe kështu, përgjegjësia individuale tretet në mjegullën e përgjithshme të fatit historik.

Por historia nuk është aq naive sa propaganda e tij.Ajo i dallon momentet kur liderët përdorin tragjeditë e mëdha për të mbuluar gabimet e vogla që janë bërë krime të mëdha; ajo e di se krizat globale nuk i krijojnë aferat lokale, por vetëm i ekspozojnë më qartë mekanizmat e pushtetit që janë mësuar të operojnë pa frikë; dhe në fund, asnjë luftë në Lindjen e Mesme nuk mund të zhbëjë kontratat e nënshkruara në Tiranë, asnjë tension ndërkombëtar nuk mund të fshijë përgjegjësinë për vendime që kanë pasur pasoja konkrete mbi pasurinë publike.

Kështu, ndërsa lideri global u flet shqiptarëve për përgatitje, për kursim, për vigjilencë, ai në të vërtetë flet për veten: për nevojën e tij për kohë, për nevojën e tij për shpërqendrim, për nevojën e tij për një horizont më të madh ku hija e hetimeve të duket më e vogël  dhe ky është ndoshta momenti më ironik i gjithë kësaj drame , sepse kriza që ai përpiqet të instrumentalizojë mund të kthehet në pasqyrë, duke e detyruar shoqërinë të pyesë jo vetëm për luftën e largët, por për paqen e munguar me drejtësinë brenda vendit.

Sepse në fund, asnjë lider nuk shpëton nga cikli që krijon vetë; dhe nëse cikli është ngritur mbi korrupsion, manipulim dhe frikë, atëherë çdo krizë e re, sado e largët të duket, nuk është shpëtim, por vetëm një kapitull tjetër në rrëfimin e një pushteti që përpiqet të mbijetojë duke e zgjatur hijen e botës mbi fajet e veta.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco