Nga Ilir Kalemaj - 14:41, 21/11/2025
Bomba që plasi çështja Balluku, e pritshme si ngjarje por e papritur si kohë, çuan në vet-ngujimin 7-orësh të zonjës në fjalë në kancelarinë kryesore të vendit ku kërkonte njëfarë azili politik, por garancitë e sigurisë nuk dihen a i mori apo jo.
Ndërkohë vetë kryeministri më shumë po rri në ajër se në tokë këto ditë dhe javë të nxehta dhe kjo nuk është metaforë. Patatet e nxehta duket se po përvëlojnë dhe rrugët e zakonshme të diversionit me kocka që i hidhen turmës së militantëve për ushqim apo spektaklit që ofrojnë falas tamburët pro-qeveritarë, duket se nuk po rezultojnë aq efektivë këto ditë të shqetësuara nëntori, ngjashëm me motin e paqëndrueshëm.
Në përgjithësi, melodrama e politikës, ku gjithçka rrotullohet rreth vetes, ka kapërthyer krejt vëmendjen e publikut në mënyrë arbitrare dhe vet-referenciale. Jo se nuk ka qenë kështu, por sa vjen dhe degradon. Ka degraduar frikshëm cilësia e përfaqësimit politik ku ata që kontrollojnë tre të pestat e parlamentit-fasadë natyrisht mbartin peshën kryesore, është katandisur mexhlisi kryesor i debatit politik në derexhe personazesh anonimë, memecë politikë, delenxhinj apo pazarxhinjsh që synojnë të zhgrapin sa më tepër përfitime afatshkurtra përsa kohë janë aty. Është zëvendësuar njëherazi debati politik dhe tezat, platformat, idetë dhe përballjet argumentative në rastin më të mirë me batuta hidh e prit, apo me monologje bosh, apo kaseta që penetrojnë lirshëm në media dhe recitojnë të njëjtën këngë.
Ndërkohë vendi po përballet me kriza të shumëfishta nga emigracioni i pandalshëm te bjerrja demografike, nga nënzhvillimi i rajoneve te paaftësia dhe mungesa e autonomisë së qeverisjes vendore, nga rritja e varfërisë relative te shtrenjtimi i kostos së jetesës, nga shëndetësia me probleme te vazhdimi i kapjes nga investitorët strategjikë njëherazi klientë qeveritarë të llokmave më të lakmueshme në rivierë dhe male, nga arsimi ku testi i ri i PISA-s konfirmon 60 përqindshin analfabetë funksionalë te inovacioni që kufizohet të një algoritëm propagandist si Diella që e udhëheq Dielli që ska re që i pengon rrugën e uzurpimit të institucioneve.
Vjet buxheti që është miratimi i ligjit apo aktit më të rëndësishëm legjislativ në vend kaloi në seancë plenare në më pak se 5 minuta dhe i pa shoqëruar me debat për shkak të bllokimit të çdo instrumenti kontrolli nga ana e opozitës. Duket se këtë vit do të kemi gjithashtu një deja vù në këtë drejtim. Buxheti më i madh ruan përqindje të njëjtë në raport me PBB-në por ajo që ka ngelur e pandyrshuar është vjelja e taksave që qëndron në vetëm 26 përqind të PBB-së ndonëse është një shtresë vazhdimisht e diskriminuar që është ajo e profesionistëve, menaxherëve dhe këdo tjetër që në kushte normale quhet shtresa e mesme e një vendi, e cila është e formalizuar, paguan rregullisht taksa, të cilat janë më shumë se dyfishuar në raport me taksën e sheshtë deri në 2013-ën dhe nuk marrin asnjë përfitim, asnjë nxitje, asnjë shpresë. Përkundrazi nxiten të ikin se janë dhe ajo shtresë që kanë mundësi të gjejnë veten falë kualifikimeve të tyre dhe në BE apo gjetkë. Ndërkohë të ardhurat kanë rënë se është shtuar ekonomia informale përkundër miteve dhe sidomos ajo kriminale e cila deformon tregun dhe bën jetën e shqiptarit të papërballueshme. Po ashtu bujqësia është tkurrur me 2.5 përqind, industria ka rënë me afro 2 përqind sipas të dhënave për tremujorin e dytë të 2025-ës, eksportet janë goditur fort nga rënia e euros dhe po kështu të ardhurat nga turizmi, buxhetet familjare që varen nga remitancat etj.
Në vend që këto debate të jetëzohen në parlament përmes mekanizmave që vet Kushtetuta i lejon si forma të kontrollit parlamentar, përkundrazi ndryshohet rregullorja në mënyrë të njëanshme, ju hiqet e drejta e komisioneve hetimore opozitës ndonëse ka një vendim edhe të gjykatës kushtetuese në lidhje me këtë, privohen nga interpelancat dhe mocionet me debat, ju reduktohen drejtimi i komisioneve të rregullta parlamentare apo ju kufizohet e drejta e fjalës në to dhe përgjatë seancave parlamentare. Kur opozita tenton të organizojë protesta apo foltore për të nxitur pjesmarrjen qytetare, prozhektorët propagandistikë synojnë menjëherë ta mbajnë fokusin qind për qind te aftësia apo jo e opozitës për të mbledhur njerëz në shesh, në vend që të shohin aradhën e zyrtarëve kleptokratë që kanë zaptuar si “tokë e xanun” Republikën e Skandalokracisë.
Në vend të llogaridhënies publike se çpo ndodh me taksat e shqiptarëve, si të ndalim bjerrjen demografike që vjen si rezultante e dyanshme e rënies së lindshmërisë dhe emigracionit të lartë që kanë rritur me plot 10 vite përgjatë një dekade moshën mesatare të popullsisë (shifra më e lartë në Europë kjo rritje në kaq pak kohë), në vend që të diskutohet si të bëhet më e përballueshme jetesa në një vend ky gati gjysma e buxhetit familjar shkon për ushqim dhe ka familjet më të varfra në kontinent, se si të frenohet dhe madje ndalohet fluksi i parave të pista në ndërtim dhe ekonomi që e ka kthyer të pamundur ndërtimin e jetës nga çiftet e reja në këtë vend, se si të gjenerohen vende pune cilësore, se si të kemi ajër më të pastër, ujë të pijshëm, më pak plehra që digjen në natyrë ku incineratori i vetëm që punon është ai që djeg paratë e shqiptarëve, dëgjojmë “llogje kavaje” apo diversione tematike të cilat nuk shtojnë gjë në kandarin e mirëqënies individuale dhe kolektive.
© SYRI.net