Zotërinj amerikanë dhe britanikë, bëhuni patronazhistët e Davidit dhe jo të Goliathit

Zotërinj amerikanë dhe britanikë, bëhuni patronazhistët e Davidit dhe jo të Goliathit

Nga Ndriçim Kulla - 31/07/2022

Askush nuk mund të besojë racionalisht se e keqja e Shqipërisë është opozita dhe ajo duhet dërmuar plotësisht. Prandaj goditja e saj përsëri tani me ‘non gratën’ britanike, në prag të hapjes së negociatave, bie erë myku diplomatik dhe qelbi inatçor.

Ja, kjo kohë e ky modalitet i pakuptimtë, i patakt, dhe i paarsyeshëm në fakte e qëndrime, e vulosin më shumë dhe me bindshëm idenë popullore se edhe ‘non-grata’ e parë qe thjeshtë një qokë e qarqeve të caktuara në favor të Edi Ramës dhe frikës që atë e ka kapluar nga rizgjimi i popullit opozitar.

Tani me gjithçka është ngritur në një nivel më të lartë. E gjitha kjo nuk ka të bëjë me Sali Berishën, as me dinjitetin e tij, as me hallin e madh që e ka zënë, siç nxjerr jargë gojëpërlyer propaganda qeveritare. E gjitha kjo ka të bëjë me Shqipërinë, me opozitarizmin dhe mua kjo më shqetëson shumë dhe jo Sali Berisha. Po, po, të nderuar qeveritar amerikan dhe britanik, këmbëngulja juaj e padëgjuar ndonjëherë për të goditur për së dyti opozitën, që sapo organizohet e ngre kokën denjësisht, siç i ka hije një populli të fyer, përçmuar, zhvatur e masakruar ekonomikisht deri ne palce, kundra politikanëve të vetë hajdute të paskrupullt e arrogantë, mban shumë erë të qelbur prapaskenash e favoresh për qeverinë.

Duhet të na shpjegoni, ju lutem, korrupsioni dhe minimi i demokracisë për shqiptarët e gjithë kësaj dekade të fundit çfarë emri ka, Sali Berisha apo Edi Rama? Duhet të shihni me sytë tanë e të dëgjoni realitetin me veshët tanë, gjithë këtë dekadë, kush e kanabizoi Shqipërinë? A ka krim më masiv se ky për një vend, e përsëri ju nuk folët e nuk dënuat askënd, as me ‘non-grata’ e as me ata mekanizmat tuaj të shumtë ndikues por në mënyrë të pabesueshme fokusoheni tek një njeri që ka 10 vjet që ka ikur nga pushteti ekzekutiv.

Kush e vodhi për 10 vitet e ardhshme Shqipërinë me skemat më të tmerrshme korruptive që edhe ju i dini mirë?! A ka vrasje masive më të madhe se kjo për të ardhmen e një vendi? Aty janë ministrat dhe qeveritarët e këtij korrupsioni, pse nuk i ndëshkuat dhe nuk po i ndëshkoni vallë ata dhe tani por krijoni alibinë e një liste sa për të qenë edhe Sali Berisha në këtë listë në mënyrë që ta diskretitoni atë e të plotësoni qokën e dikujt?

Pa as më të voglin respekt nuk denjoni as të na jepni shpjegim, kur ne ju kërkojmë prova dhe fakte, por thjesht me arrogancë na keni imponuar një vendim të pa precedent pa procedura dhe pa gjyq. Keni dënuar ndonjëherë në vëndin tuaj një njeri pa gjyq duke shkelur qartësisht parimet dhe normat mbi të cilën është ndërtuar qytetërimi dhe demokracia juaj dhe populli t’ua ketë pranuar?!

Po demokraci më të minuar a ka për ne, kur ju lejuat Lulëzim Bashën, që pasi dogji mandatet, ia dhuroi pushtetin lokal falas në tavolinë, 60 me zero pushtetit që është në fuqi? A ka minim me tragjik të demokracisë se ky? A u shqetësuat ju për përqendrimin e pushtetit në dorë të një njeriu me emrin Edi Rama që ka rikthyer luftë e klasave në këtë vend, e që na ndjek këmba këmbës edhe ne intelektualëve që e kundërshtojmë regjimin e tij që ka krijuar? Asgjë.

Ju vazhdoni ta shihni Shqipërinë si në kohën Edward Gibbonit, kur historian dhe parlamentari britanik ironizonte elitat europiane që e trajtonin këtë vend si një territor ekzotik dhe jo si një komb që ka patur karrigen e tij në tryezën e Rilindjes Europiane në kohën e Skënderbeut.

Ne pritëm 4 vjet që ju të ndikonit me mekanizmat tuaj të dukshëm e të padukshëm për ta korrigjuar këtë tragjedi për popullin shqiptar, qoftë edhe duke neutralizuar autorin e saj, Lulëzim Bashën, ndërkohë që deri më sot e keni lënë të flasë përçart si i dehur kryeministrin tonë e të fryhet si gjeli në majë të plehut se gjoja ai s’ka ç’të bëjë me këtë fitore, por se do qeverisë mirë.

A kishte vallë kohë më të mirë për të ndëshkuar pozitën tonë që po shkonte nga krimi në krim ndaj demokracisë se sa kjo. Po ju përsëri nuk bëtë asgjë. Përkundrazi edhe sot i bëni sehir në mënyrë krejtësisht spektakolare pushtetit diktatorial që të pengoj fare hapur opozitën nëpërmjet gjykatave të kapura në mënyrë që të mos ketë të drejtën as të regjistroj statutet formale e të pengohet për aktivitetin e saj politikë.

A ka cinizëm më të madh se ky ? A nuk është kjo në thelb një luftë kundra pluralizmit dhe demokracisë së një vendi?!

Po kur shqiptarët panë me zë e me figure vjedhjen e votave nga shteti i tyre, çfarë mund të kuptonin ata me heshtjen tuaj, përveçse një padrejtësie të pashembullt në kurriz të tyre? Po kur panë me firmë e me vulë, po nga shteti i tyre vjedhjet qindra milionë euro në aferën e djegësave, të kamufluar pas pensionistëve dhe të vdekurve, ulërima e urrejtjes së tyre për këtë pushtet, që u pa gjerë e gjatë në protestën e 7 korrikut, si nuk ushtoi vallë edhe në veshët tuaj aq të ndjeshëm për transparencën, demokracinë dhe antikorrupsionin? Po përsëri heshtje. Ah jo, diçka tjetër ngjau.

Pas protestës më të madhe opozitare të tranzicionit, në 7 korrik, çuditërisht goja lakmitare e kryeministrit, aq e stërvitur dhe e zhdërvjellët për të shpotitur, tallur e përçmuar u kyç për ditë të tëra në një heshtje të tmerrshme varri. Por jo, mëndja e tij perverse shpiku një marifet tjetër, vendosi në përdorim një ‘non-grata’ tjetër, atë britanike, të stisur që kohë më parë në ambientet ndërkombëtare e të sjellë në lojë pikërisht si një kundër-miting.

Kjo është arsyeja se gjithçka tani s’ka të bëjë më as me Berishën e Metën, por me opozitën, me Shqipërinë dhe popullin e saj. Kjo është arsyeja që dhe Edi Rama e ka kot me ‘non-gratat’ e tij edhe në të ardhmen ( psh me skemën e ‘5 syve’), pasi kështu do ta telendisë më shumë imazhin e ndërkombëtarëve në sytë e shqiptarëve.

Sot Shqipëria po qanë për njerëzit që po i ikin, sidomos për ata të cilët regjimi po ua pamundësoi të jetuarit për arsye të luftës klasore që bën edhe para syve tuaj. Shqiptarët janë në një luftë për jetë a vdekje me regjimin që po i shpopullon dhe i vret masivisht ekonomikisht, ndaj nuk do tua falin ndërkombëtarëve asnjë dyfishësi në këtë çast historik të jetës së tyre në liri.

Kjo duhet të jetë e qartë si drita e diellit për të gjithë ju segmente manipulatorë të qarqeve ndërkombëtare, që po veproni në kurriz të interesave të shqiptarëve. Juve që me mesazhet e pa sinqerta të ‘non grates’ na thoni se ne nuk iu lemë ti zgjidhni udhëheqësit tuaj. Juve na thoni bëni si themi ne se ndryshe do hani bar.

Ka ardhur koha që ta lini të pandikueshëm shpalosjen e lirë në vullnet e në veprime të sovranitetit popullor shqiptar. Ka ardhur koha që të demaskoni në këtë luftë të pabarabartë me pushtetin, Goliathin e korrupsionit dhe minimit të demokracisë, zotin Edi Rama, në luftën e tij me Davidin, sovranitetin popullor, madje të silleni edhe ashtu siç silleni me popujt tuaj.

Ne nuk jemi popull eksperimentesh, si ato të zgjedhjeve lokale, as popull inferior që nuk kuptojmë, përkundrazi jemi një popull i besës dhe besimit. Jemi populli më proamerikan dhe më proevropian, këtë mos e harroni, ndaj duam një trajtim të po njësojtë.

Madje, për të përdorur një shprehje aq te dashur nga kryeministri i skandaleve të nxjerrjes masive të të gjitha të dhënave personale në shesh dhe i patronazhistëve e spiunëve, bëhuni patronazhistët e Davidit, mbrojtësit e më të voglit, më të pafuqishmit, më të papushtetshmit.

Kjo është historia juaj, demokracia dhe fisnikëria juaj proverbiale, që në rastin tonë aktualisht nuk po e respektoni.

Tek e fundit edhe fuqia hyjnore i takon pikërisht Davidit.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Kosovari31/07/2022 15:21

Shkrim i plote, i sakte dhe realist

Malet Egra31/07/2022 13:11

Koment i perkryer.
Ka ardhur koha qe sovrani te veproje.
Boll me gjumin letargjik te harushes.

askushi31/07/2022 12:39

Me kete shkrim meritoni monument ! ( Jo rastesisht e keni mbiemrin Kulla )

Shto koment

Denonco