Një shoqëri që nuk skandalizohet më

Një shoqëri që nuk skandalizohet më

Nga Hysni Gurra - 05/11/2025

Korrupsioni i Rilindjes në Shqipëri nuk është më një lajm; është një zakon kombëtar.

Nga milionat e vjedhura me inceneratorët që nuk ekzistojnë, tek koncesionet miliardëshe në shëndetësi që s’shërojnë askënd, tek rrugët e tunelet që gllabërojnë para pa fund dhe përsëri shqiptarët paguajnë kur kalojmë mbi to, ku 2.5 euro, ku 6 e ku 5.

Nga portet që shiten qyl tr arabët, tek projektet që betonizojnë gjithçka që mund të blihet e shitet.

Çdo ditë shohim miliona që zhduken — dhe asnjë qindarkë që kthehet pas. Dhe përsëri, asgjë nuk ndodh.

Asnjë valë zemërimi, asnjë revoltë e brendshme. Heshtje. Një qetësi që flet më shumë se çdo deklaratë politike.

Pyetja që qëndron pezull është e thjeshtë dhe e tmerrshme:

Pse nuk ngrihet populli?

Shpjegimet e zakonshme — frika, varfëria, mungesa e shpresës — janë të pjesshme.

E vërteta është më e dhimbshme: ne jemi bërë bashkëfajtorë në heshtje. Kemi ndërtuar një kulturë ku pushteti nuk na skandalizon më, sepse secili nga shumicia e këtij populli ka të ngulitur në mendje një parim që ekziaton vetëm në këtë vend, ‘do bënte të njëjtën gjë po t’i jepej rasti të ishte në vendin e Ramës, Veliajt, Belindës…etj.

Në një shoqëri ku “shkathtësia” vlerësohet më shumë se ndershmëria, ku mashtrimi quhet zgjuarsi dhe morali është pengesë për sukses, korrupsioni nuk është sëmundje e qeverisë — është pasqyra jonë kolektive.

Nuk është e vështirë të kuptosh pse.

Brezi i vjetër jeton ende me mitin e nënës parti e udhëheqësit të lavdishëm, për të cilin çdo sakrificë ishte e shenjtë dhe çdo kritikë ishte mëkat. Ata nuk kërkojnë drejtësi, as pensione, as i laçe a kujdes social, por nostalgji.

Brezi i ri, ndërkohë, rritet në shkolla që mësojnë bindje, jo mendim. Diploma pa dije, nota pa përmbajtje, njerëz që nuk mësojnë të pyesin, por vetëm të përsërisin. Rezultati është një shoqëri që nuk e di më si të mendojë.

Një shoqëri që reagon vetëm ndaj spektaklit, jo ndaj së vërtetës. Madje të vërtetës i qaset me përbuzje e dyshim, i rri larg si djalli temjanit.

Kjo është arritja më e madhe e pushtetit të sotëm: jo vedhja, por injoranca e rehatshme.

Një operacion i gjatë që ka shndërruar qytetarët në spektatorë.

Korrupsioni i tyre është thjesht shenja më e dukshme e korrupsionit tonë të përditshëm: në mënyrën si heshtim, si pranojmë, si justifikohemi.

Nuk është më frika që na mban, por mospërfillja.

Një popull që nuk skandalizohet, nuk mund të reformohet.

Në fund, pyetja që mbetet nuk është më “çfarë bën qeveria?”, por “çfarë jemi bërë ne?”.

Nëse çdo pushtet është pasqyra e popullit të vet, atëherë pamja që shohim sot është reflektimi më i qartë i një shoqërie që ka harruar ndjenjën e turpit.

E kur turpi zhduket, çdo vjedhje bëhet e mundur. Dhe çdo heshtje — një lloj pëlqimi.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco