‘Qatargate’ ka nxjerrë zbuluar hipokrizinë tronditëse të së majtës

‘Qatargate’ ka nxjerrë zbuluar hipokrizinë tronditëse të së majtës

Nga Nicholas Farrell - 26/12/2022

Nga Nicholas Farrell, SPECTATOR

Të gjithë në Britani janë fokusuar te ajo çka skandali i korrupsionit ‘Qatargate’ na zbulon për Bashkimin Evropian – por jo te ajo çka na tregon për të majtën evropiane.

Fakti është që deri tani të gjithë të akuzuarit për marrje ryshfetesh nga Katari dhe aleati i tij Maroku janë eurodeputetë, ose ish-eurodeputetë, të krahut të majtë, dhe asistentët e tyre, ose bosë të shoqatave bamirëse për të drejtat e njeriut dhe liderë sindikatash, të gjithë të krahut të majtë. Shumica janë italianë, të cilët janë anëtarë apo ish-anëtarë të partisë post-komuniste, në Itali, Partisë Demokratike.

Hipokrizia e këtyre eksponentë dhuratash të së majtës evropiane – disa prej të cilëve tashmë kanë rrëfyer, sipas rrjedhjes së proces verbaleve hetimore – është tronditëse. Sepse këta mbrojtës të të drejtave të të varfërve e të të shtypurve akuzohen për jo më pak se marrje sistematikisht ryshfete nga vendi i vogël islamik i pasur me naftë në Gjirin Persik për të fshirë rekordet e tij të tmerrshme në lidhje me të drejtat e njeriut.

Katari! I cili zë vendin e 128-të nga 165 gjithsej në ‘Human Freedom Index’. Katari! Ku mijëra punëtorë të huaj – që përbëjnë shumicën e popullsisë prej 2.9 milion – thuhet se kanë vdekur duke ndërtuar stadiumet e kupës së botës. Katari! Ku tradhtia bashkëshortore dhe homoseksualizmi janë krime që ndëshkohen deri në shtatë vjet burg, që besoj se është më mirë se vrasja me gurë apo hedhja nga ndonjë shkëmb. Katari! Emiri i të cilit lakmueshëm mbështolli me pelerinën tradicionale arabe Lionel Messin në podiumin e triumfit në Kupën e Botës sikur donte t’i thoshte: Të kam blerë edhe ty, miku im!

Këta socialistë shampanje jetojnë tashmë mes luksit falë rrogave të majme të financuara nga taksapaguesit dhe mes favoreve që kanë nga posti në Bruksel e megjithatë, siç thonë italianët: Rubano pure! (prapëseprapë vjedhin!). Policia belge ka sekuestruar 1.5 milion euro, të gjetura pothuajse të gjitha në vetëm dy apartamente.

Me sa duket janë fajtorë, jo vetëm se kanë tradhtuar partitë e tyre të majta, besimet bazë, votuesit që i kanë zgjedhur dhe sponsorët që financojnë bamirësitë e tyre – por edhe se kanë tradhtuar vendet e tyre, duke u shitur te një fuqi e huaj.

Këtu në Itali, të paktën, ku ‘Qatargate’ ka dominuar lajmet që nga dalja e skandalit dy javë më parë, media – ndonëse në pjesën dërrmuese e krahut të majtë – nuk ka qenë në gjendje të shmangë pyetjen e sikletshme: Çfarë na thotë e gjitha kjo për të majtën?

Siç e pranoi Pier Luigi Bersani, ish-lider i PD post-komuniste, i cili i njeh mirë shumë nga italianët e akuzuar, gjatë talk show Otto e Mezzo të martën: “’Qatargate’ është ‘uno sputo in faccia’ (një e pështyrë surratit) për të majtën, për Italinë, për institucionet e BE dhe OJQ-të kudo që janë. Dëmi është i përmasave kozmike”.

Përkrahja popullore për PD, e shpartalluar ndërkohë nga disfata në zgjedhjet e përgjithshme të shtatorit, fituar nga koalicioni i djathtë i Giorgia Melonit, ka rënë në 14.7%. Jo më larg se gushti vraponte kokë më kokë në rreth 24% bashkë me Fratelli d’Italia të Melonit, popullariteti i së cilës është rritur në 30.6% që nga fitorja në zgjedhje.

Pesë persona, katër syresh italianë, janë të arrestuar me akuza për korrupsion, pastrim parash dhe bashkëpunim kriminal. Shumë të tjerë janë nën hetim. Policia belge ka kontrolluar 20 apartamente dhe ka bllokuar internetin e dhjetë zyrave parlamentare për të mos lejuar zhdukjen e informacionit. Por vetëm një eurodeputet në detyrë është arrestuar – Eva Kaili – (ish) zëvendëspresidentja socialiste greke e Parlamentit Evropian. Pas dyshim kjo vjen ngaqë eurodeputetët kanë imunet ndaj përndjekjes përveç rasteve kur kapen në flagrancë , siç u kap ajo, me 150 mijë euro cash në apartamentin e saj, të cilat prokurorët besojnë se vijnë nga Katari e Maroku. Në të njëjtën kohë, babai i saj u kap me 600 mijë euro në një valixhe në hotel Sofitel në Bruksel. Ajo është në qeli, ndërsa i ati në gjendje të lirë. Mbi 60 eurodeputetë mendohet të jenë të përfshirë në ‘Qatargate’, sipas burimeve nga prokuroria. Por prokurorët janë të pafuqishëm për t’i arrestuar nëse Parlamenti Evropian nuk voton për t’u hequr imunitetin për secilin rast.

Megjithatë Kaili, ish-prezantuese televizive, 44 vjeç, nuk është figura kryesore e skandalit. Ky nder i shkon Pier Antonio Panzerit, 67 vjeç, ish-eurodeputet italian me PD post-komuniste nga 2004 deri më 2019, dhe i dashuri i Kailit, Francesco Giorgi, 35, i cili ka qenë asistenti parlamentar i Panzerit. Tani ai është asistent i Andrea Cozzolinos, një tjetër eurodeputet italian nga PD. Ashtu si Kaili, edhe Panzeri e Giorgi janë arrestuar.

Kur e humbi në parlament më 2019, e bashkë me të edhe postin si kryetar i nënkomitetit parlamentar për të drejtat e njeriut, Panzeri themeloi menjëherë Fight Impunity, një shoqatë për të drejtuar e njeriut me bazë në Bruksel – zyrat e së cilës janë në Rue Ducale, ngjitur me rezidencën zyrtare të ambasadorit britanik. Policia thuhet se i gjeti 600 mijë euro në apartamentin e tij në Bruksel. Në nëntor, ai i dha 50 mijë euro në dy zarfe të zbukuruar me Babagjyshin e Krishtlindjeve – sipas prokurorëve – një tjetër italiani, Luca Visentini, pak para zgjedhjes së këtij të fundit si Sekretar i Përgjithshëm i Konfederatës Ndërkombëtare të Sindikatave, gjithashtu me bazë në Bruksel. Visentini, i kritikuar në të kaluar për linjën e butë ndaj të drejtave të njeriut në Katar, u arrestua por u lirua pas pagimit të garancisë. Zyrat e Fight Impunity janë në të njëjtën ndërtesë me një shoqatë tjetër të të drejtave të njeriut, No Peace Without Justice, sekretari i përgjithshëm i së cilës, Niccolò Figà-Talamanca, gjithashtu u arrestua dhe u la i lirë pas pagimit të garancisë.

Ndërkohë, prokurorët italianë gjetën 17 mijë euro të tjera në shtëpinë e Panzerit në Itali, pranë Bergamos. Gruaja e tij, Maria, 67, dhe vajza, Silvia, 38, janë të dyja në arrest, të akuzuara si bashkëpunëtore. Këtë javë, prokurorët ngrinë llogaritë bankare të Panzerit, në të cilat ka 40 mijë euro, dhe të vajzës, ku janë 200,000 euro. Policia belge ka bërë kërkesë për ekstradim të gruas së tij. Një bisedë e regjistruar telefonike midis tyre zbulon se ajo i thotë që “sivjet nuk i përballojmë dot pushime 100 mijë euro si vitin e kaluar”. Ai duhej të mbante një fjalim në një konferencë të Fight Impunity për paqen në botë në Venecia më 12 dhjetor, tri ditë pas arrestimit. Folësit përfshinin Mary Lou McDonald, lidere e Sinn Féin, dhe Sergio Segio, një ish-terrorist komunist, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje e terrorizëm, por i liruar më 2004. Segio, tani autor dhe aktivist i të drejtave të njeriut, bashkëpunon rregullisht me Panzerin.

Ekipi prestigjioz i anëtarëve të bordit honorifik të Fight Impunity përfshin Bernard Cazeneuve, ish-kryeministër socialist i Francës, dhe Federica Mogherinin. Të dy dhanë dorëheqjen pas arrestimit të Panzerit.

Deklarata e misionit të bamirësisë thotë se ai i përkushtohet “promovimit të luftës kundër mosndëshkimit për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut dhe krime kundër njerëzimit”. Panzeri shkruante një blog në edicionin italian të Huffington Post dhe në shkurt shkroi se ishte jetësore të parandalohej çdo vdekje në vendin e punës, por se mbi 6 mijë vdekjet e përfolura gjatë punës për Kupën e Botës në Katar “duhet të relativizohen statistikisht”. Po ashtu, është e nevojshme të kuptohet, vazhdonte ai, që situata do të përmirësohet tani që Ali bin Samikh al Marri, kryetar i Komisionit për të Drejtat e Njeriut në Katar, është emëruar ministri i ri i punës.

Kaili këmbëngul se është e pafajshme – por megjithatë eurodeputetët votuan 625-1 për shkarkimin e saj. Grupi Socialist e Demokrat (S&D) – i dyti më i madh në Parlamentin Evropian – ka pezulluar atë dhe katër eurodeputetë të tjerë. Ata përfshijnë Cozzolinon, për të cilin punon i dashuri i saj Giorgi, dhe socialisten belge Marie Arena, e cila zëvendësoi Panzerin më 2019 si kryetare e nën-komisionit për të drejtat e njeriut.

Në tetor, Panzeri dhe Giorgi u takuan disa herë me al Marri në Bruksel, sipas prokurorëve, për të instruktuar se çfarë duhej të thoshte për hapat e mëdhenj përpara të bërë nga Katari për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve në fjalën para nën-komisionit të Parlamentit Evropian për të drejtat e njeriut, më 14 nëntor.

Pak më tepër se një javë më pas, Parlamenti Evropian votoi një rezolutë dukshëm të vakët me të cilën i bënte thirrje Katarit – dhe FIFA-s – për të kompensuar familjet e punëtorëve të huaj që vdiqën gjatë ndërtimit të stadiumeve dhe infrastrukturës së Kupës së Botës. Duke mbrojtur plot pasion Katarin, Kaili foli kundër rezolutës. Ajo ishte midis shumë eurodeputetëve nga grupi i saj S&D që votuan me sukses kundër përdorimit të një gjuhe shumë më të ashpër.

Ajo iu tha eurodeputetëve: “Katari është pararojë për të drejtat e punëtorëve... Megjithatë, disa këtu po bëjnë thirrje për ta diskriminuar. Ata e bullizojnë dhe akuzojnë këdo që flet me Katarin për korrupsion. E megjithatë, naftën ia blejnë”. Ajo deklaroi edhe se Evropa ka në ndërgjegjen e saj “mijëra vdekje” të migrantëve që humbën jetën teksa kalonin Mesdheun, çka do të thotë se “ne nuk e kemi të drejtën morale për të dhënë leksione për të tërhequr vëmendjen e medias”.

Ajo dhe Giorgi, i cili është edhe instruktor lundrimi i kualifikuar, kanë një vajzë, Ariadni, lindur në shkurt të vitit të kaluar. Faqet e tyre në Facebook janë plot postime gjithë mburrje për jetën fantastike dhe pushimet me ski në alpe dhe me lundrim në Egje, në bregdetin e të cilit kanë një tokë në ishullin Paros, tashmë e sekuestruar nga policia greke.

Kaq i madh është dëmi që i kanë bërë të majtës sa që Nikos Androulakis, lider i PASOK-ut, nga e cila Kaili tashmë është përjashtuar, e ka akuzuar atë se ishte një “kalë Troje” i së djathtës.

Një shumicë e qartë italianësh (58%) mendojnë se çfarë ka dalë deri tani është vetëm maja e ajsbergut e një sistemi që është thellësisht i korruptuar, sipas një sondazhi të publikuar këtë javë. Pushteti i vërtetë në Bruksel, le të mos e harrojmë, nuk qëndron në parlamentin e zgjedhur, i cili është pak a shumë një vitrinë e shndritshme. Përkundrazi, pushteti qëndron te Komisioni jo i zgjedhur, i cili është krahu legjislativ e ekzekutiv bashkë i Bashkimit Evropian. Kështu që është e vështirë të besohet se Katari e Marokut – e pa dyshim edhe shumë vende të tjera – nuk kanë paguar stafin e Komisionit me shuma edhe më të mëdha parash. Në fund të fundit, çfarë kanë përfituar saktësisht nga paratë e hedhura për parlamentin.

Vërtet, Maurizio Molinari, drejtor i La Repubblica, e cila po punon në duet me belgen Le Soir për Qatargate, tha në talk-show L’Aria Che Tira të martën: “Si është e mundur që dy me lidhje kaq të forta dypalëshe me BE dhe me objektiva kaq ambiciozë... u ndalën te parlamenti? Është vërtet e mundur që të mos jenë përpjekur të infiltrohen e të kushtëzojnë edhe punën e Komisionit? Kjo është pyetja me të cilën po punohet tani në Bruksel dhe që e vë zemrën operacionale të BE në syrin e ciklonit”.

Një tjetër pyetje, por për të cilën ka thuajse heshtje totale në Itali është se çfarë na tregon Qatargate për italianët. Prokurorët belgë e kanë quajtur “The Italian Job” – por nga vetë Italia çfarë ka? Heshtje.

Përveç kësaj. Mario Monti, ekonomisti i parashutuar kryeministër më 2011 për të nxjerrë Italinë nga kriza e euros, ishte i dëshpëruar për kapital për të shpëtuar sistemin bankar italian dhe më 2012 i kërkoi Emirit të Katarit, i cili refuzoi. Kur Monti i kërkoi arsyen, Emiri iu përgjigje: “Ka shumë korrupsion në vendin tënd”! Siç më ka thënë dikur një shqiptar: “Ka gjithmonë diçka për t’u shqetësuar me këta italianët”.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Gj26/12/2022 18:38

Investigoni të gjeni ideologun dhe nga Marksi.. do arrini jo përtej La Manshit, por përtej Atlantikut!

Shto koment

Denonco