Pse u kthye Rama në vendin e krimit – nga kurioziteti, frika apo karshillëku?

Pse u kthye Rama në vendin e krimit – nga kurioziteti, frika apo karshillëku?

Nga Hysni Gurra - 28/12/2025

Edi Rama u rikthye mëngjesin e së dielës së fundit të vitit 2025 në një nga “vendet e krimit” më spektakolare të pushtetit të tij - tek AKSHI.

Një rikthim që nuk ishte as i rastësishëm dhe as i pafajshëm, por i mbushur me domethënie politike, psikologjike dhe simbolike.

Në këndvështrimin sociologjik, njeriu kthehet në vendin e krimit për tri arsye kryesore:

1. Kurioziteti – dëshira për të parë se çfarë ka lënë pas, si duket shkatërrimi i kryer dhe çfarë reagimi ka prodhuar.

2. Frika – ankthi se mos ka mbetur ndonjë gjurmë e pambuluar, ndonjë provë që mund të kthehet në rrezik.

3. Karshillëku dhe arroganca – rikthimi si akt pushteti, si shfaqje dominance, tipike për mendësi sadiste që gëzojnë duke soditur dëmin dhe poshtërimin e viktimës.

Atëherë, përse u kthye Edi Rama në “vendin e krimit” AKSHI?

Sipas njerëzve që e njohin nga afër, arsyeja kryesore e këtij rikthimi lidhet pikërisht me alternativën e tretë.

Kjo përforcohet nga bisedat që ai ka zhvilluar kohët e fundit me disa bosë të medias, të cilët – sipas burimeve – i janë drejtuar tekstualisht me fjalë të tilla:

“Mos e lësho! Nga kush do kesh frikë ti, nga ky popull bq? Mos e rruaj për Amerikën, Amerika të të hajë…”(dhe ndoshta edhe më tej, në pjesën që nuk thuhet publikisht).

Ky lloj kurajimi duket se i ka shkuar për shtat karakterit të Edi Ramës, një karakter që e shijon talljen dhe përqeshjen ndaj viktimës.

Në këtë rast, viktima është populli shqiptar, i cili ka parë me sy dhe ka dëgjuar me veshë skema të paimagjinueshme të plaçkitjes së pushtetit, por vazhdon të qëndrojë i mpirë, i paralizuar, pa reagim proporcional me dëmin e pësuar.

Gjatë viteve të pushtetit të tij, Edi Rama ka patur katër “depozita” kryesore të aferave dhe skemave të tij:

1. Belinda Balluku, e cila kontrollon rreth 40 deputetë të mazhorancës përmes tenderëve, lejeve solare dhe shpërndarjes së pushtetit ekonomik.

2. Erion Veliaj, të cilin tashmë e ka “sistemuar” në qelitë e Durrësit, por që deri dje e përdori si instrument për pastrimin e parave përmes kullave në kryeqytet dhe për super-aferën korruptive të inceneratorëve. Në fund, e hodhi tej duke i ekspozuar publikisht deri “te brekët e gruas”.

3. Ogerta Manastirliu, e përdorur për tendera masivë në shëndetësi, fillimisht nën hijen e Beqajt dhe më pas duke marrë vetë drejtimin e sektorit, duke garantuar vazhdimësinë e skemës.

4. Mirilinda Karçanaj, më jetëgjata në një detyrë që rezulton të ketë qenë një minierë ari për pushtetin e Rilindjes: tendera sekretë, procedura të paracaktuara, kontroll mbi të dhënat e biznesit dhe të qytetarëve.

Pra, rikthimi i Edi Ramës në vendin e krimit nuk është thjesht një shëtitje; është shfaqje talljeje dhe përçmimi ndaj qytetarëve.

Një popull që vidhet, i vidhet vota për t’u vjedhur sërish, dhe që mbahet i mpirë përmes një mediaje të kontrolluar nga vetë pushteti.

Në këtë kuptim, rikthimi nuk është shenjë frike, por demonstrim arrogance – një mesazh i qartë se krimi jo vetëm që nuk fshihet, por vizitohet me krenari.

Ajo që mbetet për t’u parë do jetë rikthimi i dytë i Ramës vendin e krimit të Ballukut dhe Mirilindës nga frika. Pasi ai e di shumë mirë që të dyja këto dosje nuk janë më vetëm në dorën e SPAK, që ky ta orientojë siç do dhe siç ka bërë edhe herë tjera. Kopje të këtyre dosjeve ka marrë edhe ‘sherifi i ri’ që viziton SPAK-un shpesh dhe ka vënë afate kohore. Kur të jemi drejt skadimit të këtyre afateve do shohim si do sillet Rama në kthimin nga frika në vendin e krimit.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco