Nga Reldar Dedaj - 08:36, 19/09/2025
Regjimet autoritare shemben pikërisht atëherë kur ndihen më të fortë se kurrë. Pasi kanë poshtëruar mirë e bukur popullin e tyre, pasi ia kanë zhytur thikën aq thellë në palcë, pasi i kanë mpirë çdo nerv reagimi, pasi mendojnë se i kanë shuar deri në skutën më të errët shpirtin e rezistencës, prapë, edhe nëse deputetët e opozitës mund të kërcënohen, joshen apo blihen, shpirti i rezistencës nuk zhduket kurrë.
Dhe atëherë, kur shtresat drejtuese janë kalbur nga korrupsioni, kur mediat janë kthyer në vegla të shitura, kur njerëzit, të lodhur nga lufta e përditshme për të mbajtur familjen, kanë pranuar heshturazi mjerimin si fat të pashmangshëm, kur duket sikur gjithçka është mbyllur në ritualin monoton të një filxhani kafeje, një gote birre ose raki, mjafton vetëm një çarje e vogël, një “rastësi” e papritur, dhe gjithë godina e ngritur me mund e mashtrim shembet përgjithmonë.
Liderët autoritarë besojnë se janë autorët e historisë, pa e kuptuar se as historia dhe as realiteti nuk mund t’u shpëtojnë shenjave të përkohshmërisë së pushtetit të tyre. Në këtë regjim autokratik, ku tekat e një individi kanë peshën e ligjit, ajo që ndodhi atë të enjte në Kuvend është pasqyra më e qartë e realitetit. Nuk ka aspak rëndësi nëse opozita veproi drejt apo gabuar; rezultati ishte i njëjtë. Seanca ku duhej të diskutohej programi qeveritar tregoi se parlamenti nuk funksionon më normalisht. Vendimet dhe debatet nuk përcaktohen më nga rregullorja dhe ligji, por nga qefmbetja e Kryeministrit.
Jeta parlamentare është në qendër të demokracisë së një vendi. Opozita ka detyrë të artikulojë revoltën e brendshme qytetare dhe ta mbrojë atë me çdo çmim përballë pushtetit autokratik. Fluturimi i rregullores ose i shishes me ujë mbi kokën e kryeministrit nuk është thjesht një akt i pakujdesshëm; është fotografia e vetme e revoltës që flet më shumë se çdo fjalë.
Ja pse disa protesta të vogla dhe jo shumë të zhurmshme hapin probleme. Së pari, thyjnë apatinë qytetare dhe ndezin tek ata pasionet politike. Së dyti, nxisin qytetarin që të mos qendrojë mënjanë, por të aktivizohet. Përballja me njeriun që ka mbërthyer të gjitha institucionet në një dorë, qofshin ato publike apo private, sy më sy, nuk është pak, duke pasur parasysh se jetojmë në kohë frike dhe ankthi për atë që do të sjellë e nesërmja. Kapaciteti i kësaj qeverisjeje për të kanalizuar dhe kontrolluar protestën nëpërmjet logjikës së “nëse ishte protestë e gabuar apo e drejtë” ka arritur në limit.
Qytetarët kanë nevojë për akte të guximshme, për përballje të forta, për rezistencë dhe sakrificë. Atëherë, mund të themi se diçka do të ndodhë: mjafton të çahet zhgualli, dhe qytetarët ta kuptojnë se koraca e fortë që i frikëson çdo ditë jetën e tyre, nuk është aq e fortë sa është shfaqur. Mjafton pak, sa ta gërvishësh diku, dhe kuptohet qartë se edhe ajo, e përbindshmja, e parezistueshmja dhe e forta, nuk është asgjë tjetër përveç një qenie prej mishi dhe gjaku, si të gjithë ne. E vdekshme.
Megjithatë, qytetarët e panë atë të enjte Kryeministrin e vendit të fliste me gulshe, i paduruar dhe i mbushur plot me arrogancën e pushtetit. Dhe e panë edhe shtetin, ashtu siç është realisht: më i frikësuar se kurrë, më i vetmuar se kurrë, më i lodhur se kurrë.
© SYRI.net