Ku ishe ti, Adam?

Ku ishe ti, Adam?

Nga Reldar Dedaj - 21/09/2025

Titulli i këtij shkrimi është marrë nga romani i Heinrich Böll-it, i cili e vuri përballë përgjegjësisë njeriun e parë të botës, për atë që kishte ndodhur në Gjermani gjatë kohës së nazizmit.Shkrimtari i madh gjerman e ktheu këtë pyetje në titull romani, duke ngritur mbi kuptimin e saj një anatemë letrare kundër tmerreve të luftës.

“Ku ishe ti, Adam?”, pyetja që Böll e hodhi në ajrin e pasluftës, tingëllon edhe sot, shtatëdhjetë e gjashtë vjet më pas nga botimi i parë i romanit. Në hapësirën publike shqiptare -dhe jo vetëm- kjo pyetje përdoret për të shënjuar mungesën ose vonesën e një veprimi vendimtar, për të kërkuar llogari nga ata që kishin detyrën, premtimin apo votën e qytetarëve, por bënë të kundërtën: tradhtuan.

Ku ishe ti, Adam?

Ishte pyetja që shpërtheu në mendjen e shumë qytetarëve kur lajmi për largimin e ambasadores amerikane Yuri Kim u përhap me shpejtësinë e dritës. Lajmi mbërriti në një vend që po vuan një nga krimet më të rënda dhe më të paimagjinueshme të një gruaje  -më parë si femër, pastaj si diplomate- e cila përfaqësonte një nga shtetet më të fuqishme të botës.

Është e vërtetë se në Shqipëri ka njerëz që nuk e duan Partinë Demokratike. Janë ata që kanë humbur privilegjet e dikurshme, pushtetin, arrogancën, gjithçka - madje edhe dinjitetin. Janë ata që gëzohen në heshtje kur PD dështon, me shpresën që, nëse ata vetë nuk gëzojnë, të mos gëzojë askush. Një ndjenjë e tillë është e kuptueshme, madje tipike për Ballkanin.

Por të thuash hapur të vërtetat e hidhura të kësaj periudhe, nuk do të thotë të mohosh rëndësinë e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, as peshën që kanë pasur dhe që do të kenë edhe në të ardhmen. Të vërtetën nuk e shmang dot duke i rënë anash, siç bëjnë disa të rrahur me vaj e me uthull, ose si disa bishtukë të rinj të dalë nga veza e kuqe e politikës.

Përkundrazi: sa më lakuriq të shfaqet e vërteta, aq më pa kuptim bëhet grindja. Kur mbreti të dalë lakuriq, si në përrallën e Andersenit, gjithkush do ta shohë dhe do ta thotë. Dhe emri i saj do mbetet i gdhendur në kornizën e turpit, si gruaja që shpërdoroi pushtetin e përfaqësimit dhe, krah për krah me Edi Ramën, bëri gjithçka për të shkatërruar forcën më të madhe opozitare të vendit.

Të gjithë ata që ranë pre e këtij kurthi dhe nuk janë pak, tëgjithëataqë u shitën, edhe ata që e dinin dhe bënin sikur Amerika kishte zbritur në sheshin “Skënderbej” për të vendosur rregull,pas premtimit solemn të ambasadores në shkallët e PD-së, të gjithë ata, pa përjashtim, u shkon më për shtat fjala e Krishtit: “Fali, Zot, se nuk dinë ç’bëjnë”. Sulmi ndaj Partisë Demokratike la demokratët për vite të tëra tek gryka e pusit dhe dita-ditës kutërbimi veçse shtohet, avujt mbytës ngrihen dhe bien përsëri në errësirë, për të shpërthyer sërish.

Aty poshtë vazhdon e nxin. Askush nuk merr përgjegjësi për gjendjen ku u katandis Partia Demokratike, për mënyrën se si u sakatua, u përça, u bjerr dhe u vra. Ashtu siç bënë me Partinë Demokratike, ashtu bënë edhe me Shqipërinë: e rrudhën, e rrjepën, e mjeruan, e poshtëruan. Yuri Kim, autorja e këtij krimi, erdhi, qëndroi,dhjeu, shkeli, shpërlau, doroviti dhe iku. Pas la të palarat dhe erën e rëndë të tyre. Një erë që do të qëndrojë gjatë. Shumë gjatë.

Shqipëria e përdhunuar, e poshtëruar, e zhveshur nga çdo dinjitet, e kthyer në një provincë të denjë për personazhe çehovianë e gogolianë, ku zyrtarë të mjerë dhe pushtetarë të pamëshirshëm e të egër në primitivizmin e tyre, prodhojnë institucione të brishta morale, riciklojnë korrupsionin dhe shndërrojnë humbjen në ligj të përditshëm. Gënjeu dhe mashtroi përfaqësuesja e SHBA-së në Shqipëri. Iku dhe la pas rrënoja. Shqipëria nuk ka më asgjë: as demokraci të fortë, as institucione të pavarura, as drejtësi, as ekonomi, as rend, as kulturë.

Gjendja e sotme është strehë e jashtëzakonshme e vagabondëve të administratës, e injorantëve, e matrapazëve dhe e derdimenëve. Janë futur në fytin e vendit dhe ia marrin frymën. Por askush nuk flet. Sepse të gjithë kanë përfunduar në lakejtë zgjebosur të Edi Ramës dhe pushtetit të tij. Ata nuk pushojnë së promovuari pronarët e tyre, interesat e tyre politike dhe ekonomike, ndërsa Shqipëria përpëlitet në kufijtë e mbijetesës.

Ku ishe ti, Adam?

Nëse e pyet shqiptarin pse vendi përfundoi kështu, do marrësh përgjigje nga më të ndryshmet: njëri ia lë fajin masakrës zgjedhore, tjetri frikës, militantizmit, injorancës, korrupsionit, të kaluarës. Dikush tjetër bën eskursione filozofike, një tjetër gënjen me qëllim, por të gjithë, pa përjashtim, përpiqen të minimizojnë rolin e vet në këtë dështim.

Dhe, në fund, kur i rikthehemi kuptimeve që teologët i kanë dhënë pyetjes së famshme, zbulojmë diçka interesante për kontekstin tonë: Zoti e di ku është Adami dhe e di gjithashtu për mëkatet e tij, por duke e thirrur, dëshiron ta dëgjojë, t’i japë mundësinë të flasë me gojën e vet...

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco