‘Gjiganti Rabëlesë’, i kthyer në xhuxh, tashmë po kërkon vrimën e fundit të miut për t’u futur

‘Gjiganti Rabëlesë’, i kthyer në xhuxh, tashmë po kërkon vrimën e fundit të miut për t’u futur

Nga Ndriçim Kulla - 04/01/2026

Në Vlorë ende vazhdojnë t’i thonë Gjigant.

Veten e ka promovuar si “Gjiganti i Rabëlesë”!

Por horoskopi politik i tij thotë se këtë vit “Gjiganti i Rabëlesë” do të jetë më i padukshëm se Liza në Botën e Çudirave, pasi është duke kërkuar brenda dhe jashtë Shqipërisë vrimën e miut për të futur kokën. Mes përpëlitjeve të vazhdueshme do të bëhet edhe më arrogant nga çfarë ka qenë më parë. Do të jetë  më i tmerruar nga frika, por asnjëherë realist. Kjo është vrima e zezë ku diktatorët kërkojnë prehje dhe përfundojnë gjithmonë si Markosi, Noriega ose Maduro.

Narkodiktatori shqiptar në Tiranë nuk ka qenë kurrë realist me veten dhe me veprimet që ka kryer. Busulla e tij ka qenë vetëm pasuria familjare dhe pushteti. Ka jetuar gjithmonë një jetë paralele dhe demokracinë e ka pasur si fasadë që nga dita që mori pushtetin.

Shkrimet e gazetave më të mëdha botërore - amerikane, britanike, gjermane, franceze dhe italiane - për mbi 10 vite me radhë u ranë kambanave të alarmit për narkodiktaturën që po krijonte në Tiranë regjimtari ynë, dhe e çuan shqetësimin deri në nivelet më të larta të fuqisë globale, për indiferentizmin që tregonte vetë administrata Biden, duke toleruar “Maduron e Europës”.

Por Manduro e provoi mirë fatin e zi që i rezervoi shkelmi i së vërtetës për krimet që kishte kryer dhe mohuar, kur u rrëmbye në mënyrë spektakolare nga forcat e DEA-s amerikane, m’u brenda në strofullën e tij të krimit, drogës, karteleve dhe korrupsionit, në Karakas.  

Po si, në çfarë mënyre? – ka të drejtën e natyrshme të pyesë gjithkush.

Në stilin e tij të zvarranikut do të bëhet i padukshëm, aq sa edhe te plehrat më të korruptuara të politikës do krijonte përçmim. Në formë marrëveshjesh, në formë pazaresh, në formë përgjunjesh, lajkatimesh ose sjelljesh të neveritshme për t’u kujtuar do ta kërkojë atë vrimë. Sepse ai ka histori monstruoze krimi dhe korrupsioni mbi supe.

Lajmet e konfirmuara që kanë ardhur dhe po vijnë, të bëjnë të besosh se sarajet e Sulltanit do të vizitohen nga mysafirë të shumtë nga demokracia e madhe përtej Atlantikut, por gjithashtu edhe nga Europa. Korrupsioni, kartelet e drogës, rendi, demokracia, krimi i organizuar dhe paratë e pista, e kanë shpënë shqetësimin e botës euro-atlantike në atë nivel sa “për t’i prekur gjërat me dorë”.

Nuk provoj ta vë veten në profeci parashikimesh, por gjendja ku e ka futur veten dhe vendin Edi Rama, natyrshëm të provokon disa parashikime të arsyeshme se çfarë dinamike do të reflektojë sjellja e tij politike dhe psikologjike në raport me të ardhmen e tij gjatë këtij viti që sapo ka filluar.

Ai tashmë nuk funksionon më asnjë çast normal për shtetin, administratën e as për partinë e tij; ai funksionon si një i tërë, me mendje, fuqi, lidhje, energji e deri në fantazitë më perverse, me aferat ku është përfshirë. Si gjiganti në “Udhëtimet e Guliverit”, çdo gjë shqiptare, prej të cilëve është zgjedhur e duhet të japë llogari, i duket lilipute: gjithë bota jonë me halle, varfëri ekstreme, shpopullim dhe ikje biblike i ngjan një bote lilipute, pasi ai ka pasur misione ndërkombëtare që i duheshin për të zgjidhur hallet e tij të mëdha.

Ndaj do të prisni që, për të hequr vëmendjen shqiptare nga këto skandale të jashtëzakonshme, ai do të shpikë edhe gjëra të tjera po kaq të jashtëzakonshme, që nuk i keni menduar ndonjëherë, të cilat në vetvete janë të tilla, por që në fakt bëhen vetëm për t’u hedhur hi njerëzve në sy.

Do të krijojë situata se përndiqet politikisht nga SPAK-u, nga drejtësia, nga administrata amerikane; se telefoni i tij është i zgjedhur nga Zoti për të mos u prekur kurrë; se Zoti gjykon mbi gjithçka dhe ai është vetë Zoti. Pretekste për t’i shpëtuar gjykimit ndryshe nga  gjithë njerëzit e tjerë, nga më të pashpjegueshmet.

Nuk besoj fare se do të shpiken më prej tij vizita të paimagjinueshme në Shqipëri me njerëz të mëdhenj, duke filluar nga politikanë e deri te artistë e këngëtarë që mbushin sheshet me të rinj; do të shpallet Shqipëria vend aktivitetesh mbarë-evropiane e pse jo mbarëbotërore; sepse  do të zbardhen ose do t’i “hidhen në dorë” drejtësisë skandale të tjera qeveritarësh .

Ndaj jini të përgatitur: për ne kryeministri ynë nuk do të ekzistojë, do të jetë i padukshëm dhe, si Liza e vogël, pritet t’ju fusë të gjithëve në “botën e çudirave të tij”. Do t’i dalin herë pas here personazhe Koniciane, të ngjashëm me “Plugun”, që t’ia lërojnë këtë shkretëtirë ku  do na ketë lënë humbja e tij, por shpresa jonë është që të bëhemi sa më shumë të tillë, që shqiptarëve t’u hapen sytë nga magjia e liliputërisë ku ai po na lë dhe të bëhemi të gjithë simboli i “plugut” të politikës dhe demokracisë sonë.

Ai do të krijojë skenarë mbrojtjeje dhe mohimi të akuzave me stërhollime të sajuara të një konspiracioni të madh që i bëhet një ultra-radikali të majtë. Ndërkaq do të jeni duke jetuar realizimin e skenarëve të rinj, si p.sh. rikthimin e dashurisë së zjarrtë për Kosovën, të cilën e telendisi ndërkombëtarisht duke i bërë “dhurata” sanksionesh me lobime sorosiane; do të rikthejë mbledhjet e përbashkëta Shqipëri-Kosovë, të cilat i ndaloi vetë me arrogancën e pashoq; do t’i rikthejë të gjitha dështimet si riciklim mbetjesh e çfarë nuk do të bëjë; do të lëpijë ato që ka pështyrë etj., por tashmë nuk do të qëndrojë dot më larg dritës që ka e vërteta.

Ai gjithmonë e ka shkelur me këmbë të vërtetën dhe nuk e ka konsideruar kurrë se një ditë ajo do t’i dilte përpara dhe, para fytyrës së tij, do të ndriçonte të zezat e aventurave të tij politike.

Në Vlorë  çuditërisht, ende vazhdojnë t’i thonë Gjigant, ndonëse “Gjiganti i Rabëlesë” e thau Vlorën, një qytet i rrethuar nga ujërat. Akoma më keq u soll me Lumin e Vlorës: u shpuri kuçedrën me duart e shtetit, i thau Buronjat  dhe ia përpiu Shushicën e bukur, duke e kaluar atë prapa malit si dhuratë për vilat e oligarkëve të Palasës.

Është shumë zhgënjyese që vlonjatët nuk bënë atë që duhej të bënin: t’i dilnin përpara dhe t’i thoshin ndal marrëzive të këtij të tërbuari për pushtet. Megjithatë, si rrallëherë, nuk guxoi të shkonte te vlonjatët në krizën e ujit që u bëri dhuratë pushteti i tij dhe të bënte fotot e radhës mes ledhatimeve, duke shpërndarë dashuri reciproke me vlonjatët e tij “të dashur”.

Unë mendoj se edhe koha nuk i ka dhënë pak mëshirë për këtë, sepse radha e madhe e llogaridhënies së tij para drejtësisë po përshpejtohet.

“Gjiganti i Rabëlesë” po duket qartë se tashmë është bërë një xhuxh i neveritshëm, që kërkon vrimën e miut për t’u futur.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco