Po sikur gafa e Ramës ndaj Trump të ishte e paramenduar?

Po sikur gafa e Ramës ndaj Trump të ishte e paramenduar?

Nga Genc Burimi - 03/10/2025

Ky shkrim bazohet në hipotezën se Kryeministri i Shqipërisë ka krijuar bindjen, e drejtë ose të gabuar, se një sezon gjuetie ndaj tij është hapur nga njerëz të afërt të Donald Trump dhe se gjahtarët herët a vonë mund ta kenë në duar «skalpin» e tij. Motivacioni i përndjekësve është aq i madh sa dhe «antidota» Toni Bler, mik i ngushtë si me Ramën dhe me dhëndrrin e Trump, nuk arrin të bëjë efekt neutralizues.

Në pjesën e parë të këtij shkrimi do të analizojmë strategjinë e Ramës se ku do të dalë me shakane e tij. Kjo strategji është e diktuar nga analiza në pjesën e dytë të shkrimit që i kushtohet portretit të një prej "gjahtarëve" amerikanë më të tërbuar në këtë moment ndaj disa ish-kokave të FBI-së, Xhorxh Papadopoulos, ish-këshilltar në mandatin e parë të Trump që ka botuar sot në vëmendje të Edi Ramës një foto të këtij të fundit me Mac Gonigal.

‘Shpëtimi’ te Europa
Kur sheh dhe rishikon skenën e filmuar në Kopenhagë të treshes Ramë–Aliev–Macron që zbavitet me shakanë anti-Trump të Kryeministrit shqiptar, e ke të pamundur të mos besosh se ky i fundit, mjeshtër i komunikimit, e injoronte se ajo pamje dhe thënia e tij do të bënin xhiron e botës.

Rama kishte arritur të tërhiqte vëmendjen e planetit me dy dalje të tjera publike pa pikë interesi real si projekti i «Vatikanit bektashi» në Tiranë (që u harrua totalisht) apo ministrja e Inteligjencës Artificiale. Afermendsh që Rama priste të njëjtin rezultat lajmi botëror me gjestin dhe fjalët tallëse ndaj Trumpit.

Për më tepër, duke i futur krahun presidentit më të rëndësishëm në gjirin e BE-së, Macron-it, të cilin e bën të qeshë me hir a me pahir në prani të një lideri ‘armik’ të Francës si Alievi i Azerbajxhanit, vend që Franca e ka akuzuar për provokime në Nouvelle-Calédonie, territor francez në Paqësor. Të gjithë këto elemente të marra së bashku krijuan një koktej “eksploziv” në fushën e komunikacionit, dhe që funksionoi.

Të parët që e dhanë lajmin, qenë agjencia kombëtare e informacionit të Azerbajxhanit APA, jo aq për të treguar se presidenti Aliev merrte pjesë në talljen ndaj Trumpit, sesa për të shfaqur Alievin dhe Macron-in bashkë pas një situate diplomatike tepër të vështirë dhe të tensionuar midis Francës dhe Azerbajxhanit. Pak ditë më parë edhe presidenti italian Mattarella ishte në Baku për t’u takuar me Alievin. Gazi i Azerbajxhanit furnizon Italinë nëpërmjet TAP-it që kalon nga Vlora.

Po me këtë temë, ku populli shqiptar nuk fiton asnjë qindarkë, Ramës nuk i ka ënda as interesi të bëjë shaka. Shakaja i duhej me Trumpin në gjirin e europianëve. Nëse nesër “gjuetia e shtrigave” në Uashington ndaj Ramës ashpërsohet, siç i frikësohet Kryeministri shqiptar, sidomos me zëvendësimin e kreut të SPAK-ut në fund të vitit, mbrojtja më natyrore, shpreson Rama, mund t’i vijë nga Europa që nuk ka interes në këtë moment për alternancë të parakohshme në një vend pro-europian si Shqipëria, krahasuar me Serbinë destabilizuese fqinje.

Nëse ky skenar ndodh, ai i këmbënguljes amerikane për të ndëshkuar Ramën në vorbullën e larjes së hesapëve në dosjen FBI, siç do ta shohim në pjesën e dytë, atëherë Kryeministri shqiptar do të kishte një alibi fantastike te europianët me argumentin se po ai sakrifikohet thjesht për një shaka që bëri me Trumpin.

Është e garantuar që në një situatë të parashtruar kështu, mediat europiane, sidomos ato franceze të njohura për pozicionimin e tyre haptazi anti-Trump, që e konsiderojnë si vulgar, do t’i dilnin në krah Kryeministrit të pafajshëm të një vendi të vogël si Shqipëria, që perandori amerikan po e ndëshkon për një fjalë goje.

Po ku bazohet frika e Ramës se diçka shumë serioze po luhet kundër tij në Uashington?

Xhorxh Papadopoulos, ish-këshilltari i Trump me ndjenjë hakmarrjeje si personazhi i Kontit të Monte Kristos

38 vjeç sot, Xhorxh Papadopoulos nga familje greke, ishte më 2016 një nga këshilltarët më të rinj dhe më me influencë të presidentit të sapozgjedhur amerikan Donald Trump. Dhe është ai, Papadopoulos, që u sakrifikua për Trump në dosjen e influencës ruse në zgjedhjen e Trump, dosje e qendisur nga FBI në bashkëpunim me CIA-n me urdhër të demokratëve, sipas akuzave që bën sot kampi i Trump-it. Ish-këshilltari i ri në moshë i Trump-it, që u akuzua në mënyrë skandaloze sipas tij si bashkëpunëtor me rusët, u gjykua dhe u dënua me burgim. Një brengë që Papadopoulos e ruan edhe sot, ndonëse Donald Trump e amnistoi në fund të mandatit të tij të parë.

Por, si tek romani i Dumas, Konti i Monte Kristos amerikan kërkon të shohë të ndëshkohen komplotistët e vërtetë që e çuan në burg dhe ai vetë të lahet nga një krim që nuk e ka bërë, krimi i bashkëpunimit me rusët për fitoren e Trump-it më 2016. Ndër komplotistët, figuron për Papadopoulos-in sigurisht edhe McGonigal. Por dënimi i këtij të fundit qe i pamjaftueshëm, për më tepër në një proces që s’pati lidhje me dosjen ku u dënua Papadopoulos, ajo e ndërhyrjes së Rusisë në fushatën e parë të Trump-it.

Papadopoulos me Trump kërkojnë drejtësi dhe për këtë synojnë edhe shumë më larg, te ish-shefat e CIA-s dhe të FBI-së. Jo më larg se qershori i kaluar, Washington Times botonte këtë titull: ‘Papadopoulos afirmon se Drejtësia disponon një dosje prej betoni kundër Brennan dhe Comey në hetimin për Rusinë’. Brennan qe shefi i CIA-s në 2016, ndërsa Comey shefi i Mac Gonigal-it, të cilëve Papadopoulos nuk ua fal burgun që bëri.

Ky ishte preludi i rrokullisjes së ngjarjeve me një shpejtësi marramendëse që do të ndodhte më pas. Në fundjavën e fundit të shtatorit, me kërkesë personale të presidentit amerikan Donald Trump, ish-kreu i FBI-së, James Comey, u vu zyrtarisht në statusin e të pandehurit nga drejtësia amerikane për falsifikim të dosjes ruse. Është e njëjta dosje që i kishte vlejtur burgim të padrejtë, sipas tij, ish-këshilltarit të tij më 2016, Xhorxh Papadopoulos-it.

 Ishte Trump që vuri në ndjekje të ish-shefit të FBI James Comey një ndihmëse të ngushtë të presidentit amerikan, Lindsey Halligan, për të përshpejtuar procedurat e ngritjes së padisë që u bë pra efektive këtë shtator.

Me siguri që procesi ndaj ish-shefit të Mac Gonigal, James Comey, do të kërkojë që të rimerret nën hetim edhe Mac Gonigal. Në këtë kontekst inkandeshent kur bëhet fjalë për akuzë komploti ndaj vetë ish-shefit të FBI-së, ndodhin njëra pas tjetrës dy të papritura: shaka pa kripë e Ramës kundër Trump pranë Macron-it, ndjekur nga një status enkas për Ramën, botuar në rrjetet sociale amerikane nga vetë Xhorxh Papadopoulos, viktima e FBI-së më 2016.

Është një status i frikshëm, i ngjashëm me ato mesazhet për hakmarrje të Kontit të Monte Kristos: një fotografi nga Kryeministria e Shqipërisë me Edi Ramën dhe Mac Gonigal krah për krah! Mesazhi i Papadopoulos-it, që pa dyshim duhet konsideruar si dhe ai i Donald Trump-it, përmban këto fjalë:

“Charles McGonigal është fotografuar këtu me kryeministrin shqiptar ndërsa ai po pranonte ryshfete. Ai gjithashtu drejtonte hetimin "Crossfire Hurricane" me Comey në të njëjtën kohë. Ai tani është i burgosur. A do të rrëzohet edhe ai?”

Për të dënuar ish-shefin e FBI-së, James Comey, amerikanët e Trump-it kanë nevojë akute të rihapin dosjen e McGonigal-it, që është dënuar një herë, por për tjetër gjë. Të gjitha rrugët të çojnë nga Tirana ku McGonigal ka bërë dhe aferat më të rënda korruptive, ndaj dhe fotografia e botuar nga Kryeministria e Shqipërisë.

Në këtë kusht Rama bën llogaritë se, po shkoi puna keq, të gjitha rrugët e shpëtimit për të do ta çojnë nga Parisi dhe Brukseli që s’mund ta pranojnë, shpreson Rama, që ky të ndëshkohet thjesht për një fjalë goje, për një shaka që bëri në Kopenhagë me Trump-in. Veçse gjërat janë shumë më të thella dhe të komplikuara. Rama në këto momente nuk e ka më fatin e tij në dorë në dosjen McGonigal. Ndaj atij i duhet të rezistojë edhe me ndihmën e europianëve, po qe nevoja, të paktën një vit deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare amerikane të mid-terms, ku Rama, si Aleksander Soros dhe shumë liderë europianë shpresojnë që Donald Trump të humbasë shumicën në Kongres…

Gjatë kësaj kohe, liderit shqiptar s’i mbetet veçse të presë dhe të forcojë pushtetin. Zgjedhja “rrufe” në Tiranë këtij qëllimi i shërben, t’u tregojë europianëve se ai është lider i pakontestueshëm në vendin e tij dhe se s’duhet lënë Donald Trump me hakmarrjen e tij të destabilizojë këtë vend të vogël e paqësor në mesin e një Ballkani të trazuar. Për më tepër, që Papadopoulos po kërkon edhe "kokën" e Micotaqisit në Greqi, të cilin e konsideron si anti-Trump nga mpleksja e tij e madhe në të kaluarën me kampin demokrat.

Në këtë mesele pa fund e krye, Tirana po i shërben Ramës si trampolinë riligjitimimi.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco