Nga Ndriçim Kulla - 09:52, 28/11/2025
Ismail Qemali erdhi në jetë në një kohë shumë interesante për historinë e vendit të lindjes. Në fëmijërinë e tij ai pati fare të freskëta kujtimet për Ali Pashë Tepelenën, i cili ishte udhëheqësi i parë që tentoi të krijonte një shtet nën pushtimin e Perandorisë Osmane. I. Qemali lindi përafërsisht në atë periudhë kur farefisi i tij i gjerë e i njohur u zhvendos nga Kanina, një ish-qytet nga më të rëndësishmit e Mesjetës në Arbëri e qendër disa shekullore e derës fisnike dhe të mirënjohur të familjes së madhe Vlora, për në Vlorë, e cila deri atëherë ishte selia e një nënprefekture të vogël buzë detit. Me siguri fëmijëria e tij e mire arsimuar në gjirin e dy prindërve me nivel të lartë kulturor bëri të lindin në mendjen e tij të njomë shumë pyetje të natyrshme për një djalë të ri: Kush jemi ne shqiptarët? Çfarë është gjuha që flasim? Cila është qenia jonë shpirtërore ? Si emërtohet atdheu ynë? Etj ,etj .. . Ishin dilema të natyrshme që shoqëronin atëherë në të gjitha qytetet e Shqipërisë pa përjashtim pinjollët e asaj shtrese të fisnikërisë së administratës së deri atëhershme. Në këtë drejtim përvoja politike e babait tij do ta hidhte edhe më thellë në mendime. Më vonë, kur të kalonte disa vjet të djalërisë së tij në qytetin e madh të Selanikut, këto mendime do të kristalizoheshin në pikëpamje të konsoliduara për jetën që i doli para. Kishte filluar për të ai procesi i ditur i karakterit të adoleshentit që quhet “pjekuri”.
Kur I. Qemali filloi në vitin 1856 studimet e mesme në gjimnazin “Zosimea” të Janinës, në Evropë kishte më tepër se një gjysmë shekulli që kishte shpërthyer Revolucioni Demokratik Francez i vitit 1789 që hodhi parullën e famshme të quajtur “ Liri-Barazi-Vllazëri”. Ndonëse brenda Francës ky revolucion realizoi vetëm ndryshimin e regjimit shoqërorë, në fakt jehona e tij në histori mbetet më e madhja që ka patur ndonjë revolucion në botë. Ideologjia që ai shpalli para popujve ishte ajo e nacionalizmit edhe shteteve-kombe me parim kryesorë bashkimin e njerëzve me një gjuhë, me një kulturë e një territore të vetëm. Ishte pikërisht kjo ide e shteteve-kombe që paralajmëroi stuhi e furtunë në Evropë në të gjitha ato perandori shumëkombëshe që mbanin së bashku me dhjetëra popuj. Kur I. Qemali qe 4 vjeç, revolucionet e vitit 1848, që u bënë njëkohësisht në disa vende, me jehonën e tyre u përcollën për herë të parë edhe te ne përmes gazetave të para që erdhën. Kudo në të 4 anët e kontinenti tonë dëgjoheshin fjalët “komb”, “shtet kombëtarë” etj. Ndërkaq, në shtëpitë e shqiptarëve të thjeshtë kishin filluar të vinin disa libra që quheshin “Abetare” e do ti njihnin ata me germat e gjuhës së tyre të përditshme. Shkurtimisht, kjo ishte atmosfera kur djaloshi i ardhshëm I. Qemali u fut në atë tempull të dijes bashkëkohore që ishte gjimnazi “Zosime”.
“Zosimea” u bë trualli ku në trurin e tij për herë të pare do ndizej ideja kombëtare. Prej atëherë për të kishte nismuar një faze e re e avancimit të tij politik.
Në atë shkollë të mesme, që ishte ndër më të mirat në krejt Perandorinë Osmane, për vetë përbërjen mjaft komplekse me nxënës nga gjithë popujt e Perandorisë, shpesh here në bisedat e përditshme që zhvillonin konviktorët me shokët e tyre, vëmendja përqendrohej tek karakteristikat që kishin popujt nga njëri-tjetrit. Nxënësit grekë krenoheshin me heronjtë e mbretërit e lashtësisë së tyre të njohur, nxënësit bullgarë ngrinin lart 2 mësuesit e tyre të mëdhenj, Cirili e Metodi, nxënësit hebrenj përkujtonin heronjtë e tyre të përjetësuar në librat e shenjtë, kurse për shqiptarët nuk flitej askund, ndonëse ishin në shumicë në Janinë. E trishtueshme !
I.Qemali ishte nxënësi i parë shqiptarë i gjimnazit “Zosimea” dhe si i tillë padyshim që i ka ndjekur diskutimet e tilla mes moshatarëve të tij. Ai patjetër që dinte diçka për Pirron e Epirit, për Teutën e Ilirisë etj. etj. , por deri atëherë një errësirë e madhe e mbështillte historinë e vjetër të atdheut të tij. Jeta shekullore në Perandorinë Osmane kishte mjegulluar gjithçka për gjenezën e tij. Ndërsa horizonti i tij mendor hapej për here e më tepër ndaj mësimeve dhe librave, aq më të ndërlikuara bëheshin enigmat që e mundonin për dheun e të parëve të tij.
Kur I.Qemali do të niste punën si nëpunës i thjeshtë në administratën perandorake, një tjetër zhvillim i papritur do e shkunde përfundimisht ndërgjegjen e tij intelektuale. Traktati i Shën-Stefanit e Kongresi i Berlinit, që copëtuan trojet shqiptare, shndërruan tërësisht rrjedhën e formimit tij politik dhe ideologjik. Ishte pikërisht kjo katastrofë njerëzore që shërbeu si pikë vendimtare kthese, që në gjirin e asaj shtrese të Stambollit që quhej “diaspora shqiptare” të ngjizej pak nga pak embrioni i asaj që do thirrej me emrin “Rilindja Kombëtare”.
Ata që projektuan dhe piketuan konturet e para të zgjimit Kombëtarë të Shqipërisë, në shumicën e tyre ishin bashkëkohës të I. Qemalit dhe ndoshta miq të tij. Ka qenë fat i jashtëzakonshëm që shpirti i lëvizjes përbëhej nga vëllezërit Frashëri, ajo treshe dietarësh të pashoq që i hodhën hapat e parë për lirine tone. Por ai që do të ngjallte i pari kujtesën tone kombëtare ishte Naim Frashëri. Nga hiri i pashuar i kujtimeve të lashta që pandeheshin të djegura dhe të harruara, ai do të frymëzohej për një poemë që befas i tronditi të gjithë bashkëkombësit. Ajo titullohej “Historie e shkurtër e Skënderbeut” dhe u botua në vitin 1886. Papritmas, mbarë shqiptarët që e lexuan pyesnin: “Si e harruam Skënderbeun?” por I. Qemali patjetër pyeti veten: “ A mund ta bëjmë prapë Shqipërinë ashtu si Skënderbeu realizoi para shumë shekujsh shtetin e parë shqiptarë?”
Në “Vitin jubilar të Skënderbeut” në Tiranë u diskutua shkëlqyer e me plot argumente për hapësirën e ndritur që ai ka merituar në panteonin sipërorë të vlerave tona. Banorët e pare autokton të vendit tone, Ilirët, që në Mesjetë quheshin arbër dhe vendi Arbëri, në shek. XV, në atë epoke kur zë e shtjellohet Rilindja e Evropës Perëndimore, gjetën te Skënderbeu princin e parë arbër që kërkoi ti mblidhte në një shtet të vetëm. Në qëndresën e tij titanike për të përballuar sfidën e një super fuqie në ngritje, ai arriti të fitoj admirimin e një qytetërimi që sapo kishte shtruar rrugën e tij për t’u bërë model i begatisë ekonomike, përparimit kulturor dhe mirëqenies së lartë. Ndonëse, për arsye të ditura, Skënderbeu nuk e çoi deri në rritje qëllimin final, shteti i tij i ideuar me emrin Besëlidhja e Lezhës e seli në Krujë nuk dështoi aspak. Nostalgjia për të u kujtua në gati 3000 libra, vepra muzikore e pjesë skenike, që të krijuara nga shqiptarë e të huaj e ruajtën frymëzimin për te brezat që do vinin. Ishte një bekim i Zotit që, edhe pse kishte kaluar gati afër një gjysmë mijë vjeçari prej atëherë, Rilindja Kombëtare e Shqipërisë e nxori madhështinë e Skënderbeut nga harresa e gjatë, për të na e sjellë prapë pranë stërgjyshërve tanë që banonin në fund të shek. XIX. E ishte pikërisht në këtë korsi të kalendarit stafetën e mori I.Qemali.
Agimi i shek.XX për parashikuesit e motit politik ishte tmerrësisht i vrenjtur. Por sidomos në Ballkan, në këtë udhëkryq të reshjeve të dendura të konflikteve etnike, shek. XX ka qenë më i egër e mizor posaçërisht për paraardhësit tanë të atij moti.
Menjëherë pasi gjermani vendosi të ndërtonte hekurudhën Berlin-Bagdat në vitin 1903, si një investim për të zhvilluar veten e për të ndihmuar Perandorinë Osmane njëkohësisht, në një rivalitet të hapur me të e perandorinë Austro-Hungareze me ndikimi në rajon, Rusia nxiti krijimin e Aleancës Katërpalëshe Serbi-Greqi-Bullgari-Mali Zi, e gatshme kurdoherë për të nisur një Luftë Ballkanike dhe për të copëtuar shqiptarët.
Në kulmin e këtyre intrigave djallëzore diplomatike për të shtrirë territoret e tyre, I.Qemali, mbasi ishte larguar nga Turqia për idetë e tij të avancuara liberale, endej nëpër Greqi si një refugjat politik që kishte kërkuar strehim për familjen, por që i ndjente fort pabesin dhe dinakërinë e sofistikuar të diplomacisë greke. Vetëm fitorja e revolucionit xhonturk në vitin 1908 do e ngushëllonte sadopak atë e do ta binte për t’u kthyer edhe një here në kryeqytetin ku kishte kaluar jetën. Për të ishte e qartë se orët e vdekjes së Perandorisë kishin zënë të binin mbrapsht, duke rrezikuar që të zinin në rrënojat e saj edhe bashkatdhetarët e tij të dashur.
Dhe këtu ai kap fillin për të menduar sërish Skënderbeun në ditët e fundit të Sulltanit.
Ismail Qemaili mbart përgjegjësinë maksimale të qytetarit ndaj kombit shqiptarë kur ,në mes të rrezikut që i kanosej Shqipërisë në luftën ballkanike të vitit1912, ndërmori aksionin final për të Shpallur Pavarësinë në Vlorë në nëntor të atij viti. Vetëm një përgatitje brilante diplomatike , që e dallonte si askush në atë Perandori , do ta veçonte atë si personalitetin më të përshtatur, për ta përmbushur atë mision. Me një koordinim të plotë ,me diplomacinë gjeniale të Perandorisë Austro Hungareze , ai ja doli mbanë që të seleksiononte atë korpus të duhur prijsash të qyteteve tona , që do krijonte atë asamble të pa shlyer që reklamoi para botës pavarësinë tonë .Tashmë është e konfirmuar historikisht nga telegramet e botuara për I. Qemalin , se ishte kryesisht ai që hartoi listën e delegatëve ,që u mblodhën në atë nëntor të largët.
Në realitet , ai nuk kërkoi pas 500 vjetësh thjesht lirinë për 28 mijë km katrorë, por e konceptoi atë si liri edhe për territorin e sotëm të Kosovës dhe trojeve të tjera. Këtu shtrihet në tërë madhështinë e saj vepra e tij që e bëri të quhej “Babai i kombit “. Ai pati intuitën politike që të afronte pranë lider të vjetër e të rinj së bashku , për të startuar funksionimin e njërës prej shteteve më të reja të historisë, shtetit shqiptar. Është tipik për këtë që nga delegatët e fundit që firmosi në dokument qe A .Zogu.
Shumë pre jush e kini mësuar në shkollë fatin e qeverisë jetëshkurtër të I.Qemalit. Por njerëzit , siç dihet ,vdesin një ditë , por idetë e tyre të mëdha nuk reshtin kurrë. Ideja e tij sublime, pavarsisht se pësoi infarkt politik , nuk u mposht dhe u zmadhua sërish, atëherë kur pas mbarimit të luftës së parë botërore ëndrra e tij u përputh me parimin e vetëvendosjes së Presidentit amerikan Willson në Konferencën e Paqes në Paris. Do të ishin dy rrethana fatlume, Kongresi i Lushnjës dhe Lufta e Vlorës, që do të realizonin më së miri amanetin e pa tretur të Plakut të Vlorës
Është nder për çdo shqiptar dhe në çdo moment që ti jepet mundësia të shprehet dhe ta kujtoj atë si një shenjtë.
Po për një shenjtor të asaj kauze që është bazamenti i çdo të drejte, Liria Kombëtare.
Në mozaikun polivalent të simboleve njerëzore që janë Panteoni ynë i lakmuar , Ismail Qemali fokusohet fuqishëm fill pas Skënderbeut në hierarkinë e nderit , që duhet ti përkushtohet çdo nënshtetas shqiptarë nga lindja deri në vdekjen e tij.
Kështu e dëshiron dhe dikton logjika jonë e pa epur për të lartësuar përherë njerëzit që bënë Shqipërinë, mes të cilëve I.Qemali do të shkëlqejë pambarimisht i përjetshëm.
© SYRI.net