Lajmi i fundit

LIVE/ Adi Krasta në 'A Show'

14 maji mes çunave problematikë dhe çunave indiferentë

14 maji mes çunave problematikë dhe çunave indiferentë

Nga Basir Çollaku - 19/05/2023

Një i burgosur afgan i Guantanamos në gjyq në USA, teksa kishte në seancë përballë një dëshmitar jobindës, i drejtohet ndër të tjera gjyqtarit: “...fort i nderuar zoti gjykatës, mos bëni sikur nuk e dini se çfarë ndodh në atdheun tim. Në një vend mjerisht e trishtueshëm të varfër, ku me 50 dollarë mund të blesh gjysmën e fshatit, imagjinoni se çfarë mund të bësh me 50 mijë dollarë...”. 

E diela e 14 majit 2023 në Shqipëri kishte një fabul të ngjashme, për njerëz të rrethuar në një qeli të madhe, në një sulm të frikshëm nga çdo anë, ditën dhe natën. 
Duke nisur nga ajo financiare, e punësimit, banimit, ndalimit për të votuar, deri në dhunë fizike e psikologjike, familjare, nga ushtria e trekëndëshit, pushtet-mafia-biznes, kryesuar nga Edi Rama dhe shpura e verbër ekzekutuese. Fitorja plaçkitëse me çdo kusht, më së shumti u prodhua nga burgu, nga ish-të burgosurit, nga të kërkuarit për të qenë të burgosur, trafikantë, vrasës, nga nëntoka në zyra publike. Paraja peshohej, nuk numërohej. Shifrat janë tej imagjinatës. Operacioni grabitës kishte së paku gjashtë muaj emër për emër. 

Armët ishin asistenca e tyre e gjithhershme. Kryeministri ka marrë licencë ndërkombëtare për të qenë keqbërës me shtetasit e tij, duke shkërmoqur hapur çdo ligj e institucion. Në çdo qark mund të merrje projeksionin për një rezultat elektoral parazgjedhor të saktë, nga grupet kriminale, dhjetëra herë më tepër se nga sondazhet, apo partitë garuese. Natyrisht edhe nga partia në pushtet, e cila i ka kontraktuar prej 10 vitesh duke i formalizuar, liruar nga qelitë, falur mëkatet e rënda penale, e duke bashkëqeverisur me to. Bandat e mafia, vendase dhe e huaj, është bërë ortake duke i dedikuar fitues të tenderit elektoral, në pesë palë zgjedhje nga vitit 2013 e deri më sot.

Ata fatkeqësisht nuk kanë zhgënjyer asnjëherë. Në Rrogozhinë, në Belsh, Lushnjë, procesverbalet nga vota e të dënuarve, ishin komedi e zezë rrëfyese e asaj çka ka ndodhur të dielën. Nga qelitë kishte plasur hareja pro qeverisë, e rezultatet pro ndëshkimit ishin një harmoni burrash burgu të lumtur. Tenderuesit dhe fituesit kanë qenë të kujdesshëm në specifikimet teknike duke zgjedhur organizatën kriminale, përmbushëse të pritshmërive elektorale. Duket qartë pa përpjekjen më të vogël për të fshehur aktet, se këto zgjedhje ishin vazhdim i punës së djemve problematikë, sipas etiketës së Damian Gjiknurit, tashmë të shtruar në numër e të pasuruar nga puna bashkë me qeverinë. 

Çunat problematikë një pjesë e madhe në fushatë, të tjerët, Donët e tyre në Dubai, të zhvendosur javën e fundit në terren, kanë qenë kirurgjikalë në masakrën e kutive. Policia qëndronte si eskortë shoqëruese, duke u nënshtruar me turp e fajësi penale, sipas agjendës së banditëve. Drejtues të zyrave qendrore të shërbimeve pak metra larg Prokurorisë së Posaçme bënin kërdinë duke shitur shërbime publike, pronash, legalizimesh, me vota pro qeverisocialistëve. Sepse problematikët e kanë provuar Edi Ramën si fjalëmbajtës ndaj tyre, e zhgënjyes ndaj shqiptarëve. Kaq u mjafton. Djemtë problematikë kanë gjetur mënyrën ideale për tu pasuruar me punë të zeza e të bardha, pa u trazuar nga sundimi i ligjit, mjaft të nisin kontributin, sapo dekretohen zgjedhjet. Nongratat Doshi e Dako bënë një kërdi me me pushtetin nëpër duar. 
Po çunat indiferentë?!

Ky kanibalizëm nuk është as nuk ishte surprizë. 

Nuk është befasi.

Nuk është habi.

Nuk është e pandodhur herë tjetër.

Nuk është pritshmëri pendese se nuk do të përsëritej.

Nuk kishte autorë dhe aktorë të rinj.

Njihen me emra fajtorë dhe nënkontraktorë në çdo qytet dhe bashki. Janë bërë si markë elektorale. Mbërrijnë në detyrë sa bie zilja zgjedhore. 

Opozitarët u hallakatën, zemëruan, zunë mes tyre. Një pjesë sado e pakët pranoi të rregullonte biznesin, të merrte tendera, leje ndërtimi, e shërbime të tjera, duke vënë ca para të shumta mënjanë. Kishte të tjerë duke u përkundur se evropianë nuk pranonin Berishën por nuk tundën gishtin kundër Ramës e Veliajt dhe çunave problematikë, madje flirtonin jo pak me ta. 

Djemtë indiferentë opozitarë, nuk mund të zhbëjnë gjë duke folur me 15 maj. Nuk mund të bëjnë asgjë duke qortuar opozitën. Nëse do ishin ndeshur çdo milimetër me qeveritarë e çunat problematikë, rezultati do të ishte tjetër. Nëse do të ishin përballur hapur, duke shkulur për fundshpinë edhe funksionarë opozitarë të partisë demokratike, të delirmbërthyer, atëherë llogaritë sot do të ishin ndryshe. Çdo opozitar, pavarësisht se ku gjendej e kë mbështeste, apo qëndroi në fb e në shtëpi, ka përqindje përgjegjësie. Edi Rama merr vesh nga forca, ai mundet me forcë e jo nga dredhia. Mund të kishte bërë arreste publike për pushtetarë e banditë publikisht. Hakërrimet postzgjedhore,  i ngjajnë batutës shkodrane, një ditë më vonë, përse nuk erdhe mbrëmë se kisha bërë tavë peshku, do ishim kënaqur. 

Përgjegjësi kanë të gjithë. Pa asnjë përjashtim. Asnjë. Tani mbetet bërja e dosjes për provat e shumta. Në çdo qendër votimi. Ajo duhet të përcillet te kombëtarët e ndërkombëtarët. Pas saj, ku reagimi ndaj raporteve të jetë si gjithnjë anemi, atëherë opozita me mend në kokë, e jo me duar në xhepa, ku tinëzarë janë shpesh xhepmbushurit, të lajmërojë se nuk ka stabilitet më të vjedhurin pushtet. Po stabiliteti është cenuar në ekstrem. Atë mund ta rikthejë ndoshta destabiliteti. Nëse pritja do marrë vite, në Shqipëri do të ketë vetëm pemë e shkurre...

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco