Çfarë i duhet Washingtonit të mbajë në këmbë një regjim kleptokratik jo popullor në Tiranë?

Çfarë i duhet Washingtonit të mbajë në këmbë një regjim kleptokratik jo popullor në Tiranë?

Nga Agim Nesho - 31/07/2022

Përgjigja është e qartë: jo vetëm nuk i intereson por merr edhe një kosto të madhe duke përkrahur regjime autoritare që kanë kapur shtetin dhe kanë kthyer shtetin në jo funksional.

A njihet situata në Shqipëri? Situata në Tiranë njihet mirë dhe për këtë flasin raportet e Departamentit të Shtetit, Freedom House, Transparency International, Doing Business, treguesit e përkeqësuar të situatës në medien e lirë dhe kapjen e shoqërisë civile. Shqipëria me treguesit demokratikë jo vetëm po përkeqësohet por sot mund të krahasohet me vendet më të pazhvilluara të Afrikës. Por pragmatizmi dhe kriza, tendencat për të krijuar një problematikë të shtuar nga regjimet autokratike në Ballkan ka bërë që Washingtoni ta tolerojë këtë situatë. 

Pra dihet por nuk veprohet. Pse?

Së pari, disa mendojnë dhe kanë të drejtë të mendojnë se Edi Rama përkrahet nga ‘Shoqëria e Hapur’ e Soros si një nga elementet që do të provojë trashëgiminë e kësaj organizatë në vendet ish-komuniste dhe transformimin e kësaj veprimtarie në krijimin e një shoqërie të hapur demokratike dhe funksionim të ekonomisë së tregut. Eksperienca e deritanishme e kësaj organizate ka treguar që individët e përkrahur prej saj me qindra miliona dollarë kanë dështuar në misionin e tyre si Sakashvili në Gjeorgji, Timoshenko në Ukrainë dhe udhëheqës të tjerë në Europën Lindore. Jo vetëm kanë dështuar por edhe kanë përfunduar në burg për korrupsion, keq-qeverisje dhe mungesë vizioni. Do presim që edhe në Shqipëri të ndodhë e njëjta gjë dhe pastaj të ndërhyjnë? Atëherë do të jetë vonë dhe Shqipëria do të jetë drejt shkatërrimit.

Para disa ditësh historiani më autoritativ i kohës sonë Niall Ferguson shkroi në Bloomberg për ngjarjet në Sri Lanka, dhe shtroi pyetjen: Kush e ka radhën më pas Shqipëria …? Reagimi erdhi pas protestës popullore të 7 korrikut kur populli shqiptar shpërtheu në rrugët e Tiranës. Por rasti i Shqipërisë nuk është keqadministrimi i vendit nga padija. Ky është rasti i një klike kleptokrate që ka kapur shtetin dhe abuzon me pasurinë e popullit të tij.

Së dyti, Zoti Rama ka paraqitur veten së bashku me Vuçiç si agjent ndryshimi dhe pjesë e projekteve të mëdha për stabilitet Ballkanik. Në fakt këto projekte janë sponsorizuar nga vetë këta liderë ballkanikë për të zgjatur sa më shumë regjimet e tyre autokratike. Projekte të tilla janë shitur nëpërmjet lobimit dhe sot zënë vend në projektet e organizatave të fuqishme si Atlantic Council që financohen nga ‘Open Society’ e Soros.

Kështu veproi Rama-Vuçiç me projektin famëkeq të ndryshimit të kufijve, projekt serbo-rus për destabilizimin e Ballkanit, kur gjithë lobistët e tij si Blair u sulën drejt Washingtonit (kam parasysh deklaratën e Ambasadorit Bolton, këshilltar i sigurisë kombëtare të presidentit Amerikan kur deklaroi që iniciativa përkrahej edhe nga figura të njohura si Tony Blair).

Kështu po vepron me ‘Ballkanin e Hapur’, iniciativë që do të kthejë dominimin serb në rajon. A është kjo një iniciativë amerikane? Sigurisht që jo. ‘Është e dakordësuar me administratën amerikane’, – deklaroi zoti Rama para disa ditësh. Ku e gjen ky aventurier politik t’i japë oksigjen Vuçiç-it, klientelistit të Putinit, kur deklaratat e SHBA-së dhe zotit Eskobar kanë qenë të qarta: ‘Ka disa vija të kuqe dhe në iniciativë duhet të përfshihen të gjitha shtetet, të mbetet një iniciativë ekonomike, etj. etj.’ Pse i duhet akoma Ballkani i Hapur kur u hapën negociatat për aderim në BE? Pse jo Procesi i Berlinit por zvarritja për të krijuar një Jugosllavi të re, plus Shqipërinë? Pse shikohet me mosbesim dhe në heshtje iniciativa e kancelarit gjerman Scholz për të patur një zgjidhje solide në Ballkan? Pse Rama-Vuçiç përkrahin skenarët që Kosova të mos njihet si shtet i pavarur? Cili është qëllimi i fundit i Rama-Vuçiç me këtë iniciativë? Të ndryshojnë kufijtë në Ballkan, të krijojnë një hapësirë influence për Rusinë dhe Kinën dhe ta kthejnë Ballkanin e Hapur në një hapësirë të vendeve të paangazhuara?

Presidenti i Malit të Zi, zoti Gjukanoviç e ka shprehur qartë qëllimin e kësaj iniciative. Ai është president i një vendi anëtar të NATO-s dhe një njohës i thellë i ambicieve të Serbisë në rajon. Së bashku me të janë liderët demokratikë të vendeve të Ballkanit, Osmani dhe Kurti në Kosovë, udhëheqja në Bosnjë-Hercegovinë, udhëheqësit e opozitës në Shqipëri, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Pendarovski, që kanë paraqitur rezerva.

Si mund të përkrahen pa rezerva aventurierët politikë si Rama-Vucic për një projekt që është i papranueshëm? Kush do të mbajë përgjegjësi përpara demokracive perëndimore në qoftë se konflikti në Ballkan rikthehet dhe lufta rifillon? Alex Soros, Edi Rama apo Vucic? Ata e kanë zgjidhjen e tyre dhe me pasuritë marramendëse gjejnë strehim në vendet arabe, marrëdhëniet me të cilët janë forcuar kohët e fundit me projekte të dyshimta dhe firma offshore. Popujt dhe Perëndimi do të mbajnë koston e kësaj aventure.

Së treti, zoti Rama paraqitet si kampion i bashkëpunimit me SHBA-në dhe Perëndimin. Kështu përmendet akti për marrjen e afganëve, vetë-ofrimi për baza ushtarake, etj, etj. Lind pyetja: Kur ka munguar ky bashkëpunim me të gjitha qeveritë shqiptare gjatë këtyre 30 viteve? Kryeministri Meta për Kosovën dhe konfliktin në Maqedoni, bashkëpunimi i zotit Berisha me administratën Bush për shpëtimin e ujgurëve, etj. Ky është naivitet të besosh që ky është një lider i përkushtuar, pavarësisht se e luan këtë rol. Në fakt ky është një lider i korruptuar klientelist që marrëdhëniet i projekton për të mbajtur pushtetin personal të tij. Marrja e afganëve nuk ishte gjë tjetër vetëm justifikim i skenarit të vjedhjes së votës së lirë të 25 Prillit dhe fatkeqësisht u përkrah pa mbaruar procesi. Skenari i patronazhistëve ishte një turp për demokracitë perëndimore.

Në vend të përfundimit

Përkrahja për regjimet autoritariste të Ballkanit po rrit tensionet në Ballkanin Perëndimor. Maturia e opinionit publik nuk mund të pranojë më regjime të lidhura me krimin, drogën dhe abuzues të pasurisë publike. Asnjë projekt i servirur nuk mund të justifikojë shkatërrimin e shtetit ligjor dhe demokracinë. Perëndimi duhet të jetë realist dhe të kthejë vëmendjen seriozisht për Ballkanin.

Zoti Rama nuk mund ti shpëtojë zemërimit popullor të vjedhjes së madhe të inceneratorëve edhe sikur filantropistët që e përkrahin t’i kthejnë popullit 430 milionët e marra nga pasuria e tij.

Populli beson në sistemin demokratik jo në aventurierët që hiqen si të tillë. Washingtonit nuk i intereson të përkrahë regjime të kompromentuara dhe kleptokratike, të cilat sjellin erën e regjimeve putineske në Ballkan.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shqiptaro-Amerikani01/08/2022 09:50

Këtë përkrahje dhe mbështetje të turpshme, korruptive dhe kriminale që qeveritë e SHBA dhe të MB po i japin narko-diktatorit të ri kriminel, kleptokrat, psikopat, grabitës, hajdut, shtypës, feudal, anti-shqiptar, dhe antipopullor dhe regjimit të tij kleptokrato-feudal e komunisto-fashisto-sorosian këto 9 vite deri sot, nuk ia kanë dhënë diktatorit gjakatar Enver Hoxha regjimet komuniste sovjetiko-kineze para vitit 1990!!!
Kjo mbështjetje kriminale anglo-amerikanë për një regjim diktatorial është më e turpshme dhe më kriminale se sa vetë ky regjim!!!! Kjo mbështetje është një turp dhe një krim akoma edhe më i rëndë se sa mbështetja që SHBA i dha regjimit më të fundit të korruptuar të Ashraf Gani në Afganistan!!
Ky është një TURP i pashembullt për SHBA dhe MB, si dhe për demokracinë!!

Shto koment

Denonco