Nga Sonila Meço - 15:32, 30/01/2026
Në debatet publike, sidomos kur flasim për demokracinë dhe raportin me institucionet e Bashkimit Europian, cilësia e pyetjes është po aq vendimtare sa përgjigjja që merret. Dhe kjo sepse pyetja përcakton kufijtë e debatit.
Sado i pavend të ngjajë për situatën e sotme të Shqipërisë reagimi i Raporterit të Parlamentit Evropian, Andreas Schieder, përgjigjet e tij janë rrjedhim i pastër i formës dhe përmbajtjes së pyetjeve.
Sepse pyetja përcakton çfarë konsiderohet problem, sepse pyetja vendos kornizën morale, sepse pyetja i jet të pyeturit rrugëdalje të lehta, sepse pyetjet janë akte përgjegjësie publike.
Nëse lexon veç përgjigjet e Schieder, pa pyetjet që i kanë prodhuar ndihesh i tradhëtuar nga Europa. Sepse një pushtet e shtet si yni, që nuk ia respekton kodet ekzistenciale, konsiderohet normal.
Ama po i lexove në ujdhesën pyetje-përgjigje e kupton se si kemi humbur shansin jo vetëm të bëjmë pyetjet e duhura, por edhe ta vendosim të pyeturin karshi fakteve, ta detyrojmë të përballet me realitetin.
E para, Schieder është Raporter i PE-së, pra Parlamentit Europian, austriak, nga vend neutral, jo anëtar i NATO-s. Çdo pyetjeje për NATO-n nuk do t’i gjegjej.
Akuzat për AKSHI-n nuk i ka formuluar lideri i opozitës, por SPAK-u, institucion i mbrojtur e sponsorizuar edhe nga BE. Si mund të përgjigjej parlamentari europian ndryshe kur pyetja shtrohet:
“Dosja e SPAK për AKSHI-n, Berisha ka denoncuar se ky grup i strukturuar kriminal ka eksportuar te vendet armike të NATO-s informacione të NATO-s që i disponon edhe Shqipëria, a është parë si shqetësim nga BE ky denoncim?”
Pyetja është formuluar e tillë që përgjigjen ta ketë JO. Sepse ka brenda si NATO-n ashtu edhe akuzën e një lideri opozite, që i vlen debatit të brendshëm politik, por jo institucioneve ndërkombëtare që u referohen akuzave zyrtare e jo të politikanëve. Nëse përgjigjej ndaj saj do qe gafë për vetë zyrtarin e PE-së.
Ekziston një hetim penal për një institucion që administron të dhëna strategjike. SPAK nuk është Berisha, por institucioni që vetë BE e ka promovuar si shtyllë të reformës në drejtësi. Siguria e të dhënave nuk mund të propozohet në pyetje si debat partiak. Kur një shtet kandidat ka hetime për infrastruktura kritike digjitale, BE nuk ka luksin të mos “shqetësohet”.
Por kjo nuk është temë për Parlamentin Europian. Për këdo e njeh llojin e institucionit, pyetjet duhej të ishin të qarta, të sakta e të një natyre tjetër. A po mirë-funksionojnë institucionet, a po bllokojnë njëri-tjetrin?
Sepse këto janë Kodet e Europës. Ku nuk konceptohet dot që parlamenti dhe qeveria të bllokojnë drejtësinë.
A lejohet në Europë dhe vendin e tij, që kur drejtësia kërkon një ministre të pandehur ta thërrasë e vendosë në dispozicion të saj, kryeministri ta mbrojë duke shkelur ligjet?
A ekziston në kodin europian, që një ministër të akuzohet, të merret i pandehur e mos japë dorëheqjen?
A ekziston në kodin europian që një zyrtare e lartë nga arresti i shtëpisë të vijojë të firmosë tendera që prekin sigurinë kombëtare e ndërkombëtare?
Mandej një pyetje tjetër e shtruar si alternativë me “ose/ose” nëse Schieder është për “demokraci me molotovë apo stabilokraci me gjysmën e kupolës qeverisëse të akuzuar për korrupsion”, patjetër le vend për atë përgjigje që ngjan fyese edhe për mbështetësin më të madh të pushtetit të Ramës në Europë.
Sepse, demokracia nuk matet me mjete proteste, por me sjelljen e pushtetit ndaj kundërshtimit.
Molotovi nuk është alternativë politike, por simptomë e një regjimi që nuk toleron mënyra të tjera pjesëmarrjeje.
Pyetje të tilla i lejojnë raporterit të zgjedhë mes dy karikaturave.
Ndërsa realiteti shqiptar kërkon një përgjigje për një pyetje shumë më të thjeshtë e që nuk i shërben të pyeturit të shmangë thelbin.
Por ka pyetje të tjera:
Kur një vend kandidat shfaq qetësi publike, por ka përqendrim pushteti, de-legjitimim të opozitës, hetime penale për institucione strategjike dhe mungesë reale të kontrollit institucional, a e sheh BE këtë si stabilitet demokratik apo si shenjë regresi?
A ka Shqipëria institucione që e përballojnë konfliktin politik pa asgjësuar drejtësinë?
Atë drejtësi të sponsorizuar edhe nga institucionet që përfaqësoni?
Problemi nuk është nëse BE-ja pranon stabilokracinë para molotovit. Se ajo që ndodh me protestat e opozitës këtu është vetëm nxemje elementare e asaj që ndodh me protestat e dhunshme në vende europiane. Jelekë-verdhët janë të freskët. Ose pa shkuar larg, shihni si protestohet në Greqinë e BE-së.
Problemi është nëse BE-ja pranon një qeverisje ku protesta delegjitimohet, hetimet për institucione e zyrtarë bllokohen, kuvendi e qeveria dalin mbi drejtësi, kontroll-balanca asgjësohet.
Kur diskutohet për demokracinë në një vend kandidat, mënyra si strukturohet dilema është thelbësore. Një pyetje e pasaktë mund ta thjeshtojë gabimisht një problem kompleks.
Derisa kjo pyetje të shtrohet saktë, përgjigjet do të vijojnë të jenë të rehatshme për pushtetin dhe komode për të pyeturin.
Por krejt fyese për shqiptarët.
© SYRI.net