Kur cenohet mbrojtja kombëtare, nuk të bëjnë më derman as vibratorët...

Kur cenohet mbrojtja kombëtare, nuk të bëjnë më derman as vibratorët...

Nga Klodian Tomorri - 13/03/2023

Teksa imagjinata e opinionit publik bombardohej me lodra seksuale dhe fantazi fetish, të premten sistemi i drejtësisë ka marrë një nga vendimet më të rëndësishme të dekadës së fundit, e ndoshta edhe shumë se kaq. Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vuri nën sekuestro preventive Bazën Detarë të Sarandës, të cilën qeveria e pati privatizuar në vitin 2020 duke e dhënë me qira tek shoqëritë Dulaku dhe Kastrati Group për të ndërtuar aty një port jahtesh dhe resort turistik.

Ndoshta të dy ngjarjet nuk janë pa lidhje. Mbase lajmi i parë u servir enkas për të sfumuar të dytin. Por kjo pak rëndësi ka. Thelbi është ky. Interesi i vibratorëve dhe kamxhikëve nuk shkon përtej atyre që i servirën apo i sajuan. Ndërsa vendimi i GJKKO-së ka të bëjë me interesin më madhor kombëtar.

Në vendim, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit e arsyeton sekuestrimin e Bazës së Limionit me argumentin se privatizimi i saj ka cenuar operacionalitetin e Forcës Detare. E thënë më thjeshtë, Gjykata thotë se dhënia e bazës tek privatët ka cenuar kapacitetet e vendit për t’u mbrojtur në rast agresioni ushtarak.

Në rrafshin hierarkik, mbrojtja kombëtare është pa asnjë dyshim interesi publik më madhor, i cili prevalon mbi çdo gjë tjetër. Kur vendet përfshihen në konflikte të armatosura, operacionet e para luftarake janë gjithmonë ato që synojnë cenimin e kapaciteteve mbrojtëse të kundërshtarit. Pastaj ka dhe vende si Shqipëria, ku mbrojtja kombëtare nuk sabotohet nga armiku, por nga korrupsioni dhe babëzia. Pikërisht kjo e bën vendimin e djeshëm të GJKKO-së të një rëndësie të jashtëzakonshme. Por jo vetëm kjo. Problemi tjetër janë autorët.

Firmëtarët e privatizimit të bazës së Sarandës sot janë zyrtarët më të lartë të shtetit. Ky vendim është firmosur nga ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, që sot është President i Republikës, ish ministrja e Mbrotjes që sot është kryediplomatja e Shqipërisë, dhe komandanti i Flotës, që më pas mori dhe gradën Kundëradmiral. Sigurisht në fund është dhe qeveria, që miratoi kontratën me vendim të posaçëm. 

Përvoja botërore ka treguar se kur korrupsioni hyn në ushtri dhe prek mbrojtjen kombëtare, ai nuk amnistohet asnjëherë. Shembuj për këtë ka gjithandej, përfshirë dhe vendet fqinje të Shqipërisë si Kroacia apo Greqia, ku aferat e korrupsionit në ushtri kanë çuar pas hekurave zyrtarët më të lartë të shtetit. Në rastin e Shqipërisë loja sapo ka filluar.

Vendimi i gjykatës ishte vetëm masa e sigurimit. Pra SPAK dhe GJKKO kanë dalë në përfundimin se privatizimi i Limionit ka cenuar mbrojtjen kombëtare dhe kanë vepruar për të mitiguar dëmin duke e vënë bazën në sekuestro. Tani fillon hetimi i procedurës, që çoi në këtë dëm.

Ne nuk e dimë nëse procesi hetimor për privatizimin e Bazës Detare të Sarandës do të kërkojë fajësimin e Presidentit të Republikës apo marrjen si të pandehur të ministres së Jashtme dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të qeverisë. Por sot dimë të sigurt këtë gjë. SPAK dhe GJKKO janë të bindur se veprimet e Presidentit, ministres së Jashtme dhe qeverisë në tërësi kanë cenuar mbrojtjen kombëtare.

Ky fakt dhe fakti tjetër se në këtë hetim janë përfshirë zyrtarët më të lartë të shtetit e bën hetimin për bazën e Sarandës çështjen me nxehtë të drejtësisë shqiptare. Një çështje, hetimi i së cilës ndoshta shtyhet edhe nga partnerët ndërkombëtarë. Megjithatë, ky është vetëm fillimi. Tashmë hetimi i procedurës do të duhet të saktësojë se a ishte korrupsioni arsyeja që u sabotua mbrojtja kombëtare. Dhe në këtë valle, nuk bëjnë me derman as vibratorët.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco