Nga Avni Nezaj - 08:58, 19/11/2025
Nuk ka media në botë që nuk ka përmendur e shkruar që Sinaloa është një organizatë tashmë e shpallur terroriste nga shteti më i fuqishëm në botë, SHBA. Arsyet dihen dhe janë publike. Rrezik potencial për sigurinë në SHBE dhe në vendet e demokracive solide siç është Bashkimi Evropian.
Pra, Sinaloa është një organizata shumë e fuqishme që merret me trafikimin e tonelatave drogë në të gjithë botën dhe paratë e tyre që janë të gjitha në të zezë pastrohen nga eksponentë që punojnë për Sinaloan, dhe që janë të lidhur këmbë e kokë më këtë organizatë të rrezikshme dhe shumë të fuqishme në rangun botëror të krimit dhe bandave te organizuara.
Sinaloa synon ekonominë e shteteve ku instalohet. Në Shqipëri ata nuk e kanë pasur shumë të vështirë të instalohen. Vetë Edi Rama i ka pritur në zyrë tashmë anëtarët e Familjes Hysa që janë shpallur non-grata nga Departamenti i Thesarit i SHBA për arsyen e vetme se janë akuzuar se pastrojnë paratë e drogës të kartelit gjakatar Sinaloa.
Nuk ka shumë informacione në lidhje me koordinimet që mund të ketë bërë Edi Rama me Luftar Hysën. Por e qartë është, siç e ka deklaruar vetë kreu i rilindjes, që e ka pritur në zyrë dhe e ka dëgjuar, për dëshirën e tij për të investuar në Shqipëri. Pra, ka pasur takim. Ka pasur bisedime. Ka pasur licencë. Ka investime. Por gjithçka është e errët dhe shumë e vështirë të zbulohet. Duhet ndoshta SPAK të hetojë, nëse e lejojnë.
Por vendimi i Departamentit të Thesarit i Shteteve të Bashkuara të enjten e kaluar vendosi sanksione ndaj anëtarëve të familjes Hysa në Meksikë, duke e akuzuar atë se e ka përdorur perandorinë e kazinove dhe restoranteve si mbulesë për shpëlarjen e parave të kartelit meksikan, Sinaloa.
Thesari amerikan tha se “Grupi i Krimit të Organizuar Hysa (HOCG) u godit pas një pune të përbashkët mes Shteteve të Bashkuara dhe Qeverisë së Meksikës".
Pra, SHBA e kanë goditur edhe një pjesë të krahut të zgjatur të këtij karteli të rrezikshëm në Tiranë. Por pyetja që shtrohet është se çfarë do të bëjë Bashkimi Evropian me zyrën e Sinaloas në Tiranë. Zyrë që më gjithë gjasat drejtohet nga kreu i qeverisë Edi Rama. Pasi ai i ka pritur ata, i ka proklamuar, reklamuar edhe mbrojtur gjatë bisedave me mediet vendase, por edhe me ato të huajat. Nuk jam i qartë nëse ai e ka ditur ose jo që Sinaloa është grup i rrezikshëm i trafikut të drogës. Por ai po të kishte pyetur thjesht shërbimet e fshehta apo të sigurisë në vend, ato do t’ia kishin shpjeguar atë se çfarë është Sinaloa dhe gjithë miqtë e këtij karteli gjakatar.
Pra Sinaloa ka zyra në Tiranë. Dhe për këtë duhet të jenë në dijeni amerikanët, këta të Trump, se ata të Bidenit nuk u bënte përshtypje prezenca e tyre, u duhej njeriu i Sorosit ne krye të qeverisë. Kaq.
Pritet të thonë ndonjë gjë edhe këta të BE. Jo Gonzato, se ai është në Tunelin e Llogarasë duke mbrojtur ligjin për gjinitë e nuk i kap telefoni, por dikush nga Brukseli duhet të flasë. E ajo deklarata e dy ditëve me parë e Marta Kos, Komisionere e Zgjerimit, tek i thoshte mikpritësit të Sinaloas në Tiranë se “jeni frymëzim në Ballkan”, duhet të ketë nënkuptimet e veta.
Duke shpjeguar këtë jo vetëm shqiptarëve, por edhe aleatëve amerikanë që kanë futur në listën e zezë miqtë e Ramës, BE do ndihmonte indirekt edhe veten e vet. Dhe pas hapjes së kapitullit të fundit për integrimin e Shqipërisë, ndoshta do ketë edhe kapituj të tjerë.
© SYRI.net