Të kanë mashtruar, por kjo nuk të shfajëson, zoti Kirchbaum!

Të kanë mashtruar, por kjo nuk të shfajëson, zoti Kirchbaum!

Nga Gent Strazimiri - 28/10/2023

"Imuniteti parlamentar nuk është privilegj i deputetit", është ekzaktësisht argumenti i Sali Berishës në vitin 2012, kur në cilësinë e kryeministrit investoi parlamentin shqiptar për të ndryshuar Kushtetutën dhe për të zhveshur nga imuniteti parlamentar deputetët nëse akuzohen për korrupsion, duke nisur nga vetja.

Personalisht isha kundër, si jurist dhe deputet që, për shkak të detyrës i ishte dashur të studionte Kushtetutat e vendeve të BE, përfshi Gjermaninë dhe, nuk e di as sot se ç'do të bëja kur të vinte dita të votohej në parlament...

Për fat të mirë, ishte Edi Rama, atëherë kryetar i opozitës, që (për arsye krejt të tjera nga unë) ishte gjithashtu kundër.

Ai përmes juristëve të tij paraqiti një Vendim të Gjykatës së Strasburgut të vitit 2006.

Në të argumentohej se mbajtja e imunitetit parlamentar nuk ishte privilegj, por detyrim i deputetit i cili, për shkak të detyrës, mbart në vetvete paprekshmërinë e parlamentit, jo thjesht paprekshmërinë e tij individuale...

Gjykata e Strasburgut në jurisprudencën e saj, konsideronte se çdo veprim hetimor i ndërmarrë ndaj deputetit pa marrë më parë autorizimin e parlamentit është anti-kushtetues, i paligjshëm, i pavlefshëm!!

Kjo, madje edhe nëse deputeti vetë është dakord që të mos i njohë vetes imunitet përballë drejtësisë...

Pra, teknikisht, edhe nëse Sali Berisha nuk do e kundërshtonte sot këtë akt, haptazi anti-kushtetues, procesi ndaj tij do niste me "ves" dhe do ishte i pavlefshëm!!!!

Pse?

Pikërisht se imuniteti parlamentar nuk i takokësh deputetit si privilegj, në rastin konkret Sali Berishës, por Parlamentit dhe, Parlamenti e ushtroka dhe e ruaka atë përmes paprekshmërisë së secilit prej anëtarëve të tij, thotë Gjykata e Strasburgut!!!

Nëse Edi Rama nuk do kishte investuar juristët e tij në këtë çështje, ne sot mbase nuk e do kishim nenin 73 që e kemi në Kushtetutën tonë, identik, "mot à mot" siç e ka Kushtetuta e Gjermanisë...

Ka po ashtu një debat juridiko-politik që e konsideron imunitetin parlamentar një element arkaik në Kushtetutat e vendeve me demokraci të konsoliduar, me argumentin se "nuk ka më shans të lindë një Hitler tjetër".

Ka gjithashtu një mendim kundër tyre, që argumenton se ruajtja e imunitetit parlamentar është një nga garancitë që një "Hitler" edhe nëse lind, të mos mundet të instalojë nazizmin dhe diktaturën, e "në një moment nevoje për siguri të komunitetit"... si në vitin 1933 në Gjermani...

Edhe për këtë debat ka Vendim të Gjykatës së Strasburgut, të viti 2011, i cili e ka shteruar deri në themel domosdoshmërinë e ruajtjes së paprekshmërisë së lirisë individuale, madje të qytetarit të thjeshtë, jo më të deputetit, duke konsideruar se heqja apo kufizimi, qoftë dhe vetëm për disa orë, i lirisë individuale të një qytetari, në emër të  sigurisë së komunitetit si forcë madhore (rastet e alarmave terroriste), është e paligjshme dhe e dënueshme.

"Nevoja për sigurinë e komunitetit nuk përligj shkeljen e lirisë qoftë dhe preventive, sado të përkohëshme të individit sepse, nëse liria e individit është e cënueshme nuk mund të ketë siguri as për komunitetin", argumenton Gjykata e Strasburgut.

Ky është një vendim i provokuar nga nevoja për t'u treguar limitin organeve ligjzbatuese të vendeve të BE, përfshi Gjermaninë, dmth vendeve me demokraci të konsoliduar.

Imagjino si përkthehet kjo në veprimin e të njëjtave organe të vendeve si Shqipëria, mosfunksionimin e shtetit ligjor dhe të së drejtës, unë nuk e përshkruaj dot më mirë nga ç'e keni përshkruar në raporte e intervista vetë ju zoti Kirchbaum...

Që domethënë imagjino se sa i sigurtë juridikisht është individi dhe liritë e tij në këtë vendin që drejtohet nga një autokrat i cili së bashku me një bandë kanë instaluar korrupsionin endemik në çdo zyrë shtetërore, madje më së shumti në drejtësi...

Që të ndërrosh mendje për ato që ke shkruar e thënë nëpër raporte e intervista kundër regjimit të Edi Ramës në Shqipëri, këtë të drejtë e ke...

Që të ndihmosh deri në keqpërdorim një mik për një hall politik, e t'i lejosh vetes të mashtrohesh prej tij, edhe këtë të drejtë e ke...

Çdokush është i lirë ta fëlliqë veten në mënyrën që e konsideron më oportune...

Të mos kesh njohuri mjaftueshëm mbi jurisprudencën e Gjykatës së Strasburgut dhe të japësh mendime si sentenca vërtetësie, është minimalisht  joserioze...

Por, që në cilësinë e mbartësit të funksioneve të ligjvënësit gjerman,

- të predikosh të kundërtën e asaj që është e shkruar e zeza mbi të bardhë si në Kushtetutën e Gjermanisë, po ashtu në Kushtetutën e Shqipërisë,

- të duartrokasësh praktika anti-kushtetuese që në Gjermani as nuk ëndërrohen,

kjo është e dënueshme, është fajësi, sepse është e qëllimshme, është e bërë me dashje dhe me gjakftohtësi!!!

Për t'ju evituar keqpërdorimin nga "miku në hall" me keqpërkthim, si dhe për t'ju hequr çdo mundësi justifikimi dhe mbrojtje, gjithë sa më sipër po e postoj edhe në gjermanisht.

Po postoj gjithashtu në gjermanisht nenin 46 të Kushtetutës së Gjermanisë, subjekt i së cilës jeni vetë dhe të cilën keni detyrimin ta mbroni, predikoni dhe respektoni, siç jeni betuar kur keni marrë mandatin e deputetit të popullit gjerman.

KAQ!

Image

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco