PISA në kohën e Berishës dhe PISA në kohën e pisave

PISA në kohën e Berishës dhe PISA në kohën e pisave

Nga Hysni Gurra - 07/12/2023

Para ardhjes në pushtet, në vitin 2013, të gjithë e mbajnë mend propagandën perfekte të Edi Ramës për arsimin në Shqipëri.

Pati propagandë aq intensive sa pati arritur të bindë edhe njerëz me nivel mbi mesatar se ky e në mos bëftë asgjë si kryeministër, të paktën do bëjë arsimin se e ka merak.

Edi Rama pati përdorur aq shumë fjalën analfabet funksional sa askujt nuk i shkonte ndërmend në atë kohë se jo vetëm s’do ta luftonte analfabetizmin funksional, por do ta masivizonte në përmasa të viteve ‘20-‘30-‘40.

Nuk do zgjatem për infrastrukturën, ku premtoi ndërtimin e mbi 140 shkollave vetëm në katër vitet e para, 2013-2017, dhe në një dekadë nuk i ka realizuar ende. Ka ndërtuar vetëm 6-7 shkolla gjithsej.

Pati premtuar se nuk do ketë klasa me turne dhe klasa me më shumë se 30 nxënës. Për të qenë të drejtë, ky premtim është mbajtur. Në 80% të territorit të vendit janë mbyllur qindra klasa dhe ato që janë ende të hapura janë me nga 7-8 nxënës, sepse rilindja i ka dëbuar nxënësit familjarisht jashtë vendit.

Mbështetja dhe kthimi i shkollave në ambiente komunitare, mbeti një ëndërr.

U premtua digjitalizimi i gjithë kurrikulës së arsimit parauniversitar. Shqipëria sot, në arsimin publik, ka zero klasa digjitale.

Që mos të shpërqendrojmë më shumë njerëzit që s’kanë durim të lexojnë gjatë, do jap dy - tre shembuj të shkurtër faktikë që secili të bëjë dallimin mes vëmendjes që i kushtoi Arsimit Berisha dhe vëmendjes që i kushtoi Rama.

Së pari, se ç’do të bënte Edi Rama në arsim u pa që mandatin e parë të qeverisjes kur formoi kabinetin Rama-1. Qeveria Berisha-1 kishte Ministër Arsimi Genc Pollon, ajo Rama-1 kishte Lindita Nikollën. Nuk ka nevojë të bësh kërkime për të kuptuar zbritjen e parë.

Vijojmë në mandatin e dytë, Berisha-2 kishte për Ministër Arsimi Myqerem Tafaj, ndërsa Rama-2 kishte Besa Shahinin dhe Evis Kushin. (Konsideratat e mija për këtë të fundit i dinë të gjithë, s’ka patur kurrë Shqipëria në 111 vjet shtet ministër më mediokër).

Google dini të përdorni të gjithë, futuni dhe bëni krahasimet mes Myqerem Tafaj-t dhe Besës e Evisit. Nata me ditën është një krahasim shumë i butë.

Për Rama-3, s’di më ç’të them se ministër Arsimi është bërë Ogerta Manastirliu.

Pra, në një dekadë, Edi Rama e ktheu Shqipërinë në vitet 1912-1950, pra, në një vend ku ka nevojë urgjente për projekt kombëtar kundër analfabetizmit.

Sot, si në ato vite, privilegjin për t’u arsimuar e kanë fëmijët e të pasurve që ndjekin shkolla private brenda ose jashtë vendit. Fëmijët e punëtorëve, fëmijët e shtresës së mesme që ndjekin arsimin publik janë, sipas PISA (program i specializuar për të matur nivelin e arsimit të një vendi) fëmijë që nuk dinë as të lexojnë, as aritmetikë, të mbledhin e të zbresin, për shkencë as që bëhet fjalë.

Doni ta krahasoni me rezultatin e PISA të kohës kur qeveriste Berisha?

Sipas rezultateve të testit PISA, i cili mat performancën e nxënësve 15-vjeçarë në lexim, matematikë dhe shkencë, Shqipëria garon me veten në rënie, brenda qeverisjes së një njeriu, Ramës.

Për shembull, krahasuar me vitin 2018 Shqipëria ka rënë me 47 pikë në lexim, 69 pikë në matematikë dhe 41 pikë në shkencë, duke shënuar kështu përkeqësimin më të madh në nivel global.

Po si ka qenë PISA në kohën e Berishës, 2009?

Në testin e 2009, jo vetëm që nuk kishte rënie, por pikët e rikuperuara ishin dukshëm progresive dhe që tregonte se arsimi po ecte, nuk ishte aty ku duhet, ama nuk ishte në rënie, përkundrazi rritej me ritme të qëndrueshme.

Për shembull, rezultati i PISA i 2009 për leximin tregonte rritje me 385 pikë, 36 pikë më shumë se testimi PISA në 2000.

Në matematikë kishte rritje me 377 pikë dhe në shkenca rritja ishte 391 pikë.

Por mos harroni, në vitin 2000 kjo renditje ishte gropë.

Prapëseprapë Nano kishte ministra arsimi si Et’hem Ruka, Luan Memushi etj. Se Rama në disa drejtime nxin më shumë po ta krahasosh me veten dhe paraardhësit e tij.

Në testimin PISA 2012, përqindja e nxënësve të cilët kishin deklaruar se ishin të lumtur në shkollë ishte më e lartë në Shqipëri edhe në vende si Çekia apo Sllovakia. Kjo sa për statistikë.

Nga rezultatet e Programit të Vlerësimit Ndërkombëtar të Nxënësve “PISA 2022” Shqipëria është renditur në vendin e 62, ndër 80 vendet që kanë marrë pjesë në testim.

Nga 80 vendet e testuar jemi vendi me kontributin më të lartë në shtimin e injorancës. Dhe kjo falë një kryeministri që di të shkruajë e llafosë bukur vetë, por që ka një ëndërr meskine në shpirt; të kontribuojë në shtimin e injorancës me qëllim që sa të jetë vetë të jetë ai më i mençuri dhe kur mos të jetë ai të jenë më të mençurit fëmijët e nomenklaturës së rilindjes që i kanë shkolluar fëmijët e tyre me paratë që u kanë vjedhur shqiptarëve.

 

Ky brez që ka qenë 5 vjeç kur ka ardhur Rama në pushtet dhe sot që është 15 vjeç, nga matja e PISA, tregon se e vetmja punë që mund të bëjnë në jetë është ose të bëhen hamej, ose të shesin drogë për të jetuar.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco