Nga Endrit Reka - 09:45, 06/11/2025
Në një kohë kur siguria evropiane po përballet me sfida hibride dhe kërcënime të reja, Kryeministri i Shqipërisë Z. Edi Rama, në një intervistë të tij të fundit, shfaqet me një qasje të thjeshtëzuar dhe kontradiktore ndaj realitetit gjeopolitik. Deklaratat e tij për NATO-n, Rusinë dhe Bashkimin Evropian zbulojnë një përzierje të rrezikshme mes vetëbesimit dhe moskuptimit strategjik. Me këtë, ai rrezikon të zbehë rolin dhe besueshmërinë e Shqipërisë në arkitekturën euroatlantike të sigurisë.
Arsyeja e këtij shkrimi është intervista, që Kryeministri Edi Rama ka dhënë për rrjetin ndërkombëtar Al Jazeera*, në të cilën ai minimizoi rrezikun rus ndaj vendeve të NATO-s dhe kritikoi mungesën e një “plani paqeje”, nga ana e Bashkimit Evropian. Këtu po trajtoj dobësitë konceptuale dhe kundërthëniet strategjike, që dalin në pah gjatë intervistës, si edhe pasojat, që një qasje e tillë mund të ketë për pozicionin e Shqipërisë në arkitekturën e sigurisë euroatlantike.
Kërcënimet hibride janë format e luftës moderne
Në studimet e sigurisë ekziston një parim themelor: “Gjërat mund të jenë të thjeshta, por të mos i bëj më të thjeshta se ç’janë.” Kryeministri Rama, me deklaratën e tij se “Rusia nuk do të sulmojë Shqipërinë apo ndonjë vend tjetër të NATO-s”, duket se e ka keqkuptuar thelbin e këtij parimi. Në realitetin e sotëm strategjik, përplasjet klasike, (kinetike), me ushtri në terren, janë zëvendësuar nga forma të reja të luftës hibride: shantazhi ekonomik, ndikimi politik përmes financimeve të fshehta, ndërhyrjet e shërbimeve inteligjente, disinformimi dhe lufta kibernetike. Këto janë armët e reja të një agresioni, që nuk kërkon tanke për të depërtuar në një vend, por kapacitete kivbernetike dhe rrjete për ta destabilizuar atë nga brenda.
Pyetja që lind është: ku e gjen z. Rama sigurinë se Shqipëria dhe aleatët e saj janë të imunizuar ndaj këtyre formave të agresionit? Në skenarin më të mirë, një deklaratë e tillë tregon një mungesë alarmuese të qasjes strategjike; në skenarin më të keq, një shkujdesje që mund të përkthehet në vulnerabilitet konkret, madje edhe ftues ndaj armiqve.
Duke e reduktuar sigurinë kombëtare në një marrëdhënie dypalëshe “Rusi–Shqipëri”, Kryeministri e ngushton kuptimin e anëtarësimit në NATO në një status protokollar, jo në një përgjegjësi kolektive, siç parashikon edhe dokumenti “Koncepti Strategjik 2022 i NATO-s”. Ironikisht, kjo qasje është vazhdimësi e skepticizmit të tij të hershëm ndaj anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancë, kur e quante NATO-n NATË.
Por sot, më shumë se kurrë, anëtarësimi në NATO mbetet ngjarja më domethënëse e shtetit shqiptar modern - ndoshta edhe më e rëndësishme se vetë shpallja e pavarësisë, nëse shihet nga këndvështrimi i sigurisë kombëtare dhe sovranitetit të mbrojtur, prej të cilave Shqipëria ka qenë historikisht gjithmonë më e dobëta në rajoninin tonë Ballkanik të egër Ballkanik.
Fuqia e NATO-s nuk është garanci absolute
Kur KM Rama pohon, në këtë intervistë, se “NATO nuk duhet t’i frikësohet askujt, sepse është ushtria më e fortë në botë”, ai përpiqet të japë mesazhin e forcës, por bie në grackën e thjeshtimit të tepërt të gjërave. Po, NATO është aleanca më e madhe dhe më e fuqishme ushtarake e njohur ndonjëherë dhe për Shqipërinë ajo përfaqëson një garanci ekzistenciale. Megjithatë, fuqia nuk është sinonim i paprekshmërisë. Lufta në Ukrainë ka ekspozuar disa prej dobësive më serioze të Aleancës: mungesën e kohezionit në marrjen e vendimeve, vonesat në reagim, si dhe probleme të thella logjistike në prodhimin e municioneve dhe mirëmbajtjen e inventarit të arsenaleve.
Deklaratat e tipit “NATO s’ka nga kush të frikësohet” injorojnë faktin që siguria kolektive është një proces dinamik, jo një status i përhershëm. Në një mjedis ku lufta hibride, kërcënimet kibernetike dhe varësia energjetike janë kthyer në frontet e reja të përplasjes, arroganca mund të jetë po aq e rrezikshme sa edhe frika, në mos qoftë e qëllimshme.
Aleancat nuk janë teatër diplomatik
Në diskursin e tij ndërkombëtar, KM Rama përdor shpesh një teknikë të përsëritur, tashmë të kthyer në tik: për çdo lavdërim ndaj Perëndimit, ai shton një “por”. Ai shprehet se mbështet sanksionet ndaj Rusisë, por njëkohësisht portretizon Shqipërinë si “urë për dialog”. Në fakt, të gjithë e njohim “merakun” e “liderit global” kur përpiqet që ta portretizojë Shqipërinë si një “urë për dialog”. Dikush mund të këmbëngulë që ky dualizëm mund të tingëllojë si diplomaci e zgjuar, por në praktikë krijon konfuzion strategjik. Shqipëria nuk është një vend i paangazhuar; ajo është anëtare e NATO-s dhe vend kandidat për Bashkimin Evropian - pra pjesë e një arkitekture të përbashkët sigurie dhe vlerash, dhe jo një vend asnjanjës, lideri i të cilës ka dalë në ekspeditë zbulimi vendesh ekzotike.
Të vendosësh veten në rolin e “ndërmjetësit”, mes palëve që përfaqësojnë demokracinë dhe agresionin, do të thotë të zbehësh linjën ndarëse mes tyre. Diplomacia e matur nuk nënkupton ekuilibër artificial; ajo nënkupton pozicionim të qartë mbi parime të shëndosha.
Deklarata se “Fakti që BE nuk ka një plan paqeje më duket shumë i çuditshëm” tregon jo vetëm mosinformim por edhe një përpjekjeje të vetëdijshme për ta relativizuar situatën. Bashkimi Evropian ka mbështetur prej kohësh planin me 10 pika të paraqitur nga Ukraina - një kornizë që mbështetet mbi parimet e sovranitetit, përgjegjësisë dhe drejtësisë ndërkombëtare. Problemi nuk është mungesa e planit, por refuzimi i Kremlinit për t’u ulur në tryezë. Duke ia atribuar Brukselit “mungesën e diplomacisë”, Z. Rama përpiqet të projektojë veten si zë racional në një Perëndim të “çoroditur”. Në fakt, kjo duket si një strategji komunikimi që i shërben më shumë imazhit personal sesa interesit kombëtar - një formë e re e “balancës për publicitet” ose një përpjekje për të instrumentalizuar diplomacinë në zgjidhjen e problemeve në “shtëpi”.
Siguria nuk matet me patriotizëm emocional
“Jam shqiptar, ne nuk kemi frikë” - tingëllon si thirrje morale, por në kontekstin e sigurisë kombëtare ajo është një frazë krejtësisht e pavlefshme. Frika nuk është dobësi, por mekanizëm paralajmërues. Në një vend ku infrastruktura kibernetike mbetet ndër më të brishtat në NATO, një vetëkënaqësi e tillë është e rrezikshme. Sulmet kibernetike të vitit 2022, që ekspozuan të dhënat personale të mijëra qytetarëve, treguan se Shqipëria është hallka më e dobët e zinxhirit euroatlantik - “zinxhiri është aq i fortë sa ç’është hallka e tij më e dobët.” Qendra e Ekselencës së Mbrojtjes Kibernetike e NATO-s, i referohet pikërisht kësaj çështjeje duke theksuar faktin se strukturat kibernetike, duhet të jenë që në fazën e idesë të konceptuara strukturalisht si “ripërtëritëse (resillient). Faktet tregojnë një dështim të plotë në këtë drejtim. Prandaj, do të ishte më e udhës që në vend të retorikës “trimëruese e populiste”, të përpiqej pak për t’i siguruar Shqipërisë një strategji të vlefshme kombëtare të mbrojtjes kibernetik, e cila të përputhej me standardet minimale të NATO-s dhe BE-së.
Asnjë lider serioz nuk mund të flasë për çështje sigurie me tonin e një pajtuesi gjaqesh.
Në përpjekjen për t’u dukur si “zëri i arsyes” midis Lindjes dhe Perëndimit, KM Rama bie, ose hidhet me vetëdije, në grackën e relativizmit moral. Siguria nuk kërkon paqe me çdo kusht; kërkon qartësi mbi burimin e kërcënimit dhe strategji kolektive funksionale dhe afatgjatë në përballimin dhe mbajtjen nën kontroll të tij.
Në një epokë ku siguria është bërë funksion i qëndrueshmërisë institucionale dhe kohezionit strategjik, udhëheqja nuk matet me fjalë të mëdha në media, por me përputhjen midis fjalës dhe veprës në arkitekturën e aleancës euroatlantike. Shqipëria nuk ka luksin e një lideri i cili pretendon të jetë ‘global’, kur sfidat e saj janë thellësisht vendore dhe euroatlantike.
© SYRI.net