Republika e Re

Republika e Re

Nga Avenir Peka - 09/11/2021

"Lulzim Basha nuk lëshon zyrën. Militantët e PD do futen me forcë. Nga Kuvendi, Berisha do marshojë për tek selia e PD bashkë me pjesëmarrësit. Basha do e çojë vendimin e Kuvendit Kombëtar në Gjykatë. Rama do e mbrojë me polici".

Të gjithë këta skenarë që përmenden sot në media dhe në publik nuk janë të vërtetë.

Asnjëra nga këto nuk ka për të ndodhur. 

Me deklaratën e mirëmenduar se 'Koha e Sali Berishes ka mbaruar', Ndërkohë që mbi 80% e demokratëve janë me Berishën, nuk është asgjë tjetër veçse shpallja e vendimit për t'u larguar nga PD dhe për të krijuar një parti të re. 

Partinë e ka gati. Quhet 'Republika e Re'. E pati shpallur që në 2017. Po të ndjekësh me vëmendje pozitën dhe veprimet e Bashës, është lehtësisht e kuptueshme se ai po shkon drejt krijimit të një partie të re. 

Dhe ja se pse. 

Së pari, ai e di që pas 11 dhjetorit nuk është më Kryetar i PD.

Së dyti, e ka të qartë që ai do të shkarkohet me Referendum partiak, 'një anëtar, një votë'.

Së treti, ai e kupton që Berisha ka ndërmend 'ta përdhunojë' politikisht dhe publikisht. 

Së katërti, pas shkarkimit në këtë formë, çdo njeri me një gram dinjitet, nuk mund të shkelë më në atë parti. 

Së pesti, ai nuk ka ndërmend të largohet nga parlamenti dhe nga politika. 

Së gjashti, ndjek porosinë e Ramës gjatë fushatës që të largohet nga Berisha dhe Meta.

Së shtati, me një grup parlamentar të vetin (pavarësisht numrave), ai pretendon të jetë faktor politik. 

Së teti, shpreson në një koalicion/bashkëqeverisje me Ramën.   

I gjithë aksioni i tij politik dhe veçanërisht ashpërsia e toneve ndaj Berishës dhe 'llumit' në PD, ngjan si dy pika uji me diskursin publik dhe politik gjatë fushatës së 2017 kur shpalli 'Republikën e Re'.

Që atë kohë, Basha hoqi nga fushata dhe website i PD, flamurin e PD, logon e PD, dhe emrin PD. Për ata që e mbajnë mend, po të klikoje në adresën www.pd.al, direkt orientoheshe në një faqe të re që quhej www.republikaere.al

Qetesia e tij, tregon qartë që ai tashmë e ka marrë vendimin.

Edhe takimi i sotëm me Edi Palokën, në esencë tregon se ai tashmë nuk është i shqetësuar për ecurinë e firmave. 

Ai tashmë e ka partinë e tij.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

tirana10/11/2021 08:36

Do te deshtoje sa hap e mbyll syte dhe me shume sukses si puna e shehit , kalakules , etj kur krijuan lidhjen e djathte ne vitin - 2000 ....???!!!

Shto koment

Denonco