Nga Ndriçim Kulla - 12:39, 03/11/2025
Erioni i detyruar nga rrethanat e tij, denoncoi, por mbyturazi sistemin që ka krijuar regjimi, duke shprehur diçka nga represionin që ka gjunjëzuar në çdo krahë arsyen.
Kryebashkiaku i Tiranës, i akuzuar për korrupsion dhe që ndodhet në paraburgim pohoi disa të vërteta, të cilat pavarësisht se duhej ti kishte thënë më parë, të drithërojnë, sidomos kur ato i bën publike nga salla e një gjyqi në gjykatën më eprore të vendit që është Gjykata Kushtetuese.
“Më kane rrëmbyer si kryebashkiakun e Medelinit në Kolumbi”- u shprehë Veliaj në sallën e gjyqit para avokatëve dhe gjyqtarëve.
Jam i bindur se të pranishmit në atë salle drejtësie, duhet të kenë pyetur veten: Ku jemi vallë?!
Ky moment shpreh qartë padrejtësinë, sepse në fund të fundit, çështja e drejtësisë së Erion Veliaj do vazhdojë gjatë, por ajo që është më e rëndësishme, është se kjo dëshmi e forte e thënë nga një drejtues i lartë, i heq perden regjimit dhe na nxjerr përpara pamjen e diktaturës. Dëshiroj në këtë prononcim të mos merrem me përgjegjësinë e Veliaj, i cili shumë apo pak ka qenë bashkëpunëtor i kryearkitektit të këtij regjimi dhe aq më shumë me një kompromis vetëvrasës, të tejskajshëm, ka heshtur përpara kërcënimeve personale të diktatorit, kur e paralajmëroi dikur, se do varesh tek degët e kësaj peme. Pema e mbushur plotë, me gjembat dhe prangat e varura të diktaturës, si një profeci u rrit, u zgjerua, me ligje, rregulla dhe një polici që di vetëm të helmojë me gaz lotsjellës dhe vargonj të tjerë dhe sot, ka arritur që të hajë një nga një bijtë e vetë.
Duke qenë dashamirës ndaj tij, përballë akuzave të nxehta që i kanë bërë, të shprehura edhe me protesta të zemëruara, i kam kërkuar publikisht që të gjej mënyrën dhe të jap dorëheqjen, duke e lënë nderin dhe dinjitetin e tij ta rivendos një gjykim nga drejtësia.
Nuk e bëri.
Me qëndrimin refuzues, si pjesë e kastës së këtij regjimi, nuk kishte besim tek përbindëshi i drejtësisë që kishin krijuar me duart e tyre dhe në këtë mënyrë dha mesazhin e koduar me veprimin që mbajti, se reforma në drejtësi ishte krijuar për tu bërë varrin me gjyqe, përndjekje dhe gjykime të montuara vetëm kundërshtarëve politikë dhe jo atyre që ishin regjimi.
Ai u tregua refraktar përballë akuzave të tilla publike dhe zgjodhi rrugën e kokëfortësisë, duke e rënduar edhe më shumë dyshimin për korrupsion. Ky është një modeli i krijuar nga partia - shtet, që është instaluar në vendin tonë dhe që e ka transformuar drejtësinë në një xhungël të vërtete dhe shtetin në kapon e kësaj xhungle.
Misteret e të vërtetave që pohoi Veliaj vetëm disa çaste pa pranga ne duar, të bëjnë të fantazosh, të supozosh dhe të udhëtosh në errësirën e krimit. Janë disa të vërteta që diktatura i ka mbuluar, sa me forcë dhe aq me propagandën gebelsiane, së cilës i ka vendosur një imazh ndryshe nga çfarë është në katin e parë të ndërtesës së Tabil Saraj dhe vetëm disa hapa larg kërpudhës gjigante surrealiste të Carsten Holler , që ka në oborr e cila nënkupton mesazhin e saj; krim, propagandë dhe art.
Tek Erion Veliaj me pranga në duar dukej edhe një herë, fytyra e padrejtësisë së një regjimi, i cili krijon pa barazi në çdo aspekt të qenies së tij.
Por kjo që po them kërkon dhe pak sqarim.
Tek i pandehuri Erion Veliaj nuk është se duket një viktimë e ligjit që po i bëjnë një padrejtësi, ku fabula e tij e kallëzimit penal nuk përputhet me hapësirat ligjore për të cilën është denoncuar .Por ndaj tij janë përjashtuar shume të drejta për tu gjykuar normalisht si njeri i lire, i cili duhet të thotë i lire ,atë që do dhe ka të drejt që ta thotë, në çdo kohë dhe etapë të gjykimit të tij.
Pra drejtësia politike e reformës, e thurur korridoreve të fshehta të saj , (ku fondacioni Soros tërhoqi fijet), dhe ku ka lëvizur poshtë e lartë me pasion të pa lëkundur për lobime edhe vetë Erioni, sot e ka kthyer në një viktimë, jo të akuzave ndaj tij, por të gjykimit jo të drejtë ndaj tij.
Larg një realiteti në kohë, rreth një viti më parë Erjoni fluturonte me një entuziazëm të pa fre , nga fitorja në fitore, i dyti në ballë, fill mbas zotit të regjimit dhe të partisë-shtet, ndërsa tashti denoncon një realitet tjetër politiko- shoqëror që ka probleme me demokracinë. E quan drejtësinë politike dhe veten të përndjekur politikë.
Në fakt, me mënyrën se si po gjykohet edhe rasti tij , nuk bie era drejtësi gjyqësore dhe në lidhje me këtë problem, ai duhej të ishte i ndërgjegjshëm sot ,se ky është stili i drejtësisë që ka gatuar reforma sorosiane.
Erion Veliaj thotë se është i përndjekur politik. Ndonëse kjo është komplekse, mënyra represive e rastit të bën të mendosh se ka të vërteta në mes, por duhet qartësuar, mbasi kjo është luftë brenda lloji.
Mund të ketë edhe fakte të tjera që ai nuk guxoi ti thoshte, dhe ne vetëm sa mund të hamendësojmë, se çfarë po ndodhë brenda në errësirën e krimit.
Ai duhet që ta kapërcejë ngërçin e madh të frikës që e ka mbërthyer dhe të shprehet qartë, se kush po e përndjek politikisht?
Kush e shkatërroi demokracinë në Shqipëri që ai denoncoi me të drejtë ?
Kush e rrëmbeu si mafia e karteleve kolumbiane?
Pavarësisht nga dilemat e mëdha të tij që ka brenda vetes, ai e di mirë se kush e instaloi diktaturën që përndjek dhe keqtrajton edhe regjimtar si Eroni dhe të tjerë dhe të tjerë.
Nuk ka rrugë tjetër përveçse përballjes dhe kjo është e vlefshme për këdo që i bëhet pa drejtësi pavarësisht nga rrethanat e gjithsecilit.
Padrejtësitë sot në këtë vend, nuk i bën opozita që lufton me diktaturën dhe s’ka se si ti bëjë. As populli opozitar që shtypet e shfrytëzohet mizorisht.
Padrejtësitë i bën Rama dhe regjimi i tij, drejtësia sorosiane e padrejtësive të mëdha dhe të gjitha institucionet që janë nën thundrën e diktatorit.
Për një përballje të tillë duhet të përgatiten edhe viktimat e luftës brenda llojit të regjimit, në se duan vërtetë lirinë dhe drejtësinë e tyre dhe do ishte fisnike ti bashkoheshin popullit opozitar..
Ndryshe do mbeten jo vetëm viktima, por dhe të përçmuar.
© SYRI.net