Lajmi i fundit

LIVE/ Protestë para bashkisë së Tiranës kundër korrupsionit

Shqiptarët nuk ikin pse janë kriminelë, por u ikin kriminelëve!

Shqiptarët nuk ikin pse janë kriminelë, por u ikin kriminelëve!

Nga Kim Mehmeti - 05/11/2022

Neve shqiptarëve na ka ndodhur që për të mbijetuar, ta braktisim  vendlindjen dhe të ‘maskohemi’ në grekë, italianë..., vetëm që ashtu të ‘maskuar’ me lehtë të na pranojë mjedisi ku shtegtonim. Dhe shumicës prej atyre që u davaritën nëpër metropolet e botës, me kalimin e viteve, nisi t’u pëlqejë ‘maska’ e ta harrojnë fytyrën e vërtet etnike, me çka u rrit numri i tanëve të shpërndarë nëpër këtë rruzull tokësor, por u zvogëlua numri i shqiptarëve. 

Ne shqiptarët shpesh herë kemi qenë të detyruar t’i ikim varfërisë, por kurrë nuk na kishte ndodhur ajo që i ndodh sot rinisë shqiptare: të mos ikë për t’i shpëtuar skamjes, por që t’u shpëtojë kthetrave kriminale që kanë marrë në duar ‘Shqipëritë’ tona.

Dikur pra ishte varfëria ajo që na detyronte të tjetërsohemi e sot, për shembull, është regjimi i Piktorit ai që i detyron të rinjtë të venë ‘maskën’ e ta fshehin fytyrën shqiptare, por jo pse nuk janë mjaftueshëm atdhetarë dhe, jo pse i tremben varfërisë, por pse turpërohen nga përfaqësuesit e tyre politik.

Sot pra, shumë nga të rinjtë shqiptarë e braktisin vendlindjen jo pse atje ku jetojnë nuk mund të jetohet, por pse ndjehen të tradhtuar nga burrështetasit që morën në duar fatin e tyre, siç janë për shembull ata të ‘Rilindjes’, të cilët Shqipërinë e bënë ‘atdhe’ të kriminelëve, e bënë vend ku shkruhet disfata jonë kolektive dhe ku shqiptaria nuk është e rrezikuar nga armiq të jashtëm, por nga pandjeshmëria e hajdutëve tanë.

Dhe sot pra, kur qeveritë dhe mediat e huaja mëkatojnë dhe e trajtojnë rininë tonë si kriminele, ne e dëgjojmë Piktorin si na shpjegon se edhe anglezët i braktisin fshatrat dhe shpërngulen në Londër, thuajse ata kanë marrë gomonet e sapo kanë arritur në Vlorë?! Pra dëgjojmë arsyetimet e njeriut të cilit  t’i thuash se është e turpshme dhe mëkatare ta gënjesh e vjedhësh popullin tënd, është njësoj si t’i thuash pijanecit se dehja të turpëron e të çnjerëzon.

Po, ne shqiptarët e njohim mirë sofrën e varfërisë dhe atë të kurbetit,. Dhe kemi qenë të detyruar që për t’i shpëtuar skamjes t’i braktisim trojet tona ku madje edhe kurrë më nuk jemi kthyer. Por kurrë nuk na ka ndodhur ajo që na ndodh sot: që të mos i ikim varfërisë por kriminalizimit të shoqërive tona, shoqëri në të cilat u vra dhe u varros shpresa rinore.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Vatikani pse s'e njeh Kosovn?05/11/2022 16:41

Politika po kriminalizon populin. Të paktën gjysma e ekonomisë është informale. Shqiptarët tashmë janë mësuar të punojnë në të zezë ose duke deklaruar max vetëm rrogën minimale. Japin rryshfet kudo, në mjekësi, për një vend pune, për një shërbim etj. Tashmë korrupsioni është kulturë popullore, vështirë ta zhbësh, se ka 30 vite që funksionon kështu, sipas vizionit të klasës së korruptuar 30 vjeçare majtas e djathtas. Kush do e zhbëjë, ata që e krijuan dhe e mirëmbajnë akoma këtë sistem shkërdhatokracie? Jo. Pra, ose përshtatesh me thërrimet që jep politika, bëhesh servil i tyre, ose do bëhesh hajdut, mafioz apo kriminel si ata, ose emigron. Kaq!

Abdylaqim apo Kim?05/11/2022 16:33

Abdylaqim, ti rrogën ke thënë se e ke 2000 euro. Po të merrnin shqiptarët të paktën gjysmën e rrogës tënde nuk do iknin. Në fakt edhe pse me shkollë të lartë, marrin mesatarisht çerekun. Përpos faktit që nuk ka as punë në Shqipëri, por edhe ata që janë në punë, janë të keq paguar. Me këtë papunësi dhe këto rroga, do ikin të gjithë. Kuptohet, përveç atyre që janë të kënaqur me thërrime për të votuar pastaj politikën e korruptuar të këtyre 30 viteve. Do ngelet një shtresë e vogël e pasur 1-5% popullsisë, dhe pjesa tjetër e varfër, skllevër modernë. Por ndërkohë si fasadë do jenë kullat e larta bosh dhe call centerat si model i vetëm punësimi dhe zhvillimi ekonomik dhe mashtrimi ndërkombëtar. Kaq prodhon Shqipëria, pordhë, emigrantë, lavatriçe pastrimi parash, dhe operatorë call centeri. Se harrova! Do ketë patjetër pafund fusha të mbjella me hashash.

Shto koment

Denonco