Lajmi i fundit

Ngjarja e rëndë, kishte dalë të mblidhte çaj, bie nga Qafa e Gjarprit

Kur s'të shpëton dot as varka e Xhelalit dhe as kamerdarja e Xhemalit!

Kur s'të shpëton dot as varka e Xhelalit dhe as kamerdarja e Xhemalit!

Nga Armand Maho - 29/12/2021

Rrekjet e Lulzim Bashës për të treguar se ka mbështetje po e kthejnë përditë e më shumë në target sarkazme e ironie. Nuk është qesharake vetëm ajo çka thotë, si fjala vjen se ka 99 % të antarësisë me vete, por edhe veprimet e tij si për shembull këtë të mërkurë, ku varkën e shpëtimit tentoi ta gjente në Dibër, tek një takim mezi të organizuar, ku me para nën dorë e ku me premtime nga ish-eksponentë që me kohë janë kthyer në personazhe barcoletash nga populli i mençur dibran. 

Teksa Sali Berisha pritet në Vlorë, Durrës e kudo në festimet e themelimit të degëve të PD-së, Basha këtë të mërkurë tentoi të përdorte si litar shpëtimi nga mbytja deputetin e Dibrës Xhelal Mziu dhe kandidatin në tentativë Xhemal Gjunkshi, i cili kemi dëgjuar se ka një dëshirë të thirret Xhejms (James). 

Por a mund të jenë James-i, Mziu apo dhe ndonjë kryetar dege mosmirënjohës i Qarkut Dibër shpëtim për Bashën? Vështirë të thuhet, dhe aq më vështirë të realizohet. 

Mbi Bashën nuk rëndojnë vetëm katër humbje zgjedhjesh, nuk rëndon vetëm fakti që në tetë vite e ktheu opozitën në inekzistente pa fituar asnjë kauzë! As se siglën, selinë dhe vulën i ka kthyer në biznes personal siç po e tregon koha. 

Basha ka shkuar dhe më larg. 

Tek akuzat që do i bënte Berishës, por dhe historisë së PD-së. Ajo është vija e kuqe, ku s’mund të shkelë një anëtar i  thjeshtë dhe jo më një kryetar partie. Është temë debati e kacafytjeje sot e kësaj dite, pasi e vërteta është krejt ndryshe nga ajo çka pretendon Rama, por edhe paraardhësit e tij. Është ofendim që i bëhet inteligjencës së çdo shqiptari. 

Bëhet fjalë për vitin 1997!

“Isha në vit të parë të shkollës së lartë. Babai në mars të atij viti më porositi të mos shkoja në shtëpi dhe të bëja ctë mundja të rrija në Tiranë. Skënder Gjinushi dhe të tjerët kishin bërë thirrje që çdo i djathtë apo demokrat të shihej si armik. Babai ishte eksponent i  PD-së në qytetin tim të vogël jugor dhe familja jonë shihej me urrejtje nga krerët e bandave apo komitetet e shpëtimit, të mbushur me ish-oficerë të sigurimit apo xhelatë të regjimit. Vëllain e hoqi në vitin e 3 të inxhinerisë dhe e nisi për Greqi, sot e kësaj dite s’e ka mbaruar. Ndërsa mua në Tiranë nuk më njihte njeri. Por mbeta e vetme fillikat. Babai nuk vinte dot se rrugët ishin bllokuar, dhe mbaj mend që kam dalë tek një furrë buke dhe kam lypur bukë se s'kisha të haja. Nuk e kam ndjerë veten ndonjëherë më ngushtë në jetën time. Aq urrejtje mora sa nuk shkela dhjetë vjet në qytetin e lindjes”. 

Këtë histori ma tregonte me lot në sy një mikesha dhe kolegia ime, ditën që Basha do i  rikthente në mendje demokratëve atë vit të trishtë. E pavarësisht se vetë nuk u përfshi kurrë në politikë si babai i saj i ndjerë, pavarësisht se mund të ketë rezerva dhe për qeverisjen e demokratëve, nuk mund të bjerë kurrsesi dakord me tymnajën dhe propagandën e përhapur rreth atij viti. 

Por ja që deputeti Basha ia jep këtë të drejtë vetes, të nëpërkëmbë jo vetëm historinë, por edhe ndjesitë e atyre që i  bënë ballë atij uragani urrejtjeje që e kishte zanafillën te shembja e komunizmit. Kjo sepse ai si shumë të tjerë që ka mban rrotull nuk e kanë jetuar atë kohë, nuk e dinë se çfarë do të thotë ajo periudhë e errët për bazën e asaj partie. Në rast se demokratët e atyre viteve kërkonin të integronin Shqipërinë në Evropë, Basha kishte kohë që ishte pjesë e saj, pasojë kjo e lirisë së vitit 1990. 

Basha me të tjerë nuk erdhën si njerëz politikë. Nuk u rritën në fushata e protesta si shumë të tjerë. Ata erdhën me lugë në brez për të shijuar tortën e pushtetit. Ata s’kanë nga ta dinë se luksi në të cilin jetojnë sot, kalon nga kalvari i vuajtjeve të qindra e mijëra demokratëve që duhet të përballeshin me kërcënimet e bandave. Të burgosjeve dhe largimeve nga puna që pasuan ato ngjarje. T'i jetosh dhe t'i ndjekësh nga TV-ja, nën interpretimin e zëdhënësve të bandave të terrorit janë dy gjëra krejt të ndryshme….

Natyrshëm lind pyetja! 

Kur ka pasur gjithë këto dilema Lulzim Basha rreth figurës së Sali Berishës, Partisë Demokratike dhe anëtarëve të saj që i etiketon llum pse pranoi të ishte pjesë e zgjedhjeve dhe qeverisjes së 2005-ës? 

Ose pse pranoi të ishte tre herë ministër dhe një herë Kryetar Bashkie? Pse nuk kaloi në frontin tjetër meqenëse i  ka pëlqyer apo i pëlqen kaq fort gjuha e tyre? Si pranoi të hynte në fushatën e atij viti, kur kundërshtari e kish përqendruar propagandën te frika se e djathta do risillte një 97-të tjetër? Goxha parimor apo jo! 

Duket qartë se ish-kryetari s'ka qenë i sinqertë me anëtarësinë dhe historinë e PD-së. Tashmë lakrat dolën sheshit. Basha mendon se dhe këtë herë ashtu si tek humbja e zgjedhjeve, dorëzimi i  mandatave, kauzat e dështuara do dalë pa lagur.

E mendon gabim, ai tashmë është i mbytur. Demokratët janë revoltuar nga indiferentizmi i atij që duhet t'i qëndronte afër, nga mënyra se si e ka përdorur partinë dhe aspiratat e tyre për çështje personale. Dhe nga kjo dallgë zemërimi s’mund ta shpëtojë as varka e e shpuar e Xhelalit dhe as kamerdarja e shfryrë e James-it.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco