Nga Meri Lika - 14:30, 04/11/2025
Tashmë korrupsioni ka arritur në majën e pushtetit në Shqipëri dhe ai nuk fshihet më. Tanimë korrupsioni ka një formë tjetër: arsyetohet. Sot, kur kapesh me tender të korruptuar duhet të thërrasësh në ndihmë gjeopolitikën.
Kështu ndodhi edhe me rastin e Belinda Ballukut për Tunelin e Llogorasë. Në një tekst të shkruar nga z. Baton Haxhiu, të cilën e vetëquan analizë, por që në fakt është një mbrojtje prokuroriale, ai shpjegon se çështja nuk është juridike por “konceptuale”. Sipas këtij shkrimi SPAK nuk duhet të hetojë Belinda Ballukun, për një arsye shumë madhore, sepse projekti ka qenë “vendim gjeostrategjik”.
Çfarë nevoje kishte Shqipëria në vitin 2021 për t’i dhënë përfitime një firme turke në mënyrë që Erdogani të kthente sytë nga ne? Në vitin 2021 i vetmi që kishte nevojë për trafik influencash ka qenë Edi Rama, i cili e thirri Erdoganin në një mbështetje për partinë dhe pushtetin e tij. Nuk e kam ditur se interesat e një partie për të mbajtur pushtetin qenkan gjeopolitike!
Me këtë logjikë, një tender publik që kap qindra miliona euro, nuk duhet të matet me ligj, por me “Maliq”. Sipas logjikës së gjeo-politicienëve, një kontratë që u anulua dhe u rihap me çmim të dyfishuar, nuk është çështje për hetim, por për falënderim diplomatik. Dhe një ministër që firmos, nuk është përgjegjës, sepse vendimin e ka marrë “shteti i vogël për të mbijetuar”. Po nga kush po rrezikoheshim?!
E kam kaluar gjysmë shekulli jetë, por asnjëherë nuk kam dëgjuar se shteti mbijetoka duke shkelur ligjin dhe jo duke e zbatuar atë.
Sipas mendimit tim, ajo që z. Haxhiu e quan “gjeopolitikë” është thjesht korrupsion me vulë diplomatike. Një mënyrë për t’i dhënë një ngjyrë patriotike një afere të pastër klienteliste.
Po e them më qartë atë që mendoj: nuk ka “gjeopolitikë” që e justifikon shkeljen e ligjit për tendera. Nëse qeveria dëshiron të bashkëpunojë me Turqinë, ka qindra mënyra për ta bërë këtë brenda kornizës ligjore, marrëveshjeve shtetërore, projekteve të përbashkëta, investimeve transparente.
Kjo nuk është diplomaci. Është pazar i mbuluar me flamurin gjeopolitik.
Përpjekja e z. Haxhiu për të justifikuar korrupsionin, domethënë që të vendosi vetulla, e çoi drejt nxjerrjes së syve.
Në shkrimin e tij, ai e tejkalon rolin e opinionistit dhe futet në procesion e një “avokati qeveritar”. Ai mbron Belinda Ballukun me një ton që jam e sigurt nuk besoj ta ketë as e motra e saj në rolin e avokates
Sipas tij, prokurori Prençi “ka parë shkronjën, por jo skenën”. Por në fakt, ai vetë nuk ka parë as ligjin, as skenën, vetëm regjizurën politike të Edi Ramës.
Në vend që të flasë për faktet, z.Haxhiu na flet për Erdoganin pas tërmetit, për “ndihmën e dhënë”, për “kujtesën e dhimbjes së përbashkët”. E gjitha kjo për të ndërtuar një skenografi emocionale që synon të mbulojë realitetin e thjeshtë: një tender publik, me shkelje të procedurave, që ka prodhuar një dosje penale.
Në çdo vend normal, ky mund të ishte argumenti i parë i avokatit mbrojtës, por në Shqipëri, këtë rol e merr një gazetar!
Në fakt, lidhja mes Tiranës dhe Ankarasë nuk është as “strategjike” dhe as “shpëtimtare”. Është një aleancë politike e shfrytëzuar nga Edi Rama për përfitim elektoral.
Në fushata zgjedhore, Erdogan shfaqet në ekranet shqiptare si “vëllai i madh”. Shfaqet për të dhënë “dhurata”: shtëpi, spitale, projekte, që pastaj përdoren në propagandën e brendshme të Rilindjes.
Por në prapaskenë, këto dhurata kthehen në kontrata. Dhe kontratat në influencë politike dhe para.
Turqia fiton terren ekonomik dhe simbolik në Shqipëri.
Rama fiton imazh, ndikim dhe vota.
Kurse ne bërtasim njëjtë si, aktori italian i humorit, Totó: “e io pago”.
Shkrimi përfundon me fraza të mëdha: “Në politikën e jashtme nuk ka tenderë, ka ekuilibra.”
E bukur për në një fjalim diplomatik, por absurde për një proces penal.
Po, në politikën e jashtme ka ekuilibra, për sa kohë nuk shitet e nuk blihet vendi dhe as paratë e taksapaguesve shqiptarë.
Nuk ka “ekuilibër shtetëror” që justifikon tejkalim të çmimeve, favorizim kompanish apo shkelje të ligjit të prokurimeve.
Në Francë, SHBA apo Gjermani, të cilat përmenden në shkrim, po të dalë një ministër që favorizon një kompani me arsyetimin se “ishte gjeopolitikisht e rëndësishme”, ai përfundon në gjykatë, jo në talk show, e as në rreshtat e një shkrimi mbrojtës të një gazetari.
Rasti i Tunelit të Llogorasë është më shumë se një aferë ekonomike. Është simbol i mënyrës se si pushteti përzien politikën e jashtme me biznesin e brendshëm.
Kur gjeopolitika përdoret për të mbrojtur korrupsionin, ajo pushon së qeni strategji dhe bëhet justifikim. Kur një gazetar mbron pushtetin në emër të “shtetit”, ai nuk mbron të vërtetën, ai zëvendëson drejtësinë me retorikë dhe mundohet të devijojë lexuesin.
Sa më shumë të bërtasin servilët e pushtetit për të justifikuar vjedhjen, aq më shumë bindem se Margaret Thatcher këtë ka patur parasysh kur tha se pushteti është njëjtë si të qenit zonjë; sa më shumë të bërtasësh për t’iu treguar të tjerëve që je zonjë, aq më shumë vërteton se nuk je e tillë.
Dhe për aferën e tunelit të Llogorasë, sa më shumë bërtitet për të treguar se nuk është korrupsion aq më shumë vetë-tregojnë të kundërtën.
© SYRI.net