Përballja e fundit me ‘filizat’ e PPSH dhe Ramiz Alisë

Përballja e fundit me ‘filizat’ e PPSH dhe Ramiz Alisë

Nga Gent Strazimiri - 24/10/2023

“I pavaruri” prokuror Arben Kraja, ka një karrierë politike, për t'ia pasur zili edhe unë që kam 33 vjet që merrem vetëm me politikë....

Ai e ka nisur që fëmijë me Partinë e Punës, për Partinë e Punës, në grahmat e fundit të saj, siç mund ta bëjë vetëm një militant besnik që nuk të lëshon as kur e sheh se çdo gjë ka marrë fund...

Në vitin '90 kur rinia e studentët si  Abi Malltezi  kërkonin “Liri-Demokraci”, PPSH dhe Ramiz Alia na thoshte “Demokraci po, por nën Partinë e Punës”, “pluralizmi politik nuk na duhet, se ne nuk jemi as lindje e as perëndim”...

Na nxori përballë edhe “ekipin shpresa”, “filizat e rinj”, përbërë nga “të rinj të mbrujtur me mësimet e Partisë dhe të shokut Enver”, të gatshëm për “të mbrojtur fitoret e socializmit”.. si Arben Kraja...

Retorikë idiote, strategji idiote, sovjetike e jashtë kohe, që s'bëri gjë tjetër veçse i bëri barsoletë “arbenkrajat” e kohës që u përfshinë në të, sipas thirrjes “Gjithmonë Gati”, besnikë të një diktature aparatçikësh dementë që tashmë talleshin nga rinia me nofkën “tao-tao”...

Ku i gjeti?

Sigurisht, kryesisht aty ku regjimi kishte më të besuarit, në organet e “shpatës dhe mburojës së Partisë”... në organet e dhunës dhe represionit, si “Hetuesia”, ose fëmijët e tyre...

“I pavaruri” prokuror Arben Kraja, nga 36 vjet punë, 21 vjet i ka në pozicione politike dhe vetëm 15 vitet e fundit në “drejtësi”, si “i pavarur” dhe “i paanshëm”... sa herë e do “Partia”...

Sinqerisht, si politikan ia kam zili këtë karrierë:

- 23 vjeç, hetues në Shkodër, pa arsim juridik, (pozicion krejt politik, madje më i besuari dhe i rëndësishmi i PPSH.)

- 25 vjeç, anëtar i Komitetit Qendror të Rinisë së PPSH...

- 27 vjeç, kandidat për deputet i PPSH...

- 31 vjeç, zv/kryetar i KLSH, (nivel zv/ministër 1997)...

- 36 vjeç, Drejtor i antikorrupsionit në KM (po ashtu nivel zv/ministër)

Derisa 37 vjeç, na bëhet edhe prokuror, edhe “i pavarur”...

Unë kam më pak funksione politike nga ky në cv, e për më tepër s'kam qenë kaq i ri sa ky kur kam arritur të tjerat...

Kësisoj ky proces inkuizitor kundër Abit, nuk është asgjë më shumë se një përballje që vazhdon prej 33 vjetësh mes “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” dhe “Demokraci nën Partinë e Punës”!

Është një betejë mes nesh dhe “filizave të Partisë” e Ramiz Alisë, që vazhdon e nuk mbyllet kurrë, pjesërisht edhe për fajin tonë, për naivitetin tonë, për faktin se fitoren e lirisë e perceptojmë si festë dhe gëzim i të gjithëve, edhe i “arbenkrajave”...

Arben Kraja sërish hetues- persekutor, e Abi Malltezi i akuzuar në kafazin e të pandehurve, është një ilustrim i trishtë i faktit se jemi kthyer aty ku e nisëm 33 vjet më parë, në minutat e para të betejës për liri e sundim të ligjit...

Atë betejë Arben Kraja e “filizat” e Ramiz Alisë nuk e fitojnë dot as me pranga e as me burg, sepse liria nuk mbahet dot në kafaz pasi, është instinkt njësoj si e drejta.

Skenografia e trishtë, anti-kohë, në atë sallë gjyqi, është thirrje për të bërë atë hapin e fundit që nuk e bëmë dot kur duhej, atë ditë kur me naivitet e lot gëzimi në sy, u dehëm nga liria...

Duhet ta luftojmë e ta fitojmë këtë betejë të fundit me çdo kusht e me çdo çmim, e mos t'ua lemë fëmijëve si lak në fyt.

Ata kanë 33 vjet që dëshmojnë se nuk pendohen, nuk dorëzohen e nuk “të falin” edhe pse nuk ke faj!

MOS I FALNI, që të jetë vërtetë beteja e fundit!

Image

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco