Të korruptuar apo grabitës? Që t'i sqarojmë konceptet

Të korruptuar apo grabitës? Që t'i sqarojmë konceptet

Nga Ylli Manjani - 30/07/2022

Qeveria dhe ambasadoro-kracia e huaj thonë se duan të luftojnë, madje të zhdukin korrupsionin. Nga ana tjetër bindja publike dominante është se korrupsioni është rritur.

Jo pak komentues publikë ngrenë pyetjen "si ka mundësi që ambasadorët nuk gjykojnë korrupsionin e qeverisë?".

Ka një logjikë që e shpjegon këtë situatë.

Si fillim duhet dalluar korrupsioni, pra kryerja e një shërbimi publik në këmbim të një përfitimi privat, nga grabitja dhe/ose vjedhja, që është përvetësim të pasurisë dikujt tjetër për përdorim privat.

Në vijim, nëse e kuptojmë qartë këtë dallim konceptual, logjika të çon që qeverisja e sotme, të cilën e mbështet ambasadoro-kracia, nuk është e korruptuar por qartësisht grabitëse dhe/ose hajdute.

Ndaj kur thuhet se po luftohet korrupsioni, kjo luftë nuk nënkupton hajninë apo grabitësit e parave e të pasurisë publike. Prandaj qeverisë nuk i hyn gjemb në këmbë nga lufta kundër korrupsionit.

Në fakt, nëse analizohet nën këtë logjikë sjellja e qeverisjes së sotme (qeverisje do të thotë pushteti monist që ka çdo gjë në dorë), duket qartë që ajo sillet si pronare e çdo qindarke apo njësie matëse të pasurisë publike dhe madje edhe private.

Qeverisja ka rrëmbyer (grabitje quhet marrje me dhunë e pasurisë) çdo gjë. Buxhetin, taksat, borxhet, pasuritë mbi e nëntokësore, trashëgiminë historike e kulturore, lumenjt, pyjet, detin absolutisht çdo gjë. Madje kur i duhet rrëmben edhe pasuritë private të njerëzve.

I ka të vetat të gjitha gjërat publike. I ka rrëmbyer dhe bën ç’të dojë me to. Ia jep vetes dhe miqve të saj për qejf privat. Ajo sillet si pronare e gjësë që e ka grabitur. Kjo sjellje, sigurisht nuk quhet korrupsion, por grabitje.

Për pasojë qeveria e sotme nuk quhet më e korruptuar por grabitëse. Hajni e nivelit të lartë. Cilido që ka një punë në pushtetin e grabitjes ndjehet pronar i gjësë që ka në dorë. I zyrës, tavolinës, telefonit, letrës, kompjuterit, tokës, parave, godinave çdo gjë..!

E njëjta ndjesi vlen si për pastruesin ashtu edhe për të zgjedhurin në këtë qeverisje grabitëse.

Shihini me vëmendje si sillen! Si pronarë të gjësë.

Shihni deputetët që bëjnë ligje, tagër publike kjo, për të ndarë pasurinë publike si plaçkë tregu!

Shihni qeverinë si i ndan tenderat e si e jep pasurinë me koncension pa asnjë leverdisshmëri publike, por thjesht për të bërë lekë për qëllime private.

Këta janë pronarë të çdo gjëje, ndaj s’ka se si të jenë të korruptuar. Nuk ka të korruptuar në pronën e vet.

Ku ta gjenim që të kishim qeverisje thjesht të korruptuar!

Kjo shpjegon pse SPAK dhe Reforma në Drejtësi janë jashtë realiteti.

Kjo logjikë shpjegon pse arka me peshk e zv.ministres është më e dënueshme sesa grabitja e pasurisë publike e private.

Kjo logjikë shpjegon pse SPAK është katandisur tek shpërdorimi i detyrës, si vepër penale e kohës së komunizmit. Një nen llastik ky që e përdor si të duash.

Prandaj lufta ndaj korrupsionit tashmë nuk ka kuptim për rastin tonë.

Duhet një reformë e thellë që të dënojë grabitësit e hajdutët e parave e pasurisë publike. Nuk di logjikë tjetër të lexojë këtë realitet.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

rrapo31/07/2022 12:21

Pa diskutim ashtu eshte, po kur ambasadoret mbeshtesin te hajdutet dhe godasin opoziten çfare te themi.
I bije qe ambasadoret e radhes bejne demagogji mbushin xhepat dhe ikin nga kane ardhur.
Populli yne duhet ti dale zote vatanit, ti shporri sa me shpejte kete klike anti-shqiptare.

krasasi tp30/07/2022 14:16

"Duhet një reformë e thellë që të dënojë grabitësit dhe hajdutët.......". E kena gjetë or taj. Reforma në drejtësi. Nëse SHBA dhe BE shpallin falimentin e R.D atëhere do përfillemi për një tjetër "reformë të thellë". Pa hajduta në pushtet, nuk ka as hajni. Pa spastruar partitë politike nga mbartsit dhe ushtruesit e hajnisë nuk ka asnjë shans që të qeverisemi demokratikisht. Mbi 80% e qytetarëve e mendojnë dhe 60 % e shprehin hapur se Kasta politike 30 vjeçare është dhe ka qenë bashkë. Kush ka vepruar ndryshe, ose është flakur jashtë sistemit si leckë, ose është 'integruar' nëpërmjet shantazhit, apo joshjes për karierë në politikë. Kastës politike sot, i ka hyrë edhe sherri në mes, sikur mos tu mjaftonte goditja anti korrupsion dhe antikrim. Integrimi dikton rregulla të tjera. Përfshi edhe nevojën për fytyra të
reja, e me mendësi të tjera.

Shqiptaro-Amerikani30/07/2022 14:15

Vjedhja dhe grabitja me dhune, me thyerje, me maska apo me ligje vetem apo ne bashkepunim me te tjere persona e pasurive dhe buxhetit te shtetit apo te individeve dhe grup-individeve, eshte nje veper e rende penale dhe mjaft ordinere, qe denohet rende me ligj.
Por me e rende dhe e denueshme eshte vjedhja, sidomos kur behet me mbeshtetje nderkombetare dhe me perkrahje ambasadoreske, te cilet ndoshta jane edhe pjese e ndarjes se kesaj placke te vjedhur!!!

Shto koment

Denonco