Radikaliteti si shpresa e vetme e një shoqërie në frymë të fundit

Radikaliteti si shpresa e vetme e një shoqërie në frymë të fundit

Nga Andi Mustafaj - 04/06/2022

Përse? Një fjalë sa një fjali, një tingull sa një melodi, një çast sa një pafundësi. Pamundësia për t’ju përgjigjur me fjalë e më pas me vepra kësaj pyetje është pikënisja dhe mbërritja e problemeve me ekzistenciale të shoqërisë sonë.

Përse jemi katandisur në këtë gjendje? Përse jemi të pafuqishëm përballë regjimit kriminal të Rilindjes? Përse nuk ngjallim dot shpresën te zemrat e njerëzve? Përse jemi spektatorë të fatkeqësisë sonë?

Prej 9 vitesh tashmë, sytë e shqiptarëve kanë parë të sfilojnë përpara tyre një larmi të madhe skandalesh, abuzimesh dhe krimesh qeveritare. Të drobitur, të lodhur ata janë mësuar me shfaqjet e turpshme të një autokrati të rëndomtë. Ndërkohë që një mijë qeveri duhet të ishin rrëzuar, ne rrëshqasim gjithmonë më shumë, herë ngadalë e herë shpejt, drejt greminës që na pret.

Përballë këtij realiteti të trishtë, duhet bërë një konstatim faktual: deri tani Partia Demokratike nuk ka arritur të gjejë ekuacionin e duhur për të rrëzuar regjimin autokratik të Edi Ramës. Në këtë mënyrë ajo ka humbur një nga takimet e saj me historinë.

Sigurisht, arsyet e këtij dështimi janë të shumëllojshme, por njëra prej tyre në veçanti më mundon: braktisja, lënia në mes e kauzave të mëdha qytetare. Kjo praktikë u fillua nga Lulzim Basha dhe pak e nga pak u shndërrua në mentalitet, u përhap si një virus i tmerrshëm, i pakuptueshëm duke kontaminuar te gjithë indet e partisë sonë por edhe më gjerë, ato të shoqërisë shqiptare.

Në ditën e parë të kauzave të mëdha, ne ishim aty, në ditën e dytë kishim punë, në ditën e tretë po pinim kafe, në ditën e fundit, kur dora e rëndë e Rilindjes lëshohej verbërisht mbi bashkëqytetarët tanë, ne nuk ishim gjëkundi...

Çfarë do të thotë kjo për ne? Po për Partinë Demokratike? Po për vendin?

Në dhjetor të vitit 1990, Azemi Hajdari i pati thënë babait tim: “I kam hyrë kësaj rruge për të vdekur, jo për ta lënë në mes”. Çfarë pasqyrë therëse e mediokritetit tonë, zile shurdhuese e pandalshme në veshët e një brezi të përulur përpara paraardhësve të tij të nderuar.

Çfarë jemi gati të sakrifikojmë për të mbrojtur vlerat tona? Nëse ne që pretendojmë të përfaqësojmë Partinë Demokratike, në cilëndo hallkë të saj nuk i përgjigjemi kësaj pyetje me fjalët “çdo gjë”, atëherë nuk jemi asgjë më shumë se mashtrues që gënjejmë veten dhe popullin prej vitesh, duke pretenduar se po luftojmë një regjim autokratik ndërkohë që në fakt po luftojmë mullinjtë e erës.

Duhet të jemi gati të humbasim çdo gjë sepse bashkëqytetaret tanë po humbasin gjithmonë e më shumë çdo gjë, të pafuqishëm ata po zhbëhen brenda botës imagjinare propagandistike të Rilindjes. Spiralja e dështimit në të cilën kemi rënë nuk është fatalitet, nuk jemi të dënuar të dështojmë. Për këtë, duhet që mentalitetit të braktisjes t’i përgjigjet një i ri, ai i radikalitetit.

Politikisht dhe filozofikisht, radikaliteti shfaqet nëpërmjet mendimeve dhe veprimeve të prera të cilat synojnë ndryshimin rrënjësor të shoqërisë. Kjo arrihet nëpërmjet një sjellje shembullore dhe një gatishmërie për t’i shkuar deri në fund betejave të nisura. Në këtë mënyrë, fitoret e vogla bëhen orteqe të një partie me frymë te re.

Nuk ka rëndësi sa i ri apo i vjetër je, nuk ka rëndësi nëse je burrë apo grua, deri në një farë pike nuk ka rëndësi as se çfarë ke bërë më përpara: e vetmja gjë që ka rëndësi është të dish se çfarë je gati të bësh, çfarë je gati të humbasësh duke luftuar regjimin.

Partia Demokratike duhet të hartojë Listën e Kauzave të Mëdha Qytetare dhe ta mbajë atë si flamur, si një dëshmi e përhershme e mentalitetit të ri që duhet të ndjekë Rithemelimin.

Personat e angazhuar në mbrojtjen e këtyre kauzave nuk duhet të kenë asnjë lidhje, as edhe më të voglën me Rilindjen apo njerëzit e saj. Mbi të gjitha ato nuk duhet të pushojnë deri sa kauza të fitohet.

Ne nuk mund të pranojmë që njerëz të përfundojnë në burg për betejat e lëna në mes, nuk mund të pranojmë që përfaqësuesit tanë të marrin leje ndërtimi nga kriminelë të Rilindjes. Beteja radikale duhet të çohet në të gjitha fushat ku gjendet Rilindja.

Në nivelin e tyre kemi pasur shumë qëndrestarë demokratë që e kanë realizuar këtë gjë, qoftë te Teatri, tek Astiri etj. Duhen marrë si shembull dhe institucionalizuar veprimtaria e tyre.

Fjalët dhe veprimet duhet të jenë në koherencë të plotë në mënyrë që qytetarët shqiptarë, të zhgënjyer apo jo nga Partia Demokratike të shohin dhe të ndjejnë ndryshimet thelbësore midis nesh dhe Partisë Socialiste.

Përgjegjësia është e madhe, sfida është e madhe, është në nivelin e së keqes që duhet të luftojmë, por kam shpresën e thellë se duke mësuar nga gabimet e së kaluarës dhe duke ndryshuar mentalitetin që na ka sunduar, Partia Demokratike është në gjendje të rrëzojë përsëri një regjim kriminal.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Kimi05/06/2022 07:48

Po ik ere palaco...u bone ti..ik ha no nje qofte n zgare andej nga Montparnasse..

Skrapari04/06/2022 16:20

Sikur ta kisha shkruar me doren time. Jam absolutisht dakord me radikalizimin qe propozohet. Ky rregjim qelbesirash vetem me kryengritje te armatosur rrezohet. Rruge tjeter nuk ka.

Radikalizmi04/06/2022 16:15

We ne titull refuzova ta lexoj. Radikalizmi dhe jo radikaliteti

Shto koment

Denonco